Po përmbysim gjëra të fortifikuara mirë
1 Për shekuj me radhë, Satanai u ka mjegulluar zemrën dhe mendjen shumë njerëzve me anë të mashtrimit dhe mësimeve të rreme. Ka propaganduar doktrina të tilla si Triniteti, pavdekshmëria e shpirtit dhe ferri i zjarrtë. Ai hedh dyshime mbi ekzistencën e një Krijuesi dhe mbi faktin se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Racizmi dhe nacionalizmi janë pengesa të tjera të stërmëdha për dritën e së vërtetës. (2 Kor. 4:4) Si mund t’i përmbysim këto bindje të fortifikuara mirë?—2 Kor. 10:4, 5.
2 Përfshihen emocionet: Në bindjet fetare që dikush ushqen prej kohësh, shpesh përfshihen emocionet më të thella. Disa kanë pasur bindje të gabuara që në fëmijëri. Që t’i ndihmojmë, është e nevojshme t’u drejtohemi me respekt për pikëpamjen e tyre.—1 Pjet. 3:15.
3 U japim dinjitet nëse i lejojmë të shpjegojnë çfarë besojnë dhe pse. (Jak. 1:19) Ndoshta besojnë se shpirti është i pavdekshëm ngaqë kanë humbur një njeri të shtrenjtë dhe dëshirojnë me zjarr ta takojnë përsëri. Ose mund të festojnë disa ditë të caktuara ngaqë duan të rrinë me familjen. Nëse ua vëmë veshin kur shprehen, kjo do të na ndihmojë të kuptojmë ndjenjat e tyre dhe t’u japim një përgjigje të vlefshme.—Prov. 16:23.
4 Të imitojmë Jezuin: Jezui siguroi një shembull të shkëlqyer për ne kur iu përgjigj pyetjeve të dikujt që e njihte mirë Ligjin. Nuk dha përgjigje të drejtpërdrejta, pasi ai njeri mund t’i kishte hedhur poshtë për shkak të bindjeve që kishte për zemër. Përkundrazi, Jezui iu referua Shkrimeve, e ftoi të shprehte pikëpamjen e tij dhe e ndihmoi të arsyetonte me anë të ilustrimeve.—Luka 10:25-37.
5 Bindjet fetare të gabuara, edhe pse të ngulitura thellë te njerëzit, as që mund të krahasohen me të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. (Hebr. 4:12) Duke i folur me durim zemrës së tyre, mund t’i ndihmojmë të flakin tej besimet e shtrembëruara dhe të përqafojnë të vërtetën që mund t’i çlirojë.—Gjoni 8:32.