Ndihmojini njerëzit të dëgjojnë Perëndinë
1. Çfarë broshurash dolën në Kongresin Krahinor «Ardhtë Mbretëria e Perëndisë» dhe përse janë mjaft të dobishme?
1 Në shumë vende të botës, në Kongresin Krahinor «Ardhtë Mbretëria e Perëndisë», dolën dy broshura të reja: Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë dhe versioni i saj i thjeshtuar Dëgjoje Perëndinë. Në gjuhën shqipe është botuar vetëm broshura e parë. Ngaqë kanë tekst të shkurtër, mund të përkthehen shpejt dhe lehtë. Në fakt, kur doli, broshura Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë ishte miratuar tashmë për t’u përkthyer në 431 gjuhë.
2. Cilët do të nxjerrin dobi prej këtyre broshurave?
2 Cilët në veçanti do të nxjerrin dobi prej tyre? Mendoni për situatat e mëposhtme që lindin shpesh anembanë botës:
• Një lajmëtar duke biseduar me të zotin e shtëpisë gjatë vizitës së parë ose rivizitës, kupton se është analfabet ose se nuk lexon mirë.
• Një lajmëtar u predikon njerëzve që flasin një gjuhë në të cilën ka pak ose aspak botime të përkthyera. Ose në territor ka shumë njerëz që nuk dinë të lexojnë në gjuhën që e flasin më kollaj.
• Një lajmëtar u predikon në gjuhën e shenjave atyre që nuk dëgjojnë në territorin e tij.
• Një prind dëshiron t’i mësojë të vërtetën fëmijës që nuk di të lexojë akoma.
3. Si është organizuar broshura Dëgjoje Perëndinë?
3 Si janë organizuar broshurat? Broshura Dëgjoje Perëndinë ka tekst shumë të shkurtër, krye sisht vetëm një fjali të thjeshtë dhe një shkrim në fund të çdo faqeje që thekson pikat kryesore. Pse është botuar në disa gjuhë? Imagjinoni sikur dikush ju jep një broshurë në një gjuhë që nuk mund ta lexoni, ndoshta me personazhe që nuk i njihni. A do t’ju tërhiqte, edhe po të kishte ilustrime të bukura? Ka të ngjarë që jo. Po kështu, njerëzit që nuk dinë të lexojnë stepen kollaj nga botime që kanë tekst. Prandaj, ajo që bie në sy në çdo faqe janë ilustrimet e zgjedhura me kujdes, me shigjeta që e drejtojnë bisedën nga njëri ilustrim në tjetrin.
4. Si është organizuar broshura Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë?
4 Broshura Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë ka të njëjtat ilustrime si broshura Dëgjoje Perëndinë. Është bërë enkas për të studiuar me ata që nuk dinë të lexojnë mirë ose po mësojnë të lexojnë. Lart, në cepin e majtë të çdo mësimi prej dy faqesh, ka një pyetje që merr përgjigje në këto faqe. Bashkë me ilustrimet ka komente dhe shkrime. Në pjesën e poshtme të shumë faqeve, ka një kuti me ngjyrë me disa pika dhe shkrime shtesë që mund të trajtohen në varësi të studentit.
5. Kur dhe si mund t’i ofroni këto broshura?
5 Si t’i përdorni? Secilën prej broshurave mund ta ofroni gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi sa herë mendoni që është e përshtatshme, edhe kur këto broshura nuk janë ofertë e muajit. (Shihni kutinë «Si mund të ofrohen?») Mund ta prezantoni gjatë një rivizite thjesht duke i thënë të interesuarit se doni t’i tregoni diçka dhe jepini broshurën.
6. Si mund të drejtoni një studim duke përdorur këto broshura?
6 Ngaqë mësimet nuk kanë pyetje, biseda nuk do të bëhet me pyetje e përgjigje siç veprohet normalisht me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Njerëzve të çdo kulture u pëlqen të dëgjojnë tregime. Prandaj, duke përdorur ilustrimet flitini për tregimet e frymëzuara nga Bibla. Shpjegoni ilustrimet. Jini entuziastë. Pyeteni studentin se çfarë sheh. Lexoni shkrimet në fund të faqes dhe arsyetoni rreth tyre. Bëjini pyetje që ta përfshini në bisedë dhe të siguroheni se po kupton. Lexoni bashkë tekstin dhe shkrimet përkatëse kur shpjegoni ilustrimet, sidomos nëse ai po studion me broshurën Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë.
7. Si mund ta ndihmoni studentin biblik të bëjë përparim?
7 Ndihmojeni studentin të bëjë përparim: Shpresojmë që bisedat tuaja të ngjallin te studenti dëshirën për të mësuar të lexojë që të marrë njohuri vetë për Jehovain. (Mat. 5:3; Gjoni 17:3) Studenti nuk do të jetë gati për t’u pagëzuar pasi të mbarojë këtë broshurë. Duhet ta vazhdoni studimin me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? ose me një botim tjetër të përshtatshëm që do ta ndihmojë të ketë një kuptueshmëri më të plotë për Biblën.
8. Pse jeni mirënjohës për këto mjete të reja ndihmëse në shërbim?
8 Njerëzit duhet të dëgjojnë Sovranin e universit nëse duan të jetojnë përgjithmonë. (Isa. 55:3) Dhe vullneti i Jehovait është që «njerëz të çdo lloji», përfshirë ata që nuk lexojnë, të mësojnë si ta dëgjojnë. (1 Tim. 2:3, 4) Sa mirënjohës jemi për këto mjete të reja që na ndihmojnë t’u mësojmë njerëzve si ta dëgjojnë Perëndinë!
[Kutia në faqen 3]
Si mund të ofrohen?
Tregojini të zotit të shtëpisë faqet 2-3 dhe thoni: «A do të donit të jetonit në një botë si kjo këtu? [Presim përgjigjen.] Shkrimet [ose ky libër i shenjtë] premtojnë se Perëndia së shpejti do ta kthejë botën në një vend të bukur dhe paqësor ku nuk do të ketë më të varfër a të sëmurë. Vini re çfarë duhet të bëjmë që të jetojmë në këtë vend. [Lexojmë Isainë 55:3 që përmendet në fillim të faqes 3.] Në këtë varg Perëndia na thotë «ejani tek unë» dhe «dëgjoni». Por si ta dëgjojmë Perëndinë?» Hapeni broshurën te faqja 4-5 dhe shqyrtoni përgjigjen. Nëse nuk ka kohë, lërini broshurën dhe merrni masa të ktheheni një herë tjetër për të trajtuar përgjigjen.