Vëllezër të rinj, a po ndiqni synime frymore?
1. Kur duhet të fillojë një vëlla i ri të zbatojë drejtimin e 1 Timoteut 3:1?
1 «Kush synon . . . dëshiron një punë të shkëlqyer.» (1 Tim. 3:1) Këto fjalë të frymëzuara i inkurajojnë vëllezërit të synojnë të kualifikohen për privilegje shërbimi në kongregacion. A duhet të jesh i rritur që të kesh synime të tilla? Në të vërtetë është më mirë t’i vësh këto synime që kur je i ri. Kështu, mund të marrësh stërvitje e të tregosh se je i kualifikuar për t’u emëruar si shërbëtor ndihmës kur të jesh më i rritur. (1 Tim. 3:10) Si të vësh synime frymore nëse je vëlla i ri i pagëzuar?
2. Si mund të zhvillosh e të shfaqësh një frymë vetëmohuese?
2 Fryma vetëmohuese: Mos harro se po synon një punë të shkëlqyer, jo një titull. Prandaj, zhvillo dëshirën për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat. Një mënyrë si mund ta bësh këtë, është duke medituar rreth shembullit të mirë të Jezuit. (Mat. 20:28; Gjoni 4:6, 7; 13:4, 5) Kërkoji Jehovait të të ndihmojë të interesohesh për të tjerët. (1 Kor. 10:24) A mund t’i ndihmosh në mënyrë praktike të moshuarit a të sëmurët në kongregacion? A del vullnetar për të ndihmuar në pastrimin me themel, në riparime ose në punë të tjera për mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë? A mund të tregohesh i gatshëm për të zëvendësuar një fjalim në Shkollën e Shërbimit Teokratik? Do të shohësh se kur jep nga vetja gjen shumë gëzim.—Vep. 20:35.
3. Sa e rëndësishme është gjendja e mirë frymore dhe si mund ta arrish?
3 Gjendja e mirë frymore: Për një shërbëtor në kongregacion, gjendja e mirë frymore është shumë më e rëndësishme se talentet ose dhuntitë. Një njeri frymor përpiqet t’i shohë gjërat nga këndvështrimi i Jehovait dhe i Jezuit. (1 Kor. 2:15, 16) Ai shfaq ‘frytin e frymës’. (Gal. 5:22, 23) Është një lajmëtar i zellshëm që vendos Mbretërinë në vend të parë. (Mat. 6:33) Që të zhvillosh cilësi frymore duhet të kesh një program të mirë për studimin personal. Këtu përfshihet të lexosh Biblën çdo ditë dhe të lexosh çdo numër të revistave Kulla e Rojës e Zgjohuni! Gjithashtu është e rëndësishme të përgatitesh e të ndjekësh mbledhjet e kongregacionit. (Psal. 1:1, 2; Hebr. 10:24, 25) Kur po inkurajonte Timoteun e ri të përparonte frymësisht, Pavli shkroi: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme . . . mësimdhënies sate.» (1 Tim. 4:15, 16) Puno shumë me fjalimet që të janë caktuar në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Përgatitu për shërbim dhe merr pjesë rregullisht në të. Vër synime frymore dhe puno që t’i arrish. Mund të synosh të shërbesh si pionier i rregullt, në Bethel ose të ndjekësh Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë. Një gjendje e mirë frymore do të të ndihmojë ‘të ikësh nga dëshirat karakteristike rinore’.—2 Tim. 2:22.
4. Ç’vlerë ka besueshmëria dhe besnikëria?
4 Besueshmëria dhe besnikëria: Për burrat që u caktuan t’u shpërndanin ushqim të krishterëve nevojtarë në shekullin e parë «flitej mirë», me sa duket sepse ishin të njohur për besueshmërinë dhe besnikërinë. Prandaj apostujt nuk shqetësoheshin nëse puna po bëhej apo jo. Kjo u jepte mundësi të përqendroheshin në çështje të tjera të rëndësishme. (Vep. 6:1-4) Kështu, kur të jepet një caktim në kongregacion, përmbushe sa më mirë të mundesh. Imito Noenë i cili ndoqi me kujdes udhëzimet që i ishin dhënë për ndërtimin e arkës. (Zan. 6:22) Besueshmëria është cilësi e vyer për Jehovain dhe tregon pjekuri frymore.—1 Kor. 4:2; shiko kutinë «Dobitë e stërvitjes».
5. Pse duhet të ndjekë synime frymore një vëlla i ri?
5 Siç u profetizua, Jehovai po e përshpejton mbledhjen e adhuruesve të vërtetë. (Isa. 60:22) Çdo vit pagëzohen mesatarisht 250.000 veta. Me gjithë këta të rinj në të vërtetën, nevojiten burra frymorë të kualifikuar që të mbajnë përgjegjësi në kongregacion. Tani, më shumë se kurrë, ka punë për të bërë në shërbim të Jehovait. (1 Kor. 15:58) Vëllezër të rinj, a po ndiqni synime frymore? Nëse po, dëshironi një punë vërtet të shkëlqyer.
[Diçitura në faqen 2]
Me gjithë këta të rinj në të vërtetën, nevojiten burra frymorë të kualifikuar që të mbajnë përgjegjësi në kongregacion
[Kutia në faqen 3]
Dobitë e stërvitjes
Vëllezërit e rinj të kualifikuar nxjerrin dobi kur pleqtë u japin caktime dhe i stërvitin. Pas mbledhjes, një mbikëqyrës qarkor ishte ulur në podium dhe po inkurajonte një lajmëtar. Aty pranë vuri re një vëlla të ri, prandaj e pyeti nëse po priste që të fliste me të. Vëllai i ri tha se kishte si caktim të fshinte me fshesë korrenti podiumin pas çdo mbledhjeje. Prindërit e tij ishin gati të iknin, por vëllai nuk donte të largohej pa përmbushur caktimin. Mbikëqyrësi qarkor u largua nga podiumi me kënaqësi. Ai thotë: «Pleqtë në atë kongregacion stërvitnin rregullisht vëllezër të rinj të kualifikuar duke u dhënë caktime. Si pasojë, ishte e zakonshme të rekomandonin një vëlla të ri si shërbëtor ndihmës sa herë vizitoja atë kongregacion.»