Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 2
Përgatitja për të drejtuar një studim
1 Të zhvillojmë një studim biblik të efektshëm përfshin më shumë sesa të diskutojmë rreth materialit ose të lexojmë shkrimet e cituara. Duhet që ta paraqesim informacionin në një mënyrë të tillë që të prekë zemrën e studentit. Kjo kërkon përgatitje të mirë duke pasur në mendje studentin.—Prov. 15:28.
2 Si të përgatitemi?: Në fillim lutju Jehovait për studentin dhe për nevojat e tij. Kërkoji Jehovait që të të ndihmojë të prekësh zemrën e studentit. (Kolos. 1:9, 10) Për ta pasur të qartë në mendje temën për të cilën do të diskutoni, qëndro një çast dhe mendo për titullin e kapitullit ose të mësimit, për nëntitujt dhe për çdo figurë ndihmëse. Pyete veten: ‘Cili është qëllimi kryesor i materialit?’ Kjo do të të ndihmojë të përqendrohesh në pikat kryesore ndërsa e drejton studimin.
3 Me kujdes bëj një përsëritje të materialit paragraf pas paragrafi. Gjej përgjigjet e pyetjeve të kapitullit duke nënvizuar vetëm fjalët dhe shprehjet kyçe. Analizo se si lidhen shkrimet e cituara me pikën kryesore të paragrafit dhe vendos se cilat shkrime do të lexosh gjatë studimit. Mund ta kesh më të lehtë nëse mban shënime të shkurtra në anë të paragrafëve. Studenti duhet ta ketë të qartë se ajo që po mëson është nga Fjala e Perëndisë.—1 Sel. 2:13.
4 Përshtate studimin sipas nevojave të studentit: Pastaj shqyrto mësimin duke pasur në mendje studentin me të cilin do të bësh studimin. Përpiqu ta marrësh me mend se çfarë pyetjesh mund të të bëjë studenti dhe çfarë mund të ketë të vështirë për ta kuptuar ose pranuar. Pyete veten: ‘Çfarë duhet të kuptojë apo të përmirësojë ai, në mënyrë që të bëjë përparim frymor? Si mund të prek zemrën e tij?’ Duke pasur këto pyetje ne mendje, përshtate studimin me nevojat e studentit. Në disa raste mund ta shohësh të nevojshme të përgatitësh një ilustrim, një shpjegim ose një sërë pyetjesh që e ndihmojnë studentin të kapë kuptimin e ndonjë pike ose të një shkrimi të caktuar. (Neh. 8:8) Por, është mirë të mos futësh informacione shtesë që nuk janë të rëndësishme për temën që trajtohet. Një përsëritje e shkurtër në fund të studimit do ta ndihmojë të mbajë mend pikat kryesore.
5 Çfarë gëzimi është kur shohim studentët e rinj që shfaqin fryt të drejtë në lavdi të Jehovait! (Filip. 1:11) Për ta arritur këtë gjë, përgatitu mirë sa herë ke për të drejtuar një studim biblik.