Të gjithë mund të ndihmojnë që dikush të bëhet dishepull
1 Një dishepull nuk bëhet me përpjekjet e një personi të vetëm. Jehovai mund të përdorë të gjithë ‘bashkëpunëtorët’ e tij për të ndihmuar studentët e Biblës që të rriten frymësisht. (1 Kor. 3:6-9) Secili prej nesh i ndihmon të rinjtë në të vërtetën jo vetëm me anë të komenteve nga zemra në mbledhjet e krishtere, por edhe me anë të sjelljes së mirë, e cila është dëshmi e qartë se në jetën tonë vepron fryma e Perëndisë. (Gjoni 13:35; Gal. 5:22, 23; Efes. 4:22, 23) Çfarë mund të bëjmë më shumë për t’i ndihmuar të rinjtë në të vërtetën?
2 Si kongregacion: Të gjithë mund të shfaqim interes për ata që fillojnë të ndjekin mbledhjet duke marrë iniciativën për t’i përshëndetur me ngrohtësi dhe për të biseduar me ta para dhe pas mbledhjes. Duke sjellë ndër mend takimin e tij të parë me kongregacionin, një burrë tha: «Në një ditë takova më shumë njerëz vërtet të dashur, megjithëse nuk i njihja, sesa kisha takuar gjatë gjithë kohës në kishën ku shkoja që fëmijë. Ishte më se e qartë që kisha gjetur të vërtetën.» Ai u pagëzua shtatë muaj pas mbledhjes së tij të parë.
3 Ta lavdërojmë sinqerisht një student biblik ndërsa përparon nga ana frymore. A po u bën ballë kundërshtimeve? A po i ndjek rregullisht mbledhjet? A mori guxim për të komentuar? A është regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik ose a ka filluar të dalë në shërbim? Ta përgëzojmë për përparimin që ka bërë. Kjo do ta ripërtërijë dhe do ta forcojë.—Prov. 25:11.
4 Si drejtues i studimit biblik: Disa lajmëtarë kanë pasur mundësi t’i ndihmojnë studentët e tyre biblikë të njihen me pjesëtarët e kongregacionit duke u kërkuar lajmëtarëve të tjerë t’i shoqërojnë gjatë studimit. Ftojeni sa më shpejt studentin të vijë në mbledhjet e kongregacionit. Kur ai fillon të ndjekë mbledhjet, vini si synim që ta prezantoni me të tjerët. A po lufton me ndonjë ves të keq, si për shembull, me duhanin? A ka ndonjë në familje që e pengon për studimin? Ai mund të përfitojë duke folur me një lajmëtar që ka hasur dhe përballuar sfida të ngjashme.—1 Pjet. 5:9.
5 Të rinjtë në të vërtetën kanë nevojë për mbështetje frymore nga kongregacioni. Të gjithë mund t’i ndihmojmë të bëjnë përparim duke shfaqur interes të sinqertë për ta.