Të tregojmë besnikërinë tonë të krishterë kur përjashtohet një i afërmi ynë
1. Cila situatë mund ta vërë në provë besnikërinë e një të krishteri?
1 Lidhja ndërmjet pjesëtarëve të familjes mund të jetë shumë e fortë. Kjo gjë e vë në provë një të krishterë kur bashkëshorti a bashkëshortja, fëmija, prindi ose ndonjë i afërma tjetër i ngushtë i tij përjashtohet ose vetëpërjashtohet nga kongregacioni. (Mat. 10:37) Si duhet ta trajtojnë të krishterët besnikë këtë të përjashtuar? A ndryshon ky trajtim në rast se personi banon në shtëpinë tuaj? Së pari, le të shohim se çfarë thotë Bibla për këtë çështje, parimet e së cilës zbatohen njësoj si për ata që përjashtohen, ashtu dhe për ata që vetëpërjashtohen.
2. Sipas Biblës, si duhet t’i trajtojnë të krishterët ata që janë përjashtuar nga kongregacioni?
2 Si t’i trajtojmë të përjashtuarit? Fjala e Perëndisë i urdhëron të krishterët që të mos mbajnë shoqëri ose lidhje me një person që është përjashtuar nga kongregacioni: «Të mos përziheni më në shoqëri me këdo që quhet vëlla, i cili është kurvar, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as të mos hani me një njeri të tillë . . . Hiqeni të ligun nga mesi juaj.» (1 Kor. 5:11, 13) Edhe fjalët e Jezuit të regjistruara te Mateu 18:17 lidhen me këtë: «Le të jetë për ty [i përjashtuari] tamam si një njeri i kombeve dhe si një taksambledhës.» Dëgjuesit e Jezuit e dinin se judenjtë e asaj kohe nuk shoqëroheshin me paganët dhe se i shmangnin taksambledhësit duke i trajtuar si të dëbuar. Kështu, Jezui po u mësonte ithtarëve të tij që të mos shoqëroheshin me të përjashtuarit.—Shih Kulla e Rojës e 15 shtatorit 1981, faqet 18-20, anglisht.
3, 4. Cili lloj komunikimi me një të përjashtuar dhe të vetëpërjashtuar është i ndaluar?
3 Kjo do të thotë se të krishterët besnikë nuk komunikojnë për çështje frymore me këdo që është përjashtuar nga kongregacioni. Por jo vetëm kaq. Fjala e Perëndisë thotë ‘madje as të mos hamë me një njeri të tillë’. (1 Kor. 5:11) Pra, shmangim edhe lidhjet shoqërore me të përjashtuarin. Kjo do të thotë që të mos e përfshijmë në ndonjë piknik, festë ose në lojërat me top. Gjithashtu, as të mos dalim me të për të bërë pazarin, për të shkuar në teatër ose për të ngrënë bashkë ndonjë vakt në shtëpi ose në restorant.
4 A mund të flasim me një të përjashtuar? Ndonëse Bibla nuk përmend çdo situatë të mundshme, 2 Gjonit 10 na ndihmon të kemi pikëpamjen e Jehovait për këto çështje: «Nëse dikush vjen te ju e nuk sjell këtë mësim, mos e pranoni kurrë në shtëpinë tuaj dhe as mos i drejtoni një përshëndetje.» Duke komentuar për këtë, Kulla e Rojës e 15 shtatorit 1981, faqja 25, anglisht, thotë: «Një përshëndetje e thjeshtë mund të jetë hapi i parë që çon në nisjen e një bisede e madje edhe të një miqësie. A do ta ndërmerrnim këtë hap të parë me një të përjashtuar?»
5. Çfarë humbet një individ kur përjashtohet?
5 Në të vërtetë është pikërisht siç thuhet në faqen 31 të të njëjtit numër të Kullës së Rojës: «Kur një i krishterë i dorëzohet mëkatit dhe duhet të përjashtohet, ai humbet shumë gjëra: qëndrimin e tij të miratuar para Perëndisë; . . . shoqërinë e këndshme me vëllezërit, duke përfshirë një pjesë të madhe të shoqërisë që kishte me të afërmit e krishterë.»
6. A i kërkohet të krishterit që të mos shoqërohet më fare me një të afërm të përjashtuar që jeton në të njëjtën shtëpi me të? Shpjego.
