Shërbimi ynë pasqyron dashurinë tonë për Perëndinë
1. Për çfarë e shtynte Jezuin dashuria për Perëndinë?
1 Ishte dashuria që e shtynte Jezuin të kryente shërbimin e tij. Çdo aspekt i shërbimit të Jezuit është një dëshmi e pamohueshme e dashurisë së tij për Jehovain. Jezui tha: «Që bota ta dijë se unë e dua Atin, ashtu si Ati më ka urdhëruar të bëj, kështu po bëj.» (Gjoni 14:31) Si imitues të Jezuit, edhe ne kemi privilegjin ta pasqyrojmë dashurinë tonë të thellë për Perëndinë në shërbimin tonë.—Mat. 22:37; Efes. 5:1, 2.
2. Si lidhet dashuria jonë për Jehovain me shërbimin tonë?
2 «U shenjtëroftë emri yt»: Kur me zell shfrytëzojmë çdo mundësi për të folur me të tjerët për Jehovain dhe Mbretërinë e tij, tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë dhe si rrjedhojë japim ndihmesën tonë për shenjtërimin e emrit të tij. (Psal. 83:18; Ezek. 36:23; Mat. 6:9) Ashtu si shërbimi i Jezuit, edhe shërbimi ynë pasqyron vazhdimisht dëshirën tonë të sinqertë që të shenjtërohet emri i Jehovait dhe të bëhet vullneti i tij.—Mat. 26:39.
3. Në ç’mënyrë na ndihmon dashuria për Jehovain të kapërcejmë pengesat?
3 Dashuria na nxit të kapërcejmë pengesat: Dashuria për Jehovain kapërcen çdo pengesë. (1 Kor. 13:4, 7) Jezui u përball me një sërë rrethanash në jetë të cilat mund ta kishin penguar që të mos e çonte deri në fund shërbimin e tij. Megjithatë, kur haste pengesa, dashuria e tij e thellë dhe dëshira për të bërë vullnetin e Jehovait e ndihmonin që t’i kapërcente ato. (Mar. 3:21; 1 Pjet. 2:18-23) Edhe ne hasim shumë pengesa që dashuria për Perëndinë mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë. Duke ndjekur shembullin që la Krishti, mund të ndihemi të sigurt dhe të përmbushim shërbimin pa u penguar. Megjithëse mund të ndikohemi nga kundërshtimi i familjes, problemet e shëndetit, mosha e shkuar ose indiferentizmi i njerëzve në përgjithësi, ato nuk na pengojnë të tregojmë dashurinë për Jehovain duke bërë një shërbim sa më frytdhënës.
4. Me çfarë privilegji jemi bekuar?
4 Dashuria është e fuqishme, dhe jemi të bekuar që kemi aftësinë të pasqyrojmë në shërbim dashurinë me gjithë shpirt që kemi për Perëndinë. (1 Kor. 13:13) Ndërsa afrohet me shpejtësi koha kur do të shenjtërohet njëherë e përgjithmonë emri i Jehovait, ‘dashuria jonë qoftë gjithnjë e më e madhe’.—Filip. 1:9; Mat. 22:36-38.