3 | Personazhet e Biblës
BIBLA FLET PËR . . . Burra e gra besnikë me «ndjenja si tonat».—JAKOVI 5:17.
Ç’do të thotë ky shkrim
Faqet e Biblës janë plot me histori reale të burrave e të grave që përjetuan emocione nga më të ndryshmet. Teksa i lexojmë, mund të gjejmë veten te disa personazhe të saj.
Si na ndihmon
Të gjithë kemi nevojë të na mirëkuptojnë. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur vuajmë nga problemet e shëndetit mendor. Kur lexojmë ngjarjet reale të personazheve të Biblës, mësojmë se edhe disa prej tyre kanë pasur të njëjtat ndjenja e mendime si ne. Si rezultat, kuptojmë se edhe të tjerë kanë përjetuar dëshpërimin tonë e nuk ndihemi aq të vetmuar përballë ankthit dhe ndjenjave frikësuese.
Në Bibël janë dokumentuar shumë shprehje të atyre që u ndien të paaftë e të dëshpëruar. A ke thënë ndonjëherë me vete: «S’mundem më!» Moisiu po, edhe Elija me Davidin.—Numrat 11:14; 1 Mbretërve 19:4; Psalmi 55:4.
Bibla flet për një grua të quajtur Hana që e kishte ‘shpirtin të hidhëruar’ ngaqë s’bënte dot fëmijë, dhe gruaja tjetër e bashkëshortit të saj e tallte mizorisht.—1 Samuelit 1:6, 10.
Bibla flet edhe për një burrë të quajtur Job, ku mund të gjejmë veten. Ndonëse kishte besim të fortë, vuajti thellë në shpirt, dhe njëherë tha: «Më është neveritur jeta! S’dua të jetoj më!»—Jobi 7:16.
Kur mësojmë si këto personazhe të Biblës e kapërcyen me sukses mënyrën negative të të menduarit, mund të marrim forcën e nevojshme t’i bëjmë ballë vuajtjes sonë.