Të ngulmojmë në predikim
1 Jetojmë në kohë kritike. Luftëra civile dhe etnike, katastrofa natyrore dhe ngjarje të tilla të tmerrshme, sot janë bërë më se të zakonshme. Më shumë se kurrë, tani familja njerëzore ka nevojë për një lajm të mirë. Mirëpo apatia kundrejt gjërave frymore është mjaft e përhapur. Në disa vende mund të jetë e vështirë t’i gjesh njerëzit në shtëpi, dhe madje edhe më e vështirë të gjesh njerëz që na dëgjojnë ose që duan të studiojnë Biblën. Pavarësisht nga kjo, është e rëndësishme që të ngulmojmë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së vendosur të Perëndisë.—Mat. 24:14.
2 Dashuria për njerëzit: Predikimi ynë nxjerr në pah dashurinë e Jehovait për njerëzit. «[Ai] nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.» (2 Pjet. 3:9; Ezek. 33:11) Prandaj, ashtu siç tha Jezui, ai ka dekretuar se «më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet». (Mar. 13:10) Perëndia u bën thirrje njerëzve që të kthehen tek ai dhe të shpëtojnë nga gjykimi që do t’i bëhet së shpejti sistemit së Satanait. (Joe. 2:28, 29, 32; Sof. 2:2, 3) A nuk i jemi mirënjohës Jehovait që na e ka dhënë këtë mundësi?—1 Tim. 1:12, 13.
3 Raporti botëror tregon se gjatë vitit të shërbimit 2004, çdo muaj, janë drejtuar mesatarisht 6.085.387 studime biblike dhe, çdo javë, janë pagëzuar afërsisht 5.000 dishepuj të rinj. Disa prej këtyre që u pagëzuan, u gjetën falë bekimit të Jehovait ndaj përpjekjeve ngulmuese të lajmëtarëve, të cilët janë munduar të flasin me të gjithë në territorin e tyre. Ç’gëzim që ka sjellë kjo në kongregacione dhe ç’privilegj është të jesh bashkëpunëtor i Perëndisë në këtë vepër jetëshpëtuese!—1 Kor. 3:5, 6, 9.
4 Të lëvdojmë emrin e Perëndisë: Ne ngulmojmë në predikim me qëllim që të lëvdojmë publikisht emrin e Jehovait dhe të shenjtërojmë emrin e tij para gjithë njerëzimit. (Hebr. 13:15) Satanai e ka mashtruar «gjithë tokën e banuar» dhe e ka bërë të besojë që Perëndia është i pafuqishëm e nuk i zgjidh dot problemet e njerëzimit, që është indiferent ndaj vuajtjeve të njerëzve ose madje që Ai nuk ekziston fare. (Zbul. 12:9) Me anë të predikimit, ne mbrojmë të vërtetën për Atin tonë të mrekullueshëm qiellor. Le të mos reshtim kurrë së lëvduari emrin e tij, tani e përgjithmonë!—Psal. 145:1, 2.