‘Jepuni shpirtin tuaj’ studentëve
1. Çfarë kërkohet për të ndihmuar një student të Biblës?
1 Që ta ndihmoni një student të Biblës deri sa t’i kushtohet Jehovait, kërkohet më shumë sesa thjesht të bëni rregullisht një studim biblik me të. Apostulli Pavël e krahasoi marrëdhënien e tij me personat që i mësonte, me atë të një nëne që mënd e përkujdeset për fëmijët e saj. Edhe ne kemi kënaqësinë të japim «shpirtrat tanë» që t’i ndihmojmë studentët të rriten frymësisht.—1 Sel. 2:7-9.
2. (a) Pse duhet të interesohemi për studentët? (b) Si mund ta bëjmë këtë?
2 Interesohuni për studentët: Ndërsa një student biblik zbaton atë që mëson, ndërgjegjja do ta nxitë të ndërpresë shoqërinë e ngushtë me ata që nuk jetojnë sipas parimeve biblike. (1 Pjet. 4:4) Familja mund ta mohojë. (Mat. 10:34-36) Por ne mund ta ndihmojmë të mbushë boshllëkun emocional duke u interesuar me ngrohtësi. Një misionar me përvojë këshillon: «Mos ikni me nxitim pasi keni mbaruar studimin. Nëse është e përshtatshme, qëndroni ca dhe bisedoni.» Jini të vëmendshëm për ta ndihmuar konkretisht studentin. Për shembull, a mund ta merrni në telefon ose t’i bëni një vizitë kur është sëmurë? A mund të uleni në mbledhje me studentin dhe ta ndihmoni me fëmijët e tij, nëse është e përshtatshme?
3. Si mund ta ndihmojmë studentin që të inkurajohet nga kongregacioni?
3 Ndihmë nga kongregacioni: Nëse jeni duke predikuar afër shtëpisë së studentit, pse të mos i bëni një vizitë të shkurtër për ta prezantuar me shokët e shërbimit? Kur është e përshtatshme, herë pas here ftoni lajmëtarë të ndryshëm, përfshirë edhe pleqtë, për t’ju shoqëruar në studim. Gjithashtu, pasi keni filluar një studim të rregullt, pa humbur kohë inkurajojeni studentin të ndjekë mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Kjo do ta ndihmojë të gëzojë shoqërinë inkurajuese të pjesëtarëve të kongregacionit, të cilët mund të bëhen familja e tij frymore.—Mar. 10:29, 30; Hebr. 10:24, 25.
4. Si mund të shpërblehet zelli ynë?
4 Një prind që i ndihmon pa u lodhur fëmijët e tij frymësisht, lumturohet kur ata marrin anën e Jehovait dhe ecin në të vërtetën. (3 Gjon. 4) Edhe ne mund të provojmë të njëjtin gëzim, ndërsa japim shpirtrat tanë për të ndihmuar studentët biblikë.