T’ua japim lajmin e mirë sa më shumë njerëzve
1. Çfarë bënë të krishterët e hershëm për t’ua dhënë lajmin e mirë sa më shumë njerëzve?
1 Ithtarët e hershëm të Jezuit u përpoqën me zell të përhapnin mesazhin e Mbretërisë. Ata përdorën mënyra të efektshme që t’ua jepnin lajmin e mirë sa më shumë njerëzve. Shkrimtarët e krishterë të Biblës i hodhën në letër shkrimet e frymëzuara në greqishten e thjeshtë, e cila ishte gjuha ndërkombëtare e Perandorisë Romake. Përveç kësaj, predikuesit e zellshëm në shekullin e dytë dhe të tretë të erës sonë, mund të kenë qenë ndër të parët në përdorimin e kodikut, i cili mund të përdorej më lehtë sesa rrotullat, për të gjetur shkrimet.
2, 3. (a) Si po përmbushet në ditët e sotme Isaia 60:16? (b) Si po përdoret teknologjia për të çuar përpara adhurimin e pastër?
2 Përdorimi i teknologjisë: Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai paratha: «Ti do të thithësh qumështin e kombeve.» (Isa. 60:16) Në përmbushjen e sotme të kësaj profecie, shërbëtorët e Jehovait po përdorin gjërat e çmuara të kombeve për të çuar përpara veprën e predikimit. Për shembull, në vitin 1914, disa vjet para se filmi me zë të kishte sukses në treg, Studentët e Biblës filluan të shfaqnin «Foto-Dramën e Krijimit». Ky realizim me filmime dhe diapozitiva, që zgjaste tetë orë e që ishte me ngjyra dhe me zë, u përdor për t’u dhënë një dëshmi të fuqishme miliona njerëzve.
3 Sot, populli i Perëndisë përdor makineritë e shtypjes me shpejtësi të madhe dhe mjete të kompjuterizuara për të botuar Bibla dhe literaturë biblike në qindra gjuhë. Mjetet e shpejta të transportit e çojnë literaturën biblike në pjesët e largëta të tokës, gjithsej në 235 vende. Me anë të frymës së tij, Jehovai i ka nxitur shërbëtorët e tij që ta përdorin me efektshmëri këtë teknologji, duke ua dhënë kështu të vërtetën biblike më shumë njerëzve se kurrë më parë në historinë njerëzore.
4. Çfarë ndryshimesh kanë bërë disa në jetën e tyre, në mënyrë që t’ua japin lajmin e mirë sa më shumë njerëzve?
4 Bëjnë ndryshime në jetë: Adhuruesit e vërtetë kanë bërë edhe ndryshime në jetën e tyre, në mënyrë që t’ua çojnë lajmin e mirë sa më shumë njerëzve. Mjaft njerëz e kanë thjeshtuar jetën e tyre me qëllim që të marrin pjesë plotësisht në veprën e predikimit. Disa kanë shkuar në ato vende ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Të tjerë kanë zgjeruar shërbimin, duke mësuar një gjuhë të huaj.
5, 6. Çfarë mund të bëni për të folur me sa më shumë njerëz në territorin tuaj?
5 Gjithashtu, mund t’ua japim lajmin e mirë më shumë njerëzve duke predikuar atëherë kur ata janë në shtëpi dhe atje ku mund të gjenden. Nëse njerëzit në territor zakonisht nuk janë në shtëpi gjatë ditës, a mund të rregulloni programin tuaj që të shkoni tek ata në orët e para të mbrëmjes? A ka vende publike ku mund të jepni dëshmi? A keni provuar të jepni dëshmi me telefon ose në territoret tregtare? A krijoni mundësinë për të dhënë dëshmi joformale?
6 Sa të privilegjuar jemi që marrim pjesë në këtë shpallje madhështore që po i bëhet emrit të Jehovait dhe Mbretërisë së tij! Le të vazhdojmë t’ua japim sa më shumë njerëzve të vërtetën jetëshpëtuese të Fjalës së Perëndisë!—Mat. 28:19, 20.