Të zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain
1. Çfarë kuptoi një motër për aktivitetet e saj frymore?
1 «Kam vazhduar në mënyrë mekanike në të vërtetën për afro 20 vitet e kaluara, duke u mjaftuar vetëm me mbledhjet dhe shërbimin»,—pranoi një motër e krishterë. Megjithatë, ajo vazhdon: «Kam arritur në përfundimin se ndonëse këto gjëra janë të rëndësishme, vetëm ato nuk mund të më japin forcë kur jam në vështirësi. . . . Tani e kuptoj se më duhet të ndreq mënyrën e të menduarit dhe të filloj një program studimi domethënës, me qëllim që ta njoh vërtet Jehovain dhe të arrij ta dua e të vlerësoj atë që na ka dhënë Biri i tij.»
2. Pse është e rëndësishme të zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain?
2 Për të ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain kërkohen përpjekje. Kërkohet më shumë sesa vetëm të ndjekësh një rutinë me aktivitete të krishtere. Nëse nuk komunikojmë rregullisht me Jehovain, me kalimin e kohës ai mund të bëhet për ne si një mik dikur i ngushtë, por me të cilin i kemi humbur lidhjet. (Zbul. 2:4) Le të shqyrtojmë se si studimi personal i Biblës dhe lutja mund të na ndihmojnë të zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.—Psal. 25:14.
3. Cili qëndrim ndaj studimit personal do të na ndihmojë t’i afrohemi Perëndisë?
3 Lutja dhe meditimi janë të domosdoshme: Studimi personal që ushqen zemrën përfshin më shumë sesa vetëm të nënvizojmë pikat kryesore në materialin e studimit dhe të kërkojmë shkrimet e cituara. Duhet të meditojmë për atë që na zbulon materiali rreth rrugëve, normave dhe personalitetit të Jehovait. (Dal. 33:13) Kur fillojmë të kuptojmë gjërat frymore, kjo ndikon në ndjenjat tona dhe na shtyn të mendojmë për jetën tonë. (Psal. 119:35, 111) Studimi personal duhet bërë me synimin për t’iu afruar Jehovait. (Jak. 4:8) Një studim serioz kërkon kohë dhe rrethana të përshtatshme, një studim i rregullt kërkon disiplinë. (Dan. 6:10) Edhe nëse jeni tepër të zënë me punë, a lini kohë çdo ditë për të medituar për cilësitë e mrekullueshme të Jehovait?—Psal. 119:147, 148; 143:5.
4. Si na ndihmon të zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain lutja para studimit personal?
4 Lutja nga zemra është pjesë e domosdoshme e studimit personal domethënës. Që të vërtetat biblike të na prekin zemrën e të na shtyjnë «t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë . . . me frikë Perëndie dhe nderim të thellë», na nevojitet fryma e shenjtë e Perëndisë. (Hebr. 12:28) Prandaj, sa herë të ulemi për të bërë studimin, duhet ta fillojmë duke iu lutur Jehovait për frymën e tij. (Mat. 5:3) Kur meditojmë rreth Shkrimeve dhe përdorim mjetet ndihmëse për studim që na ka dhënë organizata e Jehovait, ia hapim zemrën atij. (Psal. 62:8) Zhvillimi i studimit në këtë mënyrë është një akt adhurimi me të cilin i shprehim Jehovait përkushtimin tonë dhe e forcojmë lidhjen me të.—Jud. 20, 21.
5. Pse është e rëndësishme që të meditojmë çdo ditë rreth Fjalës së Perëndisë?
5 Ashtu si me çdo lidhje tjetër, lidhja jonë me Jehovain duhet ushqyer vazhdimisht që të vazhdojë të forcohet gjatë gjithë jetës sonë. Prandaj, le të blejmë kohë çdo ditë për t’iu afruar Perëndisë, duke e ditur se edhe ai nga ana e tij do na të afrohet neve.—Psal. 1:2, 3; Efes. 5:15, 16.