Të nxitim interesin me anë të itinerarit të revistave
1. Si mund të nxitim interesin duke përdorur itineraret e revistave?
1 Shumë njerëz që takojmë në shërbim i mirëpresin vizitat tona dhe e pranojnë me kënaqësi literaturën tonë, por ngurrojnë të fillojnë një studim të rregullt biblik. Një mënyrë për të nxitur interesin e tyre është me anë të një itinerari revistash. Kur lini revista, shënoni emrin e personit, adresën, datën kur keni shkuar, numrin e revistës që ka pranuar, shkrimet që keni shqyrtuar dhe ndonjë gjë që ke vërejtur se mund të jetë me interes për të. Kur vijnë numrat e rinj të revistave, kërkoni diçka që mund të jetë me interes për personin dhe flitni për këtë kur ta rivizitoni. (1 Kor. 9:19-23) Me kalimin e kohës, diçka që lexon në revistat tona mund të zgjojë interesin dhe dëshirën e tij për të mësuar më tepër.
2. Pse është urgjente që njerëzit ta kërkojnë tani Jehovain dhe çfarë mund të bëjmë tjetër për t’i ndihmuar?
2 Megjithatë, ne e dimë që shumica e njerëzve nuk do të bëhen shërbëtorë të Jehovait vetëm falë leximit të revistave. Çfarë mund të bëjmë më tepër për t’i ndihmuar njerëzit, duke qenë se është urgjente që ata ta kërkojnë tani Jehovain? (Sof. 2:2, 3; Zbul. 14:6, 7) Sa herë që u çojmë revistat, mund t’ua nxitim interesin duke u lexuar një shkrim të zgjedhur me kujdes.
3. (a) Si mund të përgatitim një sërë bisedash të bazuara në një shkrim? (b) Çfarë temash janë me interes për njerëzit në territorin tuaj?
3 Biseda të bazuara në një shkrim: Mendoni për ata që u çoni revistat rregullisht dhe përgatitni disa biseda të bazuara në një shkrim, sipas nevojave të veçanta të secilit prej tyre. (Filip. 2:4) Për shembull, në qoftë se, kohët e fundit, dikujt i ka vdekur një njeri i afërt, në disa rivizita mund të shpjegoni atë çfarë thotë Bibla për gjendjen e të vdekurve dhe për shpresën e ringjalljes. Për të përgatitur këto biseda të bazuara në një shkrim, mund të përdoret materiali në Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Krishtere Greke. Shikoni Tema për biseda biblike, në faqen 434, ku do të gjeni temat «Vdekja», në faqen 447 ose «Ringjallja», në faqen 443. Gjithashtu, nëse kuptoni një gjuhë të huaj, mund të shikoni materialin në librin Të arsyetojmë (anglisht), në temat «Vdekja» dhe «Ringjallja». Mund të lindin natyrshëm edhe biseda të tjera që lidhen me këto dy tema, për shembull, si do të shfarosen një herë e mirë sëmundjet, plakja dhe vdekja. Qëllimi është që të gjejmë një temë që i intereson atij personi dhe gradualisht t’i tregojmë se çfarë thotë Bibla në lidhje me atë temë.
4. Pse është e rëndësishme t’i ndihmojmë të tjerët t’i kuptojnë Shkrimet që përdorim dhe si mund ta bëjmë këtë?
4 T’i ndihmojmë që të kuptojnë: Megjithëse në përgjithësi është mirë që këto biseda të jenë të thjeshta dhe të shkurtra, nevojitet më shumë sesa thjesht leximi i shkrimit që keni zgjedhur. Satanai ua ka verbuar mendjen njerëzve që të mos e pranojnë lajmin e mirë. (2 Kor. 4:3, 4) Edhe ata që kanë njëfarë njohurie nga Bibla, kanë nevojë për ndihmë që ta kuptojnë atë. (Vep. 8:30, 31) Prandaj, shpjegojeni dhe ilustrojeni shkrimin, ashtu siç do të bënit edhe gjatë një fjalimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik. (Vep. 17:3) Sigurohuni që ai ta kuptojë sa vlerë praktike ka në jetën e tij Fjala e Perëndisë.
5. Si mund të kthehet një itinerar revistash në studim biblik?
5 Nëse atij personi i pëlqen ajo që po mëson, gradualisht, filloni të trajtoni në çdo vizitë dy ose tri shkrime nga Bibla. Gjeni rastin për t’i prezantuar broshurën Çfarë kërkon? dhe librin Njohuria. Në këtë mënyrë, një itinerar revistash mund të kthehet në një studim biblik.