JETËSHKRIM
Kam parë besnikët të lulëzojnë
MA HA mendja se edhe ju i kujtoni ato biseda që kanë pasur domethënie të veçantë në jetën tuaj. Mua ende më kujtohet një bisedë që bëra me një shokun tim para 50 vitesh, ulur pranë zjarrit diku në Kenia. Të nxirë nga dielli dhe të lodhur nga udhëtimi i gjatë i atyre muajve, po flitnim për një film me temë fetare, kur shoku im befas tha: «E ka keqparaqitur Biblën!»
Qesha. S’ma priste mendja që shoku im të ishte tip fetar. «E ç’di ti për Biblën?»—e pyeta. Nuk m’u përgjigj menjëherë, por si përfundim më tha se mamaja e tij ishte Dëshmitare e Jehovait. Kishte mësuar disa gjëra prej saj. Gjithë kureshtje i kërkova të më tregonte ca më shumë.
Biseda zgjati thuajse gjithë natën. Më tha se, sipas Biblës, Satanai është sundimtari i botës. (Gjoni 14:30) Mbase për ju nuk është ndonjë gjë e re, mirëpo për mua kjo ide ishte jo vetëm e re, por edhe grishëse. Gjithnjë kisha dëgjuar se botën e drejtonte një Perëndi dashamirës. Por nuk arrija ta lidhja këtë ide me gjërat që kisha parë në jetë. Edhe pse isha vetëm 26 vjeç, kisha parë plot gjëra që më shqetësonin.
Im atë kishte qenë pilot i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Ndaj, që në fëmijëri, e dija fare mirë që një luftë bërthamore ishte diçka që mund të ndodhte vërtet; ushtrisë i hanin duart. Gjatë viteve që ndoqa shkollën e lartë në Kaliforni, lufta në Vietnam na shoqëroi si një re e zezë. Iu bashkova protestave studentore. Policia na ndiqte me kërbaç në dorë, e ne ia mbathnim me sy të picërruar e duke u kollitur për shkak të gazit lotsjellës. Ishte periudhë trazirash e rebelimi. Kishte atentate politike, protesta dhe rrëmujë. Idetë dhe opinionet gëlonin si mizë lisi. Çdo gjë ishte në kaos total.
Nga Londra në Afrikën Qendrore
Në vitin 1970 gjeta një punë në bregun verior të Alaskës dhe fitova shumë para. Më pas shkova në Londër. Bleva një motoçikletë dhe i dhashë gaz për nga jugu, pa ndonjë destinacion në mendje. Muaj më vonë, mbërrita në Afrikë. Gjatë rrugëtimit, takova njerëz që po ashtu donin thjesht të ikin, të liroheshin në ndonjë mënyrë nga problemet e jetës që po i mbytnin.
Kështu, për shkak të asaj që kisha parë e dëgjuar, m’u duk logjik mësimi i Biblës se një krijesë e padukshme dhe e ligë kontrollon gjërat që ndodhin në tokë. Po Zoti atëherë çfarë po bën nëse nuk po kontrollon tokën? Doja një përgjigje për këtë.
Në muajt që vijuan, e gjeta përgjigjen. E me kalimin e kohës u njoha dhe u miqësova me shumë burra e gra që i kishin qëndruar besnikë Perëndisë së vetëm e të vërtetë në lloj-lloj rrethanash.
IRLANDA E VERIUT, «VENDI I BOMBËS DHE I PLUMBIT»
Kur u ktheva në Londër, takova nënën e shokut tim dhe ajo më dha një Bibël. Më vonë, kur shkova në Amsterdam, Holandë, një Dëshmitar më pa që po lexoja Biblën poshtë një drite rruge dhe më ndihmoi të mësoja më shumë. Pastaj shkova në Dublin, Irlandë, dhe atje gjeta zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait. Trokita te hyrja dhe aty takova Artur Methjusin, një vëlla i mençur e me përvojë. I kërkova të studioja Biblën dhe ai pranoi të më bënte studimin.
