Të predikojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht
1 Sa shpejt mund të ndryshojnë situatat! Gjëra të tilla si: një katastrofë natyrore, një krizë ekonomike, një trazirë politike ose një tragjedi, e cila bëhet e njohur botërisht, bëhen shumë shpejt temat e bisedave tona. Megjithatë, po kaq shpejt, njerëzit e kthejnë vëmendjen gjetkë. (Vep. 17:21; 1 Kor. 7:31) Si mund të tërheqim vëmendjen e njerëzve për t’u dhënë mesazhin e Mbretërisë, në këtë botë që ndryshon vazhdimisht?
2 Të kuptojmë çfarë i shqetëson të tjerët: Një mënyrë si të tërheqim vëmendjen e njerëzve është duke u përmendur disa ngjarje të kohëve të fundit. Jezui në një rast përmendi disa tragjedi që kishin ndodhur së fundi e që kishin mbetur në mendjen e njerëzve. Këtë e bëri për t’i shtyrë dëgjuesit e tij që të mendonin seriozisht për qëndrimin e tyre ndaj Perëndisë. (Luka 13:1-5) Po kështu edhe ne, kur prezantojmë lajmin e mirë, është mirë të përmendim ndonjë lajm të fundit ose ndonjë problem të asaj zone, që u intereson njerëzve në territor. Sidoqoftë, kur diskutojmë për çështje të tilla, duhet të kemi kujdes që të mos mbajmë anësi për çështjet politike ose shoqërore.—Gjoni 17:16.
3 Si ta kuptojmë për çfarë po mendojnë njerëzit kohët e fundit? Ndoshta mënyra më e mirë është thjesht t’u bëjmë një pyetje, e pastaj t’i dëgjojmë. (Mat. 12:34) Interesimi për njerëzit na nxit të vërejmë pikëpamjen e të tjerëve dhe t’i pyesim me takt për të ditur më shumë. Një shprehje që i zoti i shtëpisë e thotë vetvetiu mund të zbulojë një shqetësim që e kanë shumë njerëz në atë zonë dhe mund të hapë rrugën për të dëshmuar.
4 Të përgatitim një prezantim: Që të përgatitemi për shërbimin në këtë botë që ndryshon vazhdimisht, mund të përdorim librin Të arsyetojmë, anglisht. Disa sugjerime të dobishme si t’i përfshijmë ngjarjet e kohëve të fundit në prezantimin tonë renditen në faqet 10,11, poshtë temave «Krimi/Siguria» dhe «Ngjarjet e fundit». Një informacion i ngjashëm gjendet te Shërbimi ynë i Mbretërisë, shtator 2000, faqja 4. Kur përgatitim prezantimin, të përfshijmë gjithnjë një shkrim të përshtatshëm.
5 Ndërsa u kushtojmë vëmendje shqetësimeve të njerëzve në territor, të cilat ndryshojnë vazhdimisht, duhet edhe ta përshtatim prezantimin e lajmit të mirë me to. Falë kësaj u flasim njerëzve për gjërat që ndikojnë më shumë në jetën e tyre. Duke bërë kështu ndihmojmë edhe shumë të tjerë të njohin Atë që nuk i ndryshon cilësitë dhe normat e tij.—Jak. 1:17.