Pyetje nga lexuesit
Pse te 2 Samuelit 21:7-9 thuhet se Davidi «tregoi dhembshuri ndaj Mefiboshetit» por pastaj e dorëzoi që të ekzekutohej?
Kjo pyetje u ka lindur disave që i lexojnë kalimthi vargjet. Por këtu bëhet fjalë për dy burra që quheshin Mefiboshet. Duke shqyrtuar atë ngjarje mund të nxjerrim një mësim.
Sauli, mbreti i Izraelit, kishte shtatë djem dhe dy vajza. Djali i parë i Saulit ishte Jonatani. Më vonë, konkubina e tij Rizpa, i lindi Saulit një djalë që quhej Mefiboshet. Është interesante që edhe Jonatani kishte një djalë që quhej Mefiboshet. Pra, mbreti Saul kishte një djalë që quhej Mefiboshet dhe një nip me të njëjtin emër.
Gjatë mbretërimit të tij, Sauli kurdisi plane për të shfarosur gibeonitët që jetonin mes izraelitëve. E me sa duket, disa prej tyre u vranë. Kjo ishte krejtësisht e gabuar. Pse? Sepse në ditët e Josiut, prijësit e Izraelit kishin bërë një besëlidhje paqeje me gibeonitët.—Jos. 9:3-27.
Në kohën e mbretit Saul, ajo besëlidhje ishte akoma në fuqi. Duke shkelur besëlidhjen, mbreti u orvat t’i fshinte nga faqja e dheut gibeonitët. Prandaj, ‘mbi Saulin dhe shtëpinë e tij rëndonte faji i gjakut’. (2 Sam. 21:1) Me kohë, u bë mbret Davidi. Gibeonitët që kishin mbijetuar, i treguan për padrejtësinë skandaloze që u ishte bërë. Davidi i pyeti si mund ta shlyente fajin e llahtarshëm të Saulit, e kështu të hapej rruga që Jehovai ta bekonte vendin. Gibeonitët nuk kërkuan pará, por kërkuan t’u jepeshin shtatë djemtë e njeriut që ‘kishte thurur plane për t’i zhdukur’ dhe të ekzekutoheshin. Davidi ua plotësoi kërkesën.—2 Sam. 21:2-6; Num. 35:30, 31.
Në atë kohë, Sauli dhe Jonatani kishin rënë në betejë, por djali i Jonatanit, Mefibosheti, ishte gjallë. Ai kishte mbetur i gjymtuar nga një incident në fëmijëri e nuk kishte marrë pjesë në sulmin e gjyshit kundër gibeonitëve. Davidi kishte bërë një besëlidhje miqësie me Jonatanin, nga e cila do të nxirrnin dobi edhe pasardhësit e tij, siç ishte djali i Jonatanit, Mefibosheti. (1 Sam. 18:1; 20:42) Bibla thotë: «Mbreti [David] tregoi dhembshuri ndaj Mefiboshetit, djalit të Jonatanit, djalit të Saulit, për shkak të besës që Davidi dhe Jonatani, djali i Saulit, kishin lidhur përpara Jehovait.»—2 Sam. 21:7.
Gjithsesi, Davidi ua plotësoi kërkesën gibeonitëve. Ai u dorëzoi dy djem të Saulit, njëri prej të cilëve quhej Mefiboshet, dhe pesë nipër të Saulit. (2 Sam. 21:8, 9) Si rezultat i atij veprimi të Davidit, vendi nuk mbajti më faj gjaku.
Kjo nuk është thjesht një histori. Ligji i Perëndisë thoshte qartë: «Fëmijët nuk duhet të vdesin për mëkatin e baballarëve.» (Ligj. 24:16) Sikur dy djemtë dhe pesë nipërit e Saulit të kishin qenë të pafajshëm, Jehovai nuk do ta kishte miratuar ekzekutimin e tyre. Ligji thoshte edhe: «Gjithsekush duhet të ekzekutohet për mëkatin e vet.» Me sa duket, ata shtatë pasardhës të Saulit që vdiqën, kishin pasur gisht në gjenocidin që u orvat të bënte Sauli kundër gibeonitëve. Si pasojë, të shtatë e paguan për mëkatin e tyre.
Kjo ngjarje ilustron se askush nuk mund të justifikohet për diçka të gabuar, duke menduar ose duke thënë se thjesht bëri siç i thanë të tjerët. Një proverb i mençur thotë: «Sheshoje rrugën ku vë këmbët, dhe gjithë udhët e tua do të jenë të sigurta. Mos ano as nga e djathta, as nga e majta. Largoji këmbët nga e keqja!»—Prov. 4:24-27; Efes. 5:15.