Çfarë na shtyn të predikojmë?
1. Si lidhet dashuria me shërbimin tonë?
1 Predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë është vepra më e rëndësishme që mund të bëjmë sot. Nëpërmjet kësaj vepre tregojmë bindje ndaj dy urdhërimeve më të mëdha: të duam Jehovain dhe të duam të afërmin. (Mar. 12:29-31) Dashuria është një forcë e fuqishme që na shtyn të jemi lajmëtarë të zellshëm.—1 Gjon. 5:3.
2. Si tregojmë dashuri për Jehovain me anë të predikimit?
2 Dashuria për Jehovain: Dashuria për Mikun tonë më të shtrenjtë, Jehovain, na nxit të flasim në mbrojtje të tij. Për rreth 6.000 vjet, Satanai ka shpifur për të. (2 Kor. 4:3, 4) Ja pse shumë besojnë se Perëndia i torturon mëkatarët në ferrin e zjarrtë, se ai është një Trinitet misterioz dhe se nuk do t’ia dijë për njerëzit. Madje, mjaft veta kanë arritur në përfundimin se nuk ka Perëndi. Sa shumë duam që njerëzit ta dinë të vërtetën për Atin tonë qiellor! Përpjekjet tona të zellshme për të qenë dëshmitarë të Perëndisë i sjellin kënaqësi të madhe Jehovait dhe e zemërojnë Satanain.—Prov. 27:11; Hebr. 13:15, 16.
3. Si tregojmë dashuri për të afërmin me anë të shërbimit?
3 Dashuria për të afërmin: Sa herë që i japim dëshmi dikujt, po tregojmë dashuri për të. Në këto kohë kritike, njerëzit kanë tmerrësisht nevojë ta dëgjojnë lajmin e mirë. Shumë janë si ninevitët në kohën e Jonait që ‘nuk dinin të dallonin as të djathtën nga e majta’. (Jon. 4:11) Shërbimi ynë u mëson si të kenë një jetë të lumtur e të suksesshme. (Isa. 48:17-19) U jep shpresë. (Rom. 15:4) Nëse dëgjojnë e jetojnë në harmoni me atë që mësojnë, ‘do të shpëtojnë’.—Rom. 10:13, 14.
4. Çfarë nuk do të harrojë kurrë Jehovai?
4 Fëmijët e mbarë nuk e tregojnë dashurinë për prindërit vetëm në raste të programuara, por përpiqen fort ta shfaqin atë gjatë gjithë kohës. Po ashtu, dashuria e fortë për Perëndinë dhe për të afërmin do të na shtyjë që gjatë gjithë kohës të jemi të vëmendshëm ndaj mundësive për të dhënë dëshmi, jo vetëm kur kemi programuar kohë për shërbim. Do të predikojmë pareshtur. (Vep. 5:42) Jehovai nuk do ta harrojë kurrë një dashuri të tillë.—Hebr. 6:10.