Merrni si shembull profetët—Naumi
1. Çfarë mësojmë nga libri i Naumit?
1 Rrënojat e Ninevisë së lashtë japin prova se, tamam siç profetizoi Naumi, Jehovai hakmerret kundër armiqve të tij dhe se atij s’mund t’i bëjë ballë as rivali më i egër. (Nau. 1:2, 6) Kur e shqyrtojmë më nga afër profecinë e Naumit nxjerrim mësime për shërbimin tonë.
2. Kur predikojmë, çfarë të theksojmë që mesazhi ynë të jetë pozitiv?
2 Ofroni ngushëllim dhe shpresë: Në pamje të parë duket sikur libri i Naumit përmban vetëm shpallje dënimi kundër Ninevisë, kryeqytetit krenar të Asirisë së lashtë. (Nau. 1:1; 3:7) Gjithsesi, kjo shpallje ishte një lajm i mirë për popullin e Jehovait. Naumi, emri i të cilit do të thotë «Ngushëllues», i siguroi judenjtë se shumë shpejt armiku i tyre nuk do të ekzistonte më. Naumi përforcoi edhe më shumë faktin që Jehovai është «një kala në ditë vuajtjeje». (Nau. 1:7) Ndërsa predikojmë, edhe ne përhapim një lajm të mirë dhe i nxitim të tjerët të kërkojnë strehë te Jehovai.—Nau. 1:15.
3. Si mund ta imitojmë Naumin lidhur me përdorimin e shembujve dhe ilustrimeve?
3 Përdorni shembuj dhe ilustrime: Jehovai frymëzoi Naumin të krahasonte fundin e Ninevisë me atë të Tebës (No-Amonin), qytetit egjiptian, të cilin e kishte shkatërruar më parë vetë Asiria. (Nau. 3:8-10) Kur flasim me të tjerët për fundin e këtij sistemi të lig, mund të theksojmë profecitë biblike që vërtetojnë se Jehovai plotëson fjalën e tij deri në hollësinë më të vogël. Për shembull, kur babilonasit dhe medët sulmuan qytetin e Ninevisë më 632 p.e.s., shirat e rrëmbyera bënë që lumi Tigër të dilte nga shtrati e të rrëzonte muret e padepërtueshme të qytetit. Shpejt, Ninevia ra në duart e tyre, pikërisht siç kishte parathënë Jehovai.—Nau. 1:8; 2:6.
4. Si të flasim në mënyrë të qartë e të kuptueshme në shërbim?
4 Flitni në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme: Naumi shkruante me një stil përshkrues dhe emocionues. I nxirrte në pah pikat. (Nau. 1:14; 3:1) Po kështu, ne flasim me një gjuhë që kuptohet kollaj. (1 Kor. 14:9) Në vizitën e parë, të shpjegojmë qartësisht arsyen e vizitës sonë. Ndërsa studiojmë Biblën me njerëzit, t’i ndihmojmë të kenë besim te Jehovai e te Fjala e tij dhe të kuptojnë si mund ta zbatojnë atë që dëgjojnë.—Rom. 10:14.
5. Për çfarë na siguron profecia e Naumit?
5 Besimi i Naumit në plotësimin e sigurt të fjalës së Jehovait, shihet qartë në librin biblik që mban emrin e tij. Teksa afron fundi i sistemit të Satanait, gjejmë ngushëllim në këtë dekret hyjnor: «Nuk do të ketë vuajtje për herë të dytë.»—Nau. 1:9.