Të imitojmë mirësinë e Jehovait
1 Pasi kënaqemi kur shohim një perëndim magjepsës ose kur hamë një vakt të shijshëm a nuk nxitemi të falënderojmë Jehovain, Burimin e gjithë mirësisë? Mirësia e tij na shtyn ta imitojmë atë. (Psal. 119:66, 68; Efes. 5:1) Si mund ta shfaqim mirësinë?
2 Ndaj jobesimtarëve: Një mënyrë si ta imitojmë mirësinë e Jehovait është duke treguar interes të sinqertë ndaj atyre që nuk janë të lidhur me ne në besim. (Gal. 6:10) Në rast se shfaqim mirësi në mënyra praktike, kjo mund të ndikojë pozitivisht në pikëpamjen e tyre për Dëshmitarët e Jehovait dhe mesazhin që u japim.
3 Për shembull, ndërsa po priste te një klinikë, një pionier në moshë të re u ul pranë një gruaje të moshuar. Gruaja dukej më e sëmurë se shumica e njerëzve të tjerë që ishin aty. Kur vëllait i erdhi radha për t’u vizituar te mjeku, e la gruan që të shkonte në vend të tij. Kohë më vonë ai e takoi përsëri, por këtë herë në treg. Ajo ishte shumë e kënaqur kur e pa. Megjithëse në të kaluarën nuk e kishte pranuar lajmin e mirë, tha se tani ishte e sigurt që Dëshmitarët e Jehovait i duan me të vërtetë të afërmit e tyre. Me të u fillua një studim i rregullt biblik.
4 Ndaj vëllezërve tanë: Gjithashtu, e imitojmë mirësinë e Jehovait kur përdorim gjithë aftësitë dhe forcën tonë për t’i ndihmuar bashkëbesimtarët. Jemi ndër të parët që u vijmë në ndihmë vëllezërve tanë në kohë katastrofash. Tregojmë të njëjtën frymë kur i ndihmojmë ata që kanë nevojë të shkojnë me makinë për në mbledhje, vizitojmë ata me shëndet të dobët dhe zgjerohemi në përzemërsinë tonë ndaj atyre që nuk i njohim mirë në kongregacion.—2 Kor. 6:11-13; Hebr. 13:16.
5 Një mënyrë tjetër si Jehovai tregon mirësi është duke qenë ‘i gatshëm të falë’. (Psal. 86:5) Për ta imituar, duhet ta duam mirësinë, duke i falur të tjerët. (Efes. 4:32) Kjo e bën ‘të mirë e të kënaqshme’ shoqërinë tonë me bashkëbesimtarët.—Psal. 133:1-3.
6 Le të na nxitë mirësia e bollshme e Jehovait që ta lavdërojmë atë pa pushim dhe të rrezatojmë gëzim! Le të na shtyjë të përpiqemi të imitojmë mirësinë e tij në gjithçka që bëjmë!—Psal. 145:7; Jer. 31:12.