Të jemi komunikues
1 Për të përmbushur caktimin që na është dhënë, pra, të predikojmë dhe të bëjmë dishepuj, duhet t’ua përcjellim informacionin të tjerëve. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Komunikimi mund të jetë një sfidë edhe ndërmjet miqve. Çfarë mund të na ndihmojë t’ua përçojmë me efektshmëri lajmin e mirë atyre që nuk i njohim?
2 Nga i panjohur në mik: Të përpiqemi ta vëmë veten në vendin e njerëzve të cilëve u afrohemi në shërbim. Në një botë si kjo, është e kuptueshme që disa mund t’i shohin me dyshim ose madje të kenë frikë nga të panjohurit. Kjo gjë mund ta vështirësojë komunikimin. Si mund t’i ndihmojmë ata që takojmë ta kapërcejnë frikën që ndiejnë fillimisht? Pa thënë ende asnjë fjalë, një mënyrë me të cilën komunikojmë është nëpërmjet paraqitjes sonë modeste. Veshja jonë e rregullt dhe sjellja dinjitoze ndihmojnë që të shuhet frika.—1 Tim. 2:9, 10.
3 Diçka tjetër që e ndihmon komunikimin është sjellja e çlirët miqësore. Kjo ndihmon që të tjerët të ndihen rehat dhe të jenë më të prirur për të dëgjuar. Për këtë nevojitet të përgatitemi mirë. Kur e kemi të qartë në mendje atë që duam të themi mund të jemi më pak nervozë. Dhe ky qëndrim mendor paqësor mund t’i tërheqë të tjerët drejt mesazhit tonë. Një grua tha për Dëshmitaren që e vizitoi: «Ajo që kujtoj ende nga fytyra e saj e qeshur ishte paqja. Më bëri për vete.» Kjo gjë hapi rrugën që kjo grua të dëgjonte lajmin e mirë.
4 Cilësitë që tërheqin: Duhet të tregojmë interes të sinqertë për të tjerët. (Filip. 2:4) Një mënyrë për ta bërë këtë është duke mos e mbizotëruar bisedën. Në fund të fundit, komunikimi përfshin edhe dëgjimin. Kur i ftojmë dëgjuesit tanë që të shprehen dhe i dëgjojmë me vëmendje komentet e tyre, ata fillojnë të ndiejnë se ne interesohemi për ta. Prandaj, kur dëgjuesit tanë flasin, të mos nxitojmë të gjejmë rastin për t’u kthyer te prezantimi që kemi përgatitur. T’i lavdërojmë sinqerisht nëse është e mundur dhe të përpiqemi t’i përshtatim fjalët tona me atë që ata thonë. Nëse komentet e tyre zbulojnë diçka që për ta është me shumë interes, ta ndryshojmë prezantimin në përputhje me atë që u intereson atyre.
5 Modestia dhe përulësia e mendjes bëjnë që komunikimi të rrjedhë lirshëm. (Prov. 11:2; Vep. 20:19) Njerëzit u tërhoqën drejt Jezuit sepse ai ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër». (Mat. 11:29) Nga ana tjetër, qëndrimi sikur jemi më të lartë i largon të tjerët. Prandaj, ndonëse jemi plotësisht të bindur se kemi të vërtetën, me mençuri e shmangim të folurin dogmatik.
6 Po në rast se fjalët e personit pasqyrojnë bindje që nuk përputhen me atë që mëson Bibla? A jemi të detyruar ta korrigjojmë? Po, por në kohën e duhur dhe jo të përpiqemi ta bëjmë këtë që në vizitën e parë. Shpesh është e dobishme të ndalemi tek ato ide që i kemi të përbashkëta me dëgjuesin përpara se t’i tregojmë mësimet biblike që për të mund të jenë më të vështira të pranohen. Kjo gjë kërkon durim dhe takt. Pavli la një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim kur u dëshmoi gjykatësve të Areopagut.—Vep. 17:18, 22-31.
7 Mbi të gjitha, dashuria altruiste do të na ndihmojë të jemi komunikues të efektshëm. Ashtu si Jezui, duhet të ndiejmë keqardhje për njerëzit që janë ‘të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari’. (Mat. 9:36) Kjo gjë na shtyn t’u çojmë lajmin e mirë dhe t’i ndihmojmë të ecin në udhën e jetës. Ne çojmë një mesazh dashurie, prandaj le të vazhdojmë ta themi atë në mënyrë të dashur. Duke bërë kështu imitojmë Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin, Komunikuesit e parë në univers.