U zhyta në studim. Me etje të pashtershme lexoja librat dhe revistat që botonin Dëshmitarët. S’do mend që lexova edhe Biblën. Isha i elektrizuar! Në mbledhjet e kongregacionit shihja që edhe fëmijët i dinin përgjigjet e pyetjeve për të cilat njerëz të arsimuar e kishin vrarë mendjen për shekuj: «Pse ka ligësi? Kush është Perëndia? Çfarë ndodh kur vdes?» Shoqërohesha vetëm me Dëshmitarët. Këtë e kisha të lehtë se nuk njihja njeri tjetër në gjithë shtetin. Ata më ndihmuan të zhvilloja dashuri për Jehovain dhe dëshirën për të bërë vullnetin e tij.
Najxheli, Denisi dhe unë
Më 1972 u pagëzova. Pas një viti nisa shërbimin si pionier në një kongregacion të vogël në Njuri, Irlandë e Veriut. Mora me qira një shtëpizë guri në një zonë malore. Në fushat aty pranë kishte lopë. Shkoja para tyre dhe provoja fjalimet e mia. Lopët dukeshin se më dëgjonin me vëmendje ndërsa mbllaçitnin ushqimin. Nuk kishin ndonjë këshillë për të më dhënë, por më ndihmuan të zhvilloja kontaktin pamor me auditorin. Më 1974 u caktova pionier special bashkë me Najxhel Pitin, me të cilin mbetëm miq për gjithë jetën.
Në atë kohë, Irlanda e Veriut u trondit nga konflikti e dhuna. Me të drejtë, disa e quanin «vendi i bombës dhe i plumbit». Përleshjet nëpër rrugë, sulmet me snajper, të shtënat me armë dhe vendosjet e bombave në makina ishin të zakonshme. Problemet ishin sa politike aq edhe fetare. Sidoqoftë, edhe protestantët, edhe katolikët e dinin që Dëshmitarët nuk merrnin ndonjë krah politik, ndaj mund të predikonim lirisht dhe të sigurt. Banorët shpesh e dinin kur e ku do të kishte trazirë dhe na paralajmëronin që të shmangnim rrezikun.
Por prapë qëllonte të ndodheshim në situata të rrezikshme. Një ditë unë dhe një pionier tjetër, Denis Karigani, predikuam në një qytezë fqinje ku nuk kishte Dëshmitarë. Ishte hera e dytë që shkonim aty. Një grua na akuzoi se ishim ushtarë të fshehtë britanikë, mbase ngaqë nuk kishim theks irlandez. Akuza na trembi. Mjaftonte të tregoheshe miqësor me ushtarët dhe mund të të vritnin a të të qëllonin në gju. Ishim vetëm e po mërdhinim teksa prisnim autobusin, kur pamë një makinë që ndaloi te kafeneja ku ishte gruaja që na akuzoi. Gruaja doli, foli me dy burrat te makina dhe tregoi me gisht nga ne me shumë zell. Makina erdhi ngadalë drejt nesh dhe dy burrat na bënë ca pyetje për orarin e autobusit. Kur erdhi autobusi, ata folën me shoferin. S’arritëm të dëgjonim ç’po thoshin. S’kishte pasagjerë të tjerë, prandaj ishim të sigurt se po bënin plane për të na qëruar kur të dilnim nga qyteza. Por nuk ndodhi gjë. Kur po zbritja nga autobusi, pyeta shoferin: «Për ne po pyesnin ata burrat?» M’u përgjigj: «Unë e di kush jeni e ua shpjegova edhe atyre. Ikni pa merak. S’ju ngacmon njeri.»
Dita e martesës sonë, mars 1977
Më 1976, në një asamble krahinorea në Dublin, takova Polina Lomaksin, një pioniere speciale që kishte ardhur për vizitë nga Anglia. Ishte motër besnike, e përulur dhe e bukur. Ajo dhe i vëllai, Rei, e kishin njohur të vërtetën që të vegjël. Një vit më vonë u martova me Polinën dhe vazhduam shërbimin si pionierë specialë në Balimina, Irlandë e Veriut.
Për ca kohë ishim në veprën qarkore. U shërbyem vëