Shkolla e Stërvitjes për Shërbim—Një derë e gjerë që çon në aktivitet
1 Me anë të profetit Jeremia, Jehovai paratha: «Do të caktoj mbi [popullit tim] barinj që do t’i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre.» (Jer. 23:4) Një vepër e tillë baritore po kryhet sot me popujt e të gjitha kombeve. Kjo vepër po kryhet nga dhjetëra mijë pleq nëpër kongregacione. Përveç tyre, edhe një numër të rinjsh, të shumtë si pikat e vesës, janë ofruar vullnetarisht në shërbim të Jehovait. (Psal. 110:3) Çfarë bekimi janë këta vëllezër të përulur për kongregacionet e popullit të Perëndisë! Ndërsa vepra e grumbullimit vazhdon, ka ende nevojë për burra të kualifikuar që të vënë veten në dispozicion për t’u shërbyer vëllezërve.
2 Një masë e shkëlqyer për të stërvitur pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës beqarë për përgjegjësi edhe më të mëdha, është Shkolla e Stërvitjes për Shërbim. Më shumë se 22.000 studentë nga rreth 140 vende i janë nënshtruar kësaj stërvitjeje në 999 klasat që janë formuar që kur filloi kjo shkollë në vitin 1987. Për këta vëllezër, kjo shkollë ka qenë «një derë e gjerë që çon në aktivitet».—1 Kor. 16:9.
3 Qëllimi i kësaj shkolle: Qëllimi i Shkollës së Stërvitjes për Shërbim është të stërvitë dhe të përgatitë vëllezër të kualifikuar për të marrë përgjegjësi atje ku organizata ka nevojë. Shkolla rrit aftësitë e tyre për të marrë drejtimin në veprën e ungjillëzimit, për të bërë pjesën e tyre në kullotjen e kopesë dhe për të mësuar të tjerët në kongregacion. Pasi diplomohen, disa studentë emërohen si pionierë specialë ose mbikëqyrës udhëtues në vendin e tyre ose në vende të tjera. Të tjerët caktohen për të shërbyer në kongregacionin nga i cili vijnë ose brenda territorit të degës ku ka më shumë nevojë.
4 Gjatë kursit tetëjavor studentët bëjnë një studim intensiv të Biblës. Ata shqyrtojnë me kujdes shumë nga mësimet e Biblës, si edhe përgjegjësitë baritore dhe udhëzimet se si të trajtojnë problemet që mund të hasë një i krishterë në jetë. Ata gjithashtu marrin njohuri në lidhje me çfarë na mësojnë Shkrimet për çështjet administrative, gjyqësore dhe organizative. Marrin stërvitje të veçantë në oratori publike dhe u jepet ndihmë individuale për të përshpejtuar rritjen e tyre frymore.
5 Kush mund ta bëjë kërkesën?: Kuptohet që për të ndjekur këtë shkollë duhet të plotësosh disa kushte. Ata që bëjnë kërkesën duhet të kenë shërbyer si pleq ose si shërbëtorë ndihmës për të paktën dy vjet radhazi. Të gjithë duhet të jenë beqarë dhe në moshën 23 deri 50 vjeç. Duhet të jenë në gjendje të lexojnë, të shkruajnë e të flasin rrjedhshëm gjuhën në të cilën mbahet shkolla dhe duhet të jenë me shëndet të mirë, që të mos kenë nevojë për përkujdesje apo regjim të veçantë. Përparësi u jepet atyre që shërbejnë si pionierë të rregullt.
6 Ata që bëjnë kërkesën duhet të jenë të gatshëm dhe në gjendje për të shërbyer ku të jetë e nevojshme. Kjo kërkon një frymë si të profetit Isaia, i cili me dëshirë të zjarrtë u tregua i gatshëm për një caktim të veçantë duke thënë: «Ja ku jam, dërgomë mua!» (Isa. 6:8) Gjithashtu ai shfaqi përulësi gjatë gjithë jetës së tij. Dëshira për të ndjekur Shkollën e Stërvitjes për Shërbim duhet të vijë nga dashuria për vëllezërit dhe nga dëshira për t’u shërbyer atyre, dhe jo nga dëshira për të spikatur apo për t’u dukur. Pasi kanë marrë një stërvitje të shkëlqyer, pritet që të diplomuarit t’i zbatojnë në dobi të të tjerëve ato që kanë mësuar.—Luka 12:48.
7 Dobitë: Gjatë tetë javëve të kësaj stërvitjeje intensive, të diplomuarit ‘mbruhen me fjalët e besimit dhe të mësimit të shkëlqyer’. (1 Tim. 4:6) Kjo i bën të aftë që t’i ndihmojnë dhe t’i inkurajojnë të tjerët në kongregacionin dhe në qarkun ku janë caktuar. Në shumë vende ku janë caktuar të diplomuarit e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim, shërbimi është rritur dhe i është dhënë një nxitje shërbimit të pionierit, sidomos mes të rinjve. Përveç kësaj, u është kushtuar më tepër vëmendje personale personave të shumtë që sapo kanë filluar të shoqërohen me popullin e Perëndisë.
8 A je një plak apo shërbëtor ndihmës beqar në moshën 23 deri 50 vjeç? Pse të mos synosh për të bërë kërkesën për Shkollën e Stërvitjes për Shërbim? A je një vëlla i ri në moshë që po shqyrton synimet e tua të ardhshme në shërbim të Jehovait? Pse të mos bësh një jetë të thjeshtë dhe pa shpërqendrime që të hysh edhe ti në këtë ‘derë të gjerë që të çon në aktivitet’? Kjo mund të jetë për ty burim gëzimi dhe kënaqësie. Në të vërtetë, Shkolla e Stërvitjes për Shërbim është një bekim jo vetëm për të diplomuarit e shkollës, por edhe për kongregacionet e popullit të Perëndisë në të gjithë botën.
[Kutia në faqen 3]
Çfarë dobish kanë nxjerrë nga kjo stërvitje?
«Kjo shkollë më ka ndihmuar vërtet të përmirësohem në shërbim dhe të aftësohem më shumë për të kullotur kopenë me mençuri duke përdorur Shkrimet.»
«Shkolla më ndihmoi të kisha më tepër siguri te vetvetja për të përmbushur përgjegjësi të ndryshme në kongregacion.»
«Ka ndryshuar pothuajse çdo aspekt të jetës sime, përfshirë edhe mënyrën se si e shoh teokracinë dhe organizatën e Perëndisë.»
«Stërvitja që mora më ndihmoi të kuptoja nevojën për të qenë i gatshëm të shërbej atje ku ka nevojë.»