Borxhi që u kemi të tjerëve
1 Apostulli Pavël e ndiente për detyrë që t’u predikonte njerëzve. Ai e dinte se Jehovai u kishte dhënë mundësinë njerëzve të çdo lloji të shpëtonin me anë të gjakut të çmuar të Birit të Tij. (1 Tim. 2:3-6) Prandaj, Pavli tha: «U jam borxhli si grekëve dhe barbarëve, si të mençurve dhe të pamendëve.» Ai punoi me zell dhe pa u lodhur për të shlyer këtë borxh që i detyrohej njerëzve të tjerë, duke u dhënë atyre lajmin e mirë.—Rom. 1:14, 15.
2 Ashtu si Pavli, edhe të krishterët sot përpiqen që të shfrytëzojnë çdo rast për t’ua dhënë lajmin e mirë fqinjëve të tyre. Duke pasur parasysh ‘shtrëngimin e madh’ që po afron me të shpejtë, sot është urgjente të kërkojmë ata me zemër të ndershme. Le të na nxitë dashuria jonë e sinqertë për njerëzit që të jemi të zellshëm në këtë vepër jetëshpëtuese!—Mat. 24:21; Ezek. 33:8.
3 Të shlyejmë borxhin tonë: Mënyra kryesore për të folur me njerëzit është duke predikuar nga shtëpia në shtëpi. Në territoret, ku në disa shtëpi nuk na përgjigjet njeri, duhet të mbajmë shënime të sakta dhe të kthehemi në një orar tjetër, pasi kështu do të kemi mundësi të takojmë më shumë njerëz. (1 Kor. 10:33) Gjithashtu, mund të flasim me më shumë njerëz nëse japim dëshmi në territoret tregtare, në rrugë, në parqe, në vende parkimi dhe nëpërmjet telefonit. Të pyesim veten: ‘A po bëj çmos që të përdor çdo formë predikimi për të përhapur këtë mesazh jete?’—Mat. 10:11.
4 Një pioniere ndiente një përgjegjësi mjaft të madhe, prandaj donte të fliste me të gjithë njerëzit në territorin e saj. Në një shtëpi, grilat ishin gjithmonë të mbyllura dhe asnjëherë nuk kishte njeri. Por një ditë kur nuk ishte në shërbim, ajo vuri re një makinë para asaj shtëpie. Për të mos humbur rastin, i ra ziles. Në derë doli një burrë, dhe pas bisedës së parë, ajo dhe i shoqi u kthyen disa herë për ta rivizituar. Në fund, i zoti i shtëpisë pranoi një studim biblik dhe tani është një vëlla i pagëzuar. Ai është vërtet mirënjohës që ajo motër ndjeu këtë përgjegjësi për t’u predikuar të tjerëve.
5 Ndërsa fundi po afrohet me të shpejtë, tani është koha që të shlyejmë borxhin që u kemi të tjerëve, duke qenë sa më aktivë në veprën e predikimit.—2 Kor. 6:1, 2.