Të imitojmë drejtësinë e Jehovait
1 Jehovai «e do drejtësinë». (Psal. 37:28) Ja përse, ndonëse ka dekretuar që kjo botë e padrejtë do të shkatërrohet, ai ka marrë masa që më parë të jepet një paralajmërim. (Mar. 13:10) Kjo u jep mundësinë njerëzve që të pendohen dhe të shpëtojnë. (2 Pjet. 3:9) A bëjmë përpjekje për të imituar drejtësinë e Jehovait? A na shtyn mjerimi dhe vuajtja e njerëzimit që t’ua japim edhe të tjerëve shpresën e Mbretërisë? (Prov. 3:27) Dashuria për drejtësi do të na nxitë të jemi të zellshëm në veprën e predikimit.
2 Të shfaqim paanësi në predikim: Duke ua shpallur të gjithëve me paanësi qëllimin e Perëndisë, ne ‘zbatojmë drejtësinë’. (Mik. 6:8) Duhet ta shmangim prirjen që kemi si të papërsosur për të paragjykuar të tjerët duke u nisur nga pamja e jashtme. (Jak. 2:1-4, 9) Vullneti i Jehovait «është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) E vërteta e Fjalës së Perëndisë mund të ndikojë te njerëzit që të bëjnë ndryshime të mëdha në jetën e tyre. (Hebr. 4:12) Kur e vlerësojmë këtë fakt, mund të nxitemi që t’i shohim me besim njerëzit, madje edhe ata që më parë kanë bërë një vesh të shurdhër.
3 Një motër që punonte në një dyqan, gati trembej nga pamja e jashtme e një klienti të rregullt. Megjithatë, kur erdhi çasti i përshtatshëm, ajo u përpoq t’i tregonte për parajsën që Perëndia ka premtuar. Ai iu përgjigj vrazhdë që nuk u besonte përrallave dhe që ishte një hipí e narkoman. Por motra nuk u dorëzua. Një ditë ai e pyeti se ç’mendonte për flokët e tij të gjatë. Ajo me takt i shpjegoi se çfarë thoshte Bibla për këtë gjë. (1 Kor. 11:14) Për motrën ishte një surprizë e këndshme kur të nesërmen ai erdhi i qethur e i rruar. Kërkoi një studim biblik dhe një vëlla pranoi me gëzim që t’ia drejtonte studimin. Ai bëri përparim, iu kushtua Perëndisë dhe u pagëzua. Ashtu si ky njeri, shumë të tjerë që sot i shërbejnë Jehovait, janë mirënjohës për paanësinë dhe këmbënguljen që shfaqën ata që i dhanë mesazhin e Mbretërisë.
4 Shumë shpejt Jehovai do ta zhdukë padrejtësinë nga faqja e dheut. (2 Pjet. 3:10, 13) Në këtë pak kohë që na ka mbetur, le të imitojmë drejtësinë e Jehovait duke u dhënë mundësi të gjithë njerëzve të shpëtojnë nga shkatërrimi i ardhshëm i botës së padrejtë të Satanait.—1 Gjon. 2:17.