Ta bëjmë të njohur emrin hyjnor
1. Kur njerëzit mësojnë emrin personal të Perëndisë, çfarë ndikimi mund të ketë kjo tek ata?
1 Si u ndiet kur dëgjuat për herë të parë emrin e Perëndisë? Shumë veta ndihen njësoj si kjo grua, e cila tha: «Kur e pashë për herë të parë në Bibël emrin e Perëndisë, qava. U preka shumë kur mora vesh se mund ta dija dhe ta përdorja emrin personal të Perëndisë.» Për të, të mësonte emrin hyjnor ishte një hap i rëndësishëm që të njihte Jehovain si person dhe të krijonte një marrëdhënie me të.
2. Përse është urgjente që t’i mësojmë të tjerët për Jehovain?
2 Përse duhet ta bëjmë të njohur? Emri i Perëndisë lidhet me cilësitë, qëllimet dhe veprat e Tij. Gjithashtu, duhet ta njohim këtë emër që të shpëtohemi. «Kushdo që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë»,—shkroi apostulli Pavël. Por, «si do ta thërrasin atë»,—arsyetoi ai,—nëse nuk mësojnë së pari për Jehovain dhe nëse nuk ushtrojnë besim në të? Prandaj është urgjente që të krishterët ta bëjnë të njohur emrin e Perëndisë dhe gjithçka që përfaqëson ky emër. (Rom. 10:13, 14) Megjithatë, ka edhe një arsye më të madhe pse duhet të bëhet i njohur emri hyjnor.
3. Cila është arsyeja kryesore e predikimit tonë?
3 Në vitet 20 të shekullit të 20-të, populli i Perëndisë kuptoi nga Shkrimet çështjen universale, e cila përfshinte shfajësimin e sovranitetit të Perëndisë dhe shenjtërimin e emrit të tij. Përpara se Jehovai të shkatërrojë të ligjtë për të hequr sharjet që i janë bërë emrit të tij, e vërteta për Të duhet «të dihet mbi gjithë tokën». (Isa. 12:4, 5; Ezek. 38:23) Prandaj arsyeja kryesore e predikimit tonë është të lavdërojmë publikisht Jehovain e të shenjtërojmë emrin e tij përpara të gjithë njerëzve. (Hebr. 13:15) Dashuria për Perëndinë e të afërmin na nxit të marrim pjesë plotësisht në këtë vepër, të urdhëruar nga vetë Ai.
4. Si i ka identifikuar Dëshmitarët e Jehovait emri i Perëndisë?
4 «Një popull për emrin e tij»: Në vitin 1931 ne morëm emrin Dëshmitarët e Jehovait. (Isa. 43:10) Që nga ajo kohë, emri hyjnor është bërë i njohur në një masë kaq të madhe, saqë libri Lajmëtarët në faqen 124, anglisht, thotë: «Në çdo komb, këdo që e përdor lirshëm emrin e Jehovait menjëherë e identifikojnë si një Dëshmitar të Jehovait.» A ju identifikojnë edhe ju kështu? Mirënjohja për mirësinë e Jehovait duhet të na nxitë ‘të bekojmë emrin e tij’, duke folur për të në çdo rast të përshtatshëm.—Psal. 20:7; 145:1, 2, 7.
5. Si lidhet sjellja jonë me mbajtjen e emrit hyjnor?
5 Meqë jemi «një popull për emrin e tij», duhet t’u përmbahemi normave që ka ai. (Vep. 15:14; 2 Tim. 2:19) Shpesh, gjëja e parë që njerëzit vënë re te Dëshmitarët e Jehovait është sjellja e tyre e shkëlqyer. (1 Pjet. 2:12) Kurrë nuk do të dëshironim të përdhosnim emrin e tij, duke përçmuar parimet hyjnore ose duke e kaluar adhurimin e tij në vend të dytë në jetën tonë. (Lev. 22:31, 32; Mal. 1:6-8, 12-14) Përkundrazi, mënyra jonë e jetesës tregoftë se e çmojmë privilegjin që kemi për të mbajtur emrin hyjnor!
6. Çfarë privilegji mund të gëzojmë tani e në përjetësi?
6 Sot po shohim përmbushjen e deklaratës së Jehovait: «Që nga lind dielli e deri atje ku perëndon, emri im do të jetë i madh midis kombeve.» (Mal. 1:11) Le të vazhdojmë ta bëjmë të njohur të vërtetën në lidhje me Jehovain e ‘ta bekojmë emrin e tij të shenjtë përjetë’!—Psal. 145:21.