«Merrni mbi vete zgjedhën time»
1 Në këtë botë plot presione dhe ankthe, kemi provuar lehtësim të vërtetë duke pranuar ftesën e ngrohtë të Jezuit për të gjetur freskim nën zgjedhën e tij. (Mat. 11:29, 30) Të pranosh zgjedhën e Jezuit si dishepuj të tij do të thotë edhe të përfshihesh në një vepër që është jo vetëm sfiduese, por edhe freskuese. Ajo përfshin predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë dhe ndihmën që u jepet njerëzve për të gjetur lehtësim bashkë me ne nën zgjedhën e këndshme të Jezuit.—Mat. 24:14; 28:19, 20.
2 Të freskuar nga shërbimi: Jezui nuk u tha dishepujve të tij që të merrnin edhe zgjedhën e tij plus asaj që tashmë kishin. Ai i ftoi ta linin zgjedhën e tyre të rëndë dhe të merrnin të lehtën që po u jepte ai. Nuk na rëndojnë më ankthet e gjendja e pashpresë e këtij sistemi dhe nuk robtohemi pas pasurisë së pasigurt. (Luka 21:34; 1 Tim. 6:17) Edhe pse jemi të ngarkuar dhe na duhet të punojmë për të siguruar gjërat e nevojshme, qendra e jetës sonë është adhurimi i Perëndisë. (Mat. 6:33) Nëse i mbajmë gjërat më të rëndësishme në vendin e duhur, shërbimi do të jetë gjithmonë një freskim për ne, dhe jo një barrë.—Filip. 1:10.
3 Sigurisht që të gjithëve na pëlqen të flasim për diçka që e kemi për zemër. (Luka 6:45) Të gjithë të krishterët e kanë për zemër Jehovain dhe bekimet e Mbretërisë që Ai na ka premtuar. Prandaj, sa freskuese është të flasim për «lajmin e mirë për gjëra të mira» dhe t’i lëmë mënjanë shqetësimet e përditshme kur jemi në shërbim. (Rom. 10:15) Sigurisht, sa më shumë praktikohemi në diçka, aq më të zotë bëhemi dhe aq më shumë gjejmë kënaqësi në të. Prandaj, duke i kushtuar më tepër kohë shërbimit, nëse kemi mundësi, do të gjejmë më shumë freskim. Dhe, sa shumë inkurajohemi kur njerëzit reagojnë mirë ndaj predikimit! (Vep. 15:3) Edhe kur njerëzit janë indiferentë ose na kundërshtojnë, shërbimi do të na freskojë nga ana frymore, nëse mbajmë në mendje se përpjekjet tona e kënaqin Jehovain dhe se çdo rezultat i mirë do të vijë në sajë të bekimit të tij.—Vep. 5:41; 1 Kor. 3:9.
4 Duke pranuar ftesën e Jezuit, kemi privilegjin të shërbejmë përkrah tij si Dëshmitarë të Jehovait. (Isa. 43:10; Zbul. 1:5) Asgjë s’mund të jetë më freskuese se kjo.