Programi familjar: Mbledhjet e kongregacionit
1 Nëse je një prind i krishterë, ti dëshiron që fëmijët e tu të rriten me dashurinë për Jehovain, t’i shërbejnë atij dhe, në fund, të fitojnë jetën e përhershme në botën e re që ka premtuar ai. Si mund t’i ndihmosh që ta vendosin adhurimin e Jehovait në vend të parë në jetën e tyre? Një mënyrë e mirë është me anë të shembullit tënd. (Prov. 20:7) Ndërsa sjell ndër mend shembullin e nënës së saj Dëshmitare, një motër tha: «Nuk diskutohej asnjëherë nëse do të shkonim apo jo në mbledhje.» Ky zakon i mirë u ngulit tek ajo për gjithë jetën.
2 A e kupton familja jote qëllimin pse mbahen mbledhjet e kongregacionit? Udhëzimet që marrim në këto mbledhje na japin forcë që të vazhdojmë të bëjmë vullnetin e Perëndisë, dhe shoqëria që gëzojmë me vëllezërit e motrat është një burim i çmuar inkurajimi. (Isa. 54:13; Rom. 1:11, 12) Megjithatë, qëllimi kryesor i këtyre mbledhjeve është që t’i thurim lavde Jehovait «mes turmave të mbledhura». (Psal. 26:12, BR) Mbledhjet e krishtere na japin mundësinë të shfaqim dashurinë tonë për Jehovain dhe ta adhurojmë atë.
3 ‘Vazhdoni të shikoni me kujdes’: Duke e kuptuar qartë qëllimin e shenjtë të mbledhjeve, nxitemi ‘të vazhdojmë të shikojmë me kujdes’ se mos, dalëngadalë, e bëjmë zakon humbjen e mbledhjeve për arsye jo të rëndësishme. (Efes. 5:15, 16; Hebr. 10:24, 25) Kur bëni programin familjar, mund të filloni duke shënuar oraret e mbledhjeve të kongregacionit. Pastaj, bëni kujdes që aktivitetet e tjera të mos bëhen pengesë për to. Sigurohuni që mbledhjeve u jepet përparësi në familjen tuaj.
4 A nuk inkurajohemi kur lexojmë për vëllezër që kanë kapërcyer pengesa të ndryshme për të ndjekur mbledhjet, asambletë dhe kongreset? Megjithëse rrethanat tuaja mund të mos jenë aq dramatike, ka të ngjarë që edhe ju të hasni sfida. Satanai po ia vështirëson gjithnjë e më shumë popullit të Jehovait që të adhurojë Atë. Por, të jeni të sigurt se fëmijët do ta shohin vendosmërinë dhe përpjekjet e familjes për të ndjekur mbledhjet e kongregacionit. Në të vërtetë, duke vepruar kështu, mund t’u jepni atyre një dhuratë frymore që nuk do ta harrojnë kurrë.