Fjala e Perëndisë është e vërteta
1. Çfarë informacioni të rëndësishëm përmban Bibla?
1 Psalmisti shkroi: «Shuma e fjalës sate është e vërteta.» (Psal. 119:160) Nëpërmjet Fjalës së tij të frymëzuar, Jehovai u jep përgjigje të kënaqshme pyetjeve më të rëndësishme të jetës. Ai u jep ngushëllim dhe shpresë atyre që kanë probleme. Gjithashtu na tregon si mund t’i afrohemi atij. Një grua tha me mirënjohje: «Kur mëson të vërtetën nga Bibla është sikur largohesh nga një vend i errët e i zymtë dhe hyn në një dhomë të pastër, të ndriçuar e të këndshme.» A përpiqesh të flasësh për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë në çdo rast të mundshëm?
2. Si e përmirëson Bibla jetën e njerëzve?
2 Ka fuqi të shndërrojë jetë; tërheq njerëz nga e gjithë bota: E vërteta biblike ka fuqinë të prekë zemra dhe të shndërrojë jetë. (Hebr. 4:12) Një grua e re, e quajtur Roza, ishte përfshirë në prostitucion, si dhe në abuzimin me drogën e alkoolin. Ajo thotë: «Një ditë kur isha në kulmin e dëshpërimit, një çift Dëshmitarësh më folën se si Bibla na ndihmon për të zgjidhur problemet. Nisa të studioja Fjalën e Perëndisë, e cila më magjepsi. Brenda një muaji kisha fuqinë të filloja një jetë të re e të pastër moralisht. Tani që kisha një qëllim në jetë nuk kisha më nevojë t’i varja shpresat te alkooli ose droga. Meqenëse dëshiroja shumë që të bëhesha mike me Jehovain, isha e vendosur të jetoja sipas normave të tij. Po të mos kisha marrë mençurinë praktike të Fjalës së Perëndisë, jam e sigurt se tani do t’i kisha dhënë fund jetës sime.»—Psal. 119:92.
3. Përse nuk duhet të ngurrojmë t’u flasim të tjerëve për mesazhin e Biblës?
3 Ndryshe nga shumë libra të sotëm, Bibla tërheq njerëz nga ‘të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’. (Zbul. 7:9) Vullneti i Perëndisë është «që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Prandaj kurrë të mos mendojmë se dikush nuk do t’i përgjigjet lajmit të mirë vetëm për shkak të prejardhjes të tij. Përkundrazi, le ta ndajmë mesazhin e Mbretërisë me të gjithë, duke lexuar drejtpërdrejt nga Bibla kurdo që është e mundur.
4. Si mund ta përdorim Biblën kur japim dëshmi?
4 Të nxjerrim në pah Shkrimet: Ka shumë raste për ta përdorur Biblën në shërbim. Kur prezantojmë revistat të përpiqemi të lexojmë shkrimin që tregohet në prezantimin e sugjeruar. Kur japim ofertën e literaturës për muajin, mund të jetë e efektshme të lexojmë një shkrim të zgjedhur me kujdes gjatë fjalëve që thuhen në fillim. Çdo herë që bëjmë një rivizitë të lexojmë një ose më shumë shkrime për ta ndihmuar të zotin e shtëpisë të fitojë pak nga pak njohurinë e saktë. Ndërsa drejtojmë një studim biblik, le ta përqendrojmë bisedën te shkrimet kryesore. Edhe nëse nuk jemi në shërbim, të mbajmë me vete një Bibël që ta përdorim kur del ndonjë mundësi për të dhënë dëshmi të rastit.—2 Tim. 2:15.
5. Përse duhet të përpiqemi ta përdorim Biblën në shërbim?
5 Le t’i ndihmojmë njerëzit që të nxjerrin dobi nga fuqia motivuese e së vërtetës së Fjalës së Perëndisë, duke e përdorur Biblën në çdo rast të përshtatshëm në shërbim.—1 Sel. 2:13.