Shfrytëzo çdo rast për të përhapur mesazhin e Mbretërisë!
1. Çfarë mësojmë nga Davidi?
1 Mbreti David ishte ndër ata që nuk i lejoi rrethanat ta paralizonin. Për shembull, ai donte të ndërtonte një shtëpi për Jehovain. Por nuk iu lejua ta ndërtonte, prandaj ndryshoi synimet dhe ndihmoi Solomonin me përgatitjet për të ndërtuar tempullin. (1 Mbret. 8:17-19; 1 Kron. 29:3-9) Në vend që të fiksohej tek ajo që nuk mund të bënte, u përqendrua tek ajo që mund të bënte. Si mund të imitojmë Davidin ndërsa kërkojmë mënyra për të përhapur mesazhin e Mbretërisë?
2. Çfarë vetëshqyrtimi mund të bëjmë?
2 Bëj ç’të mundesh: Shumë veta kanë thjeshtuar jetën që të shërbejnë si pionierë ndihmës ose të rregullt. (Mat. 6:22.) A mund të bashkohesh edhe ti me ta? Ndërsa shqyrton rrethanat duke u lutur, mund të kuptosh që përpara teje është hapur «një derë e gjerë që çon në aktivitet». Në qoftë kështu, shfrytëzo mundësinë!—1 Kor. 16:8, 9.
3. Çfarë mundësish mund të shfrytëzojmë për të predikuar edhe nëse rrethanat nuk na lejojnë të shërbejmë si pionierë?
3 Po nëse rrethanat nuk të lejojnë të shërbesh si pionier? Kushtoju vëmendje mundësive të tjera që mund të kesh. Për shembull, në qoftë se në punë ke të bësh me jobesimtarë, pse të mos shfrytëzosh rastet e përshtatshme për t’u predikuar? Ose nëse ke probleme shëndetësore, a mund të shfrytëzosh rastet për t’i dhënë dëshmi personelit mjekësor? Ki parasysh se për ata me kufizime për shkak të moshës ose të problemeve të rënda shëndetësore ekziston një masë që të raportojnë 15 minuta shërbim. Kur të plotësosh raportin e shërbimit, sigurohu që të llogaritësh edhe kohën që ke dhënë dëshmi joformale e literaturën që ke shpërndarë, përfshirë edhe fletushkat e ftesat e Përkujtimit e të kongresit. Mund të habitesh se sa kohë mund të grumbullohet nga këto raste të vogla në dukje.
4. Për çfarë je i vendosur?
4 Pavarësisht nga rrethanat, le të shfrytëzojmë çdo mundësi për të përhapur lajmin e mirë. Kështu do të kënaqemi ngaqë e dimë se po bëjmë ç’të mundemi për hir të Mbretërisë.—Mar. 14:8; Luka 21:2-4.