Mbjellja dorëhapur sjell shumë bekime
1 Që të gjithë mezi e presim përmbushjen e premtimeve madhështore që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Madje që tani Jehovai na ka dhënë shumë bekime që ia shtojnë kënaqësinë jetës. Megjithatë, masa në të cilën përfitojmë si individë varet shumë nga përpjekjet që bëjmë. Sikurse u shpreh dhe apostulli Pavël, «ai që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur». (2 Kor. 9:6) Le të shqyrtojmë dy fusha ku zbatohet ky parim.
2 Shërbimi që bëjmë: Ndarja e lajmit të mirë me njerëzit, sa herë që kemi mundësi të dëshmojmë, sjell shumë shpërblime. (Prov. 3:27, 28) Në mënyrë të lavdërueshme, shumë po mbjellin dorëhapur. Këta po e zgjerojnë pjesëmarrjen e tyre në shërbim duke shërbyer edhe si pionierë ndihmës e të rregullt. Që të gjithë mund të mbjellim dorëhapur, duke u kthyer të nxitur nga ndërgjegjja për të kultivuar të gjithë interesin e gjetur dhe për të ofruar një studim biblik sa herë që jepet mundësia. (Rom. 12:11) Duke u ushtruar në këtë drejtim, do të kemi përvoja ndërtuese dhe do të provojmë më shumë gëzim në shërbim.
3 Duke mbështetur interesat e Mbretërisë: Pavli e lidhi komentin e tij për ‘mbjelljen dorëhapur’ edhe me dhënien në kuptimin material. (2 Kor. 9:6, 7, 11, 13) Sot, mund të bëjmë shumë për të mbështetur interesat e Mbretërisë, duke dhënë në kuptimin fizik dhe material. Mund të ndihmojmë për të ndërtuar Sallat e Mbretërisë dhe Sallat e Asambleve. Gjithashtu, mund të ofrohemi vullnetarisht për të marrë pjesë në pastrimin dhe mirëmbajtjen e këtyre qendrave të adhurimit të vërtetë. Veç kësaj, mund të kontribuojmë financiarisht për të mbuluar shpenzimet e kongregacionit, si edhe për veprën mbarëbotërore të predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. Ndërsa bëjmë secili pjesën tonë, do të ngazëllojmë duke parë se si e bekon me bollëk Jehovai këtë vepër të urdhëruar nga ai vetë.—Mal. 3:10; Luka 6:38.
4 Fjala e Perëndisë na këshillon ‘të punojmë për të mirën, të jemi të pasur në vepra të shkëlqyera, të jemi dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët’. Duke ia vënë veshin kësaj këshille, ne korrim që sot shumë bekime. Ndërkohë, ‘mbledhim për vete si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen [dhe] jetën e vërtetë’ që po vjen.—1 Tim. 6:18, 19.