6 Në të njëjtën shtëpi: A do të thotë kjo se të krishterët që jetojnë në të njëjtën shtëpi me një familjar të përjashtuar nuk duhet të flasin, të hanë dhe të shoqërohen me të teksa kryejnë veprimtaritë e tyre të përditshme? Kulla e Rojës e gushtit 1991, në shënimin në faqen 28 (në anglisht, 15 prill 1991, faqja 22) thotë: «Nëse në një shtëpi të krishterë ka një pjesëtar të përjashtuar, ai do të vazhdojë të marrë pjesë në punët e zakonshme dhe në veprimtaritë e përditshme të familjes.» Kështu, do të jenë pjesëtarët e familjes ata që do të vendosin se sa ta përfshijnë këtë pjesëtar të përjashtuar kur hanë ose kur merren me punët e tjera të shtëpisë. Megjithatë, ata nuk duan t’u lënë vëllezërve me të cilët shoqërohen përshtypjen se gjithçka është njësoj siç ishte përpara se të bëhej përjashtimi.
7. Si ndryshon komunikimi për çështjet frymore brenda shtëpisë kur një pjesëtar i familjes përjashtohet?
7 Megjithatë, Kulla e Rojës e 15 shtatorit 1981, faqja 28, anglisht, në lidhje me të përjashtuarin ose të vetëpërjashtuarin thotë: «Lidhjet e mëparshme frymore janë ndërprerë plotësisht. Kjo vlen edhe për të afërmit e tij, duke përfshirë edhe ata brenda shtëpisë së tij. . . . Kjo do të kërkojë ndryshime përsa i përket komunikimit për çështje frymore që mund të ketë pasur në shtëpi. Për shembull, nëse është përjashtuar burri, gruaja dhe fëmijët e tij nuk do të ndihen rehat nëse ai drejton studimin biblik familjar ose merr drejtimin në leximin e Biblës dhe në lutje. Nëse ai dëshiron të bëjë një lutje, si p.sh., në kohën e ngrënies, ka të drejtë ta bëjë këtë në shtëpinë e tij. Por të tjerët në heshtje mund t’i ofrojnë lutjet e tyre Perëndisë. (Prov. 28:9; Psal. 119:145, 146) Po në rast se individi i përjashtuar që është në shtëpi dëshiron të jetë i pranishëm kur pjesëtarët e tjerë të familjes lexojnë Biblën së bashku ose bëjnë studimin biblik familjar? Të tjerët mund ta lejojnë të jetë i pranishëm për të dëgjuar, nëse ai nuk përpiqet t’i mësojë ose të diskutojë me ta idetë e tij fetare.»
8. Çfarë përgjegjësie kanë prindërit e krishterë ndaj një fëmije të mitur të përjashtuar që jeton në shtëpi?
8 Nëse një fëmijë i mitur që jeton në shtëpi përjashtohet, prindërit e krishterë janë ende përgjegjës për rritjen e tij. Kulla e Rojës e 15 nëntorit 1988, faqja 20, anglisht, pohon: «Ashtu si do të vazhdojnë t’i sigurojnë ushqim, veshje dhe strehë, po ashtu duhet ta mësojnë e ta disiplinojnë sipas Fjalës së Perëndisë. (Prov. 6:20-22; 29:17) Pra, prindërit e krishterë mund të kenë një studim biblik me të, edhe nëse është i përjashtuar. Ndoshta duke studiuar vetëm për vetëm me të, ai do të nxjerrë më shumë dobi e të disiplinohet. Ose ata mund të vendosin që ai të vazhdojë të marrë pjesë në studimin biblik familjar.»—Shih edhe Kulla e Rojës, 1 tetor 2001, faqet 16-17.
9. Deri në çfarë mase duhet të ketë kontakte një i krishterë me të afërmin e përjashtuar që banon jashtë shtëpisë?
9 Të afërmit që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi: «Situata është e ndryshme nëse i përjashtuari ose i vetëpërjashtuari është një i afërm që jeton jashtë shtëpisë ose që nuk është pjesëtar i familjes,—thotë Kulla e Rojës e 15 prillit 1988, faqja 28, anglisht.—Me këtë të afërm ekziston mundësia që të mos kemi pothuajse asnjë kontakt. Edhe nëse disa çështje familjare kërkojnë njëfarë kontakti, sigurisht që ky duhet të jetë sa më i pakët» në përputhje me urdhrin hyjnor ‘për të mos u përzier më në shoqëri me këdo’ që është fajtor për shkak se mëkaton pa u penduar. (1 Kor. 5:11) Të krishterët besnikë duhet të përpiqen ta shmangin shoqërimin e panevojshëm me një të afërm të tillë duke i mbajtur sa më të pakta edhe marrëdhëniet për çështje pune.—Shih edhe Kulla e Rojës, 15 shtator 1981, faqet 29-30, anglisht.
