Programi familjar: Studimi familjar
1 Dhurata më e madhe që ju si prindër të krishterë mund t’u bëni fëmijëve, është që t’u ngulitni dashurinë tuaj për Jehovain. Një rast mjaft i rëndësishëm kur mund të bëhet kjo, është ‘kur rrini ulur në shtëpinë tuaj’ gjatë studimit familjar javor të Biblës. (Ligj. 6:5-7) Qoftë kur bashkëshorti juaj është besimtar, qoftë kur jetoni në një familje të ndarë nga ana fetare apo jeni prind i vetëm, mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të afrohen më shumë me ju dhe me Jehovain, duke studiuar rregullisht si familje.
2 Si të filloni një studim familjar: Hapi i parë është që ta bëni zakon të studioni si familje. Nëse nuk jeni të sigurt se kur mund ta bëni studimin, përse të mos bisedoni për këtë familjarisht? (Prov. 15:22) Nëse keni fëmijë të vegjël, ndoshta do të jetë më mirë po ta zhvilloni studimin në disa seanca të shkurtra gjatë javës. Përcaktoni se cili program do të ishte më i përshtatshëm për familjen tuaj. Në programin familjar caktoni një orar për studimin dhe ndiqeni me vendosmëri.
3 Çfarë mund të studioni? Disa familje përgatitin mësimin që do të shqyrtohet atë javë në Studimin e Librit të Kongregacionit ose në Studimin e Kullës së Rojës. Të tjerëve u pëlqen të trajtojnë materialet që janë enkas për të rinjtë. Një baba që ka dy fëmijë të vegjël, djalë e vajzë, tha: «Diçka që e bën studimin një pikë kryesore të javës për fëmijët, është se interpretojmë skena nga Libri im i tregimeve biblike. Përshtypjet dhe kuptueshmëria e thellë që vijnë si rezultat i kësaj, janë shumë më të rëndësishme sesa numri i paragrafëve që trajtojmë.»
4 Bëjeni studimin çdo javë: Studimi familjar duhet zhvilluar rregullisht, dhe të gjithë pjesëtarët e familjes duhet ta presin me gëzim këtë rast. Duhet të tregohemi elastikë për të ndryshuar ditën ose orën e studimit, në rastet kur na del diçka e papritur. Ose mund të ketë raste kur është e nevojshme të ndryshojmë materialin që kemi programuar për të trajtuar. E rëndësishme është që këto përshtatje të mos e prishin për shumë kohë zakonin e mbajtjes së studimit familjar si e kemi programuar. Një vajzë thotë për familjen e saj: «Nëse duhet ndryshuar orari dhe dita e studimit, babi e vë orarin e ri në derën e frigoriferit, kështu që të gjithë ne e dimë se kur do të bëhet ai.» Përpjekjet për të mbajtur një studim të rregullt familjar, janë vërtet për t’u lavdëruar. Ndërsa vazhdoni t’i rritni fëmijët tuaj «në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait», po tregoni dashuri si për ta, ashtu edhe për Atin tonë qiellor.—Efes. 6:4.