U flasim njerëzve për shpresën e Mbretërisë
1 Në këto ditë të fundit kritike, shumë njerëz në botë nuk kanë asnjë shpresë. (Efes. 2:12) Disa të tjerë nuk janë treguar të mençur dhe i kanë varur shpresat te pasuria, te qeveritarët, te shkenca e te gjëra të tjera. Sa të lumtur jemi që kemi një shpresë të vërtetë për të ardhmen, një shpresë që është ‘një spirancë për shpirtin, e sigurt dhe e patundur njëkohësisht’!—Hebr. 6:19.
2 Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, toka do të kthehet në një parajsë. Njerëzit e dashur që na kanë vdekur, do të ringjallen. (Vep. 24:15) Varfëria, padrejtësitë, sëmundjet, plakja dhe vdekja nuk do të ekzistojnë më. (Psal. 9:18; Mat. 12:20, 21; Zbul. 21:3, 4) Këto janë disa nga premtimet e Jehovait që do të përmbushen së shpejti. Cilin prej tyre në mënyrë të veçantë e prisni me padurim?
3 Shpallim lajmin e mirë: Nuk duhet ta mbajmë vetëm për vete shpresën për Mbretërinë. Dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin na shtyn ta imitojmë Jezuin dhe ‘t’u shpallim lajmin e mirë të varfërve, t’u predikojmë çlirimin robërve dhe kthimin e shikimit të verbërve, të çlirojmë të dërrmuarit’. (Luka 4:18) Apostulli Pavël e predikonte lajmin e mirë në treg dhe kudo ku kishte njerëz. Ai ishte tërësisht i zënë me predikimin. (Vep. 18:5) Nëse imitojmë zellin e tij në shërbim, nuk do të lejojmë që ‘ankthet e kësaj bote dhe fuqia mashtruese e pasurisë’ të na zbehin shpresën tonë të krishterë.—Mark 4:19.
4 Shpresa jonë për Mbretërinë nuk zbehet kur takojmë njerëz që janë indiferentë ndaj lajmit të mirë, që tregojnë pak interes ose që mund të kundërshtojnë. Ne «mbajmë fort mundësinë për të shpallur publikisht shpresën tonë pa u lëkundur». (Hebr. 10:23) ‘Nuk na vjen turp për lajmin e mirë.’ (Rom. 1:16) Bindja jonë e dukshme dhe ngulmimi ynë, me kalimin e kohës do t’i shtyjë disa të na dëgjojnë.
5 Megjithëse është me vend të flasim për keqësimin e kushteve, i cili tregon plotësimin e profecive biblike, ne nuk jemi predikues të ditës së gjykimit. Përkundrazi, shërbimi ynë përqendrohet te shpresa e Mbretërisë—lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Le ta predikojmë këtë lajm të mirë me bindje dhe zell ‘që ta kemi deri në fund sigurinë e plotë të shpresës’.—Hebr. 6:11.