Të ngushëllojmë ata që mbajnë zi
1. Pse kanë nevojë për ngushëllim ata që mbajnë zi?
1 Të humbasësh dikë shumë të afërt është traumë e vërtetë, sidomos për ata që nuk e kanë shpresën e Mbretërisë. (1 Sel. 4:13) Shpesh, shumë prej tyre pyesin: ‘Pse vdesin njerëzit? Ku shkojnë pas vdekjes? A do ta shoh ndonjë ditë përsëri?’ Më poshtë ka disa sugjerime se si mund t’i ngushëllojmë në shërbim ata që mbajnë zi për vdekjen e një të afërmi ose miku.—Isa. 61:2.
2. A është gjithnjë me vend ta zgjatim bisedën në rast se i zoti i shtëpisë na thotë që i ka vdekur dikush nga familja?
2 Nga shtëpia në shtëpi: I zoti i shtëpisë mund të na thotë se sapo i ka vdekur dikush nga familja. A duket shpirtërisht i trazuar? A ka njerëz që vajtojnë në shtëpi? Në këto raste do të ishte mirë të mos e zgjatnim shumë bisedën. (Ekl. 3:1, 7) Ndoshta mund t’i shprehim keqardhjen tonë, t’i japim një fletushkë, revistë ose broshurë të përshtatshme dhe të largohemi me mirësjellje. Pastaj mund të kthehemi në një kohë më të përshtatshme për t’i dhënë më shumë ngushëllim nga Bibla.
3. Nëse na e lejojnë rrethanat, çfarë shkrimesh mund t’i lexojmë të zotit të shtëpisë që mban zi?
3 Në disa raste të tjera mund të jetë e përshtatshme të themi diçka më shumë që herën e parë. Megjithëse nuk është momenti për të kundërshtuar pikëpamjet e gabuara, mund të arrijmë t’i lexojmë premtimet e Biblës në lidhje me ringjalljen. (Gjoni 5:28, 29) Ose mund t’i tregojmë se çfarë thotë Bibla për gjendjen e të vdekurve. (Ekl. 9:5, 10) Edhe një tregim biblik për ringjalljen mund të jetë ngushëllues. (Gjoni 11:39-44) Një mundësi tjetër do të ishte shqyrtimi i fjalëve shpresëdhënëse të Jobit besnik, që shpresonte te Jehovai. (Jobi 14:14, 15) Para se të largohemi mund t’i lëmë broshurën Çfarë ndodh me ne kur vdesim?, Kur të vdes një njeri i dashur . . . ose ndonjë broshurë ose fletushkë tjetër të përshtatshme. Ose mund t’i japim librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, t’ia drejtojmë vëmendjen te kapitulli 6 dhe ta lëmë për të folur më shumë për këtë temë kur të kthehemi herën tjetër.
4. Ç’raste të tjera mund të kemi për të dhënë ngushëllim?
4 Në raste të tjera: Nëse në Sallën e Mbretërisë mbahet një fjalim funerali ose një fjalim përkujtimor, a do të ketë edhe nga ata që nuk janë Dëshmitarë? Këtyre mund t’u jepet literaturë që u jep ngushëllim. Disa kompani funeralesh e kanë vlerësuar literaturën tonë për familjet në zi. Ndonjëherë, mund të marrim shkas nga njoftimet e vdekjeve në gazeta për t’u shkruar një letër të shkurtër ngushëlluese pjesëtarëve të familjes në zi. Në një rast, pasi mori një letër ku ishin futur disa fletushka, një i ve shkoi bashkë me vajzën te shtëpia e lajmëtares dhe e pyeti: «Ju ma dërguat këtë letër? Dua të di më shumë për Biblën.» Ai dhe vajza pranuan një studim biblik dhe filluan të shkonin në mbledhje.
5. Pse duhet të jemi syçelë ndaj rasteve për të ngushëlluar ata që kanë humbur një njeri të dashur?
5 Tek Eklisiastiu 7:2 thuhet: «Është më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi, se në një shtëpi ku ka gosti.» Ai që është në zi zakonisht është më i gatshëm për të dëgjuar për Fjalën e Perëndisë sesa ai që ka gosti. Të gjithë duhet të jemi syçelë ndaj rasteve të volitshme për të ngushëlluar të pikëlluarit nga humbja e një njeriu të dashur.