Në shërbim kërkohet durim
1. Si ka treguar Jehovai durim me njerëzimin?
1 Perëndia është shumë i durueshëm me njerëzimin. (Dal. 34:6; Psal. 106:41-45; 2 Pjet. 3:9) Durimi i tij i dashur mund të shihet kryesisht në veprën mbarëbotërore të predikimit për Mbretërinë. Jehovai është treguar i durueshëm me njerëzimin për pothuajse 2.000 vjet dhe prapëseprapë vazhdon t’i afrojë drejt vetes njerëzit me zemër të sinqertë. (Gjoni 6:44) Si mund ta pasqyrojmë durimin e Jehovait në shërbim?
2. Si mund të tregojmë durim kur predikojmë në territor?
2 Shërbimi shtëpi më shtëpi: Imitojmë durimin e Jehovait duke predikuar «pareshtur» në territore ku njerëzit nuk kanë treguar ende interes. (Vep. 5:42) Durojmë indiferencën, talljet dhe kundërshtimin në shërbim. (Mar. 13:12, 13) Gjithashtu, tregojmë durim duke mos hequr dorë nga përpjekjet për të ujitur farat e së vërtetës edhe kur është e vështirë t’i gjesh të interesuarit në shtëpi.
3. Pse kërkohet durim kur bëjmë rivizita dhe drejtojmë studime biblike?
3 Studime biblike: Të rritësh një lule kërkon durim. Mund të kujdesemi për të, por nuk mund ta përshpejtojmë rritjen e saj. (Jak. 5:7) Po kështu, rritja frymore ndodh gradualisht dhe me faza. (Mar. 4:28) Ata me të cilët studiojmë, mund ta kenë të vështirë të braktisin bindjet e rreme fetare ose zakonet jobiblike. Nuk duhet të përpiqemi të përshpejtojmë përparimin e studentëve duke ushtruar presion mbi ta që të bëjnë ndryshime. Kërkohet durim që të lëmë një sasi kohe të arsyeshme që fryma e Perëndisë të bëjë punën e saj në zemrën e studentit.—1 Kor. 3:6, 7.
4. Si mund të na ndihmojë durimi që t’u dëshmojmë me efektshmëri të afërmve jobesimtarë?
4 Të afërmit jobesimtarë: Megjithëse dëshirojmë shumë që të afërmit tanë jobesimtarë të mësojnë për të vërtetën, tregojmë durim duke pritur kohën e duhur për të folur me ta për besimin tonë dhe duke u treguar të kujdesshëm që të mos i mbytim me tepër informacione. (Ekl. 3:1, 7) Ndërkohë, lejojmë që shembulli ynë të flasë vetë dhe qëndrojmë gati për të folur për besimin tonë me frymë butësie dhe me respekt të thellë. (1 Pjet. 3:1, 15) Vërtet, shërbimi që karakterizohet nga durimi do të jetë më i efektshëm dhe do të kënaqë Atin tonë qiellor.