Merrni si shembull profetët—Hozea
1. Cilën pyetje mund t’i kemi bërë vetes?
1 «Çfarë sakrificash jam i gatshëm të bëj për Jehovain?» Ndoshta ia kemi bërë vetes këtë pyetje kur kemi medituar për dashamirësinë dhe mëshirën e tij të madhe. (Psal. 103:2-4; 116:12) Hozea me dëshirë iu bind urdhrit të Jehovait, ndonëse i duhej të bënte sakrifica personale. Si mund ta imitojmë Hozenë?
2. Si mund ta imitojmë shembullin e shkëlqyer që la Hozea duke ngulmuar në predikim?
2 Të predikojmë në kohë të vështirë: Mesazhi i Hozesë i drejtohej kryesisht mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit, ku adhurimi i vërtetë thuajse ishte zhdukur. Mbreti Jeroboami II bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe vazhdoi kultin e viçit të cilin e kishte filluar Jeroboami I. (2 Mbret. 14:23, 24) Mbretërit pasues vazhduan ta rrënonin gjendjen frymore të mbretërisë dhjetëfisëshe derisa më në fund u shkatërrua më 740 p.e.s. Pavarësisht se mbizotëronte adhurimi i rremë, Hozea shërbeu si profet për të paktën 59 vjet. A jemi edhe ne po kaq të vendosur të predikojmë vit pas viti, pavarësisht nga apatia a kundërshtimi?—2 Tim. 4:2.
3. Si e ilustroi mëshirën e Jehovait jeta e Hozesë?
3 Të përqendrohemi te mëshira e Jehovait: Jehovai e udhëzoi Hozenë të merrte ‘një grua që do të kryente kurvëri’. (Hoz. 1:2) Ndonëse e shoqja, Gomera, i lindi një djalë, me sa duket, më vonë ajo pati edhe dy fëmijë të tjerë të paligjshëm. Gatishmëria e Hozesë për të falur gruan e tij, ilustroi mëshirën e madhe të Jehovait ndaj popullit të pabindur të Izraelit kur pendohej. (Hoz. 3:1; Rom. 9:22-26) A jemi gati të heqim dorë nga preferencat tona që t’ua bëjmë të njohur mëshirën e Jehovait njerëzve të çdo lloji?—1 Kor. 9:19-23.
4. Çfarë sakrificash mund të bëjmë për Jehovain?
4 Disa shërbëtorë të Jehovait kanë sakrifikuar karrierën fitimprurëse që t’i kushtojnë më shumë kohë shërbimit. Të tjerë kanë qëndruar beqarë ose pa fëmijë që të ndjekin interesat e Mbretërisë. Kur reflektojmë rreth jetës së Hozesë, ndoshta themi me vete: «Unë s’do ta bëja dot kurrë atë që bëri ai». Megjithatë, teksa na shtohet çmueshmëria për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait dhe mbështetemi te fryma e shenjtë për forcë, ai mund të na përdorë në mënyra që nuk na e merr kurrë mendja, siç bëri me Hozenë.—Mat. 19:26; Filip. 2:13.