10, 11. Çfarë do të shqyrtojë një i krishterë përpara se ta lejojë një pjesëtar të familjes që është përjashtuar të kthehet në shtëpi?
10 Kulla e Rojës e drejton vëmendjen edhe te një rrethanë tjetër që mund të lindë: «Po në rast se ndonjë pjesëtar i familjes, si p.sh., një fëmijë ose një prind që nuk jeton në shtëpi, përjashtohet dhe më pas kërkon të kthehet në shtëpi? Familja mund të vendosë se çfarë të bëjë në varësi të rrethanës. Për shembull, një prind i përjashtuar mund të jetë i sëmurë ose mund të mos jetë më në gjendje të kujdeset financiarisht a fizikisht për veten. Fëmijët e krishterë janë nën detyrimin biblik dhe moral për ta ndihmuar. (1 Tim. 5:8) . . . Ajo që bëhet në këtë rast mund të varet nga nevojat e vërteta të prindit, nga qëndrimi i tij dhe nga shqetësimi i kreut të shtëpisë për ndikimin që do të ketë prania e të përjashtuarit në mirëqenien frymore të familjes.»—Kulla e Rojës, 15 shtator 1981, faqet 28-29, anglisht.
11 Në lidhje me një fëmijë të përjashtuar i njëjti artikull vazhdon: «Disa herë prindërit e krishterë kanë lejuar të kthehet në shtëpi për njëfarë kohe një fëmijë i përjashtuar që ka qenë i sëmurë fizikisht ose emocionalisht. Por në secilin rast, prindërit mund të shqyrtojnë disa gjëra rreth tij. A ka jetuar ky fëmijë i përjashtuar me forcat e veta dhe tani nuk është më në gjendje ta bëjë këtë? Mos dëshiron të kthehet në familje kryesisht për një jetë më të rehatshme? Po përsa u përket normave të tij morale dhe qëndrimit të tij? A do të sjellë ai ‘majanë’ në shtëpi?—Gal. 5:9.»
12. Cilat janë disa nga dobitë e masës së përjashtimit?
12 Dobitë e besnikërisë ndaj Jehovait: Bashkëpunimi me masën biblike të përjashtimit dhe qëndrimi larg keqbërësve të papenduar sjell dobi. Një gjë e tillë ruan pastërtinë e kongregacionit dhe na dallon si mbajtës të normave të larta morale të Biblës. (1 Pjet. 1:14-16) Na mbron nga ndikimet korruptuese. (Gal. 5:7-9) Gjithashtu, i jep mundësi keqbërësit të nxjerrë plotësisht dobi nga disiplina që ka marrë, e cila mund ta ndihmojë të prodhojë «fryt paqeje, domethënë, drejtësi».—Hebr. 12:11.
13. Çfarë rregullimesh bëri një familje dhe cili ishte përfundimi?
13 Pasi dëgjoi një fjalim në asamblenë qarkore, një vëlla dhe motra e tij binjake e kuptuan se duhej të ndryshonin mënyrën si e trajtonin nënën e tyre, e cila jetonte në një vend tjetër dhe ishte e përjashtuar prej gjashtë vjetësh. Menjëherë pas asamblesë, ky vëlla i telefonoi së ëmës. Pasi e siguroi se që të dy e donin, i shpjegoi se nuk mund të flitnin më me të, vetëm nëse do të kishte çështje të rëndësishme familjare për të cilat do të duhej të kontaktonin. Pak pas kësaj nëna filloi të ndiqte mbledhjet dhe së fundi u rivendos në kongregacion. Edhe burri i saj jobesimtar filloi të studionte dhe me kalimin e kohës u pagëzua.
14. Përse duhet ta mbështetim me besnikëri masën e përjashtimit?
14 Duke iu përmbajtur me besnikëri masës së përjashtimit siç tregohet në Shkrime, tregojmë dashurinë tonë për Jehovain dhe i japim një përgjigje atij që e sfidon me përbuzje Atë. (Prov. 27:11) Nga ana tjetër, mund të jemi të sigurt për bekimin e Jehovait. Në lidhje me Jehovain mbreti David shkroi: «Nga statutet e tij nuk kam për t’u larguar. Me atë që është besnik ti do të veprosh me besnikëri.»—2 Sam. 22:23, 26, BR.
[Shënimi]
a Në këtë artikull fjala «i afërm» i referohet një njeriu që ka lidhje gjaku ose që ka lidhje të tjera familjare të ngushta me një tjetër, farefis.