Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 5
Të përcaktojmë se sa material do të trajtojmë
1 Kur mësonte dishepujt, Jezui merrte parasysh kufizimet e tyre dhe u fliste «aq sa ishin në gjendje të dëgjonin». (Mar. 4:33; Gjoni 16:12) Në mënyrë të ngjashme, edhe sot, mësuesit e Fjalës së Perëndisë duhet të përcaktojnë se sa material do të trajtojnë gjatë një studimi biblik. Sasia e materialit që mund të trajtohet është në varësi të aftësive dhe rrethanave si të mësuesit, ashtu edhe të studentit.
2 T’i ndihmojmë të krijojnë një besim të fortë: Disa studentë biblikë mund të kenë nevojë për dy ose tri seanca studimi për të kuptuar diçka që të tjerët mund ta kapin në një herë të vetme. Më i rëndësishëm se shpejtësia me të cilën trajtojmë një sasi të konsiderueshme materiali, është fakti që studenti duhet të kuptojë qartë atë që po studiohet. Çdo student ka nevojë për një themel të fortë ku të mbështetë besimin që po krijon në Fjalën e Perëndisë.—Prov. 4:7; Rom. 12:2.
3 Ndërsa drejton studimin çdo javë, kalo me studentin aq kohë sa i nevojitet për të kuptuar dhe pastaj për të pranuar atë që po mëson nga Fjala e Perëndisë. Mos nxito që ta bësh shpejt e shpejt studimin, pasi kështu studenti nuk do të nxjerrë plotësisht dobi nga vlera e të vërtetave që po mëson. Lëri kohë të mjaftueshme për t’u përqendruar në pikat kryesore dhe për të shqyrtuar shkrimet kyçe, që janë baza e mësimeve.—2 Tim. 3:16, 17.
4 Të mos dalim nga tema: Vërtet që nuk duhet të nxitojmë gjatë studimit, por nga ana tjetër duam edhe të bëjmë kujdes që të mos shpërqendrohemi dhe të dalim nga tema. Nëse studenti ka prirjen të flasë gjatë për çështje personale, ta lëmë me të që të flasim për këto çështje pas studimit.—Ekl. 3:1.
5 Nga ana tjetër, entuziazmi për të vërtetën mund të na shtyjë që të flasim tepër, gjatë studimit. (Psal. 145:6, 7) Është e vërtetë që, me raste, studenti mund të nxjerrë dobi nga një pikë shtesë ose nga një përvojë që mund t’i tregojmë, por këto nuk duhet të jenë aq të shumta dhe të gjata, sa ta pengojnë atë që të marrë njohurinë e saktë për mësimet themelore të Biblës.
6 Nëse trajtojmë një sasi të arsyeshme materiali çdo herë që bëjmë studimin, e ndihmojmë studentin ‘të ecë në dritën e Zotit’.—Isa. 2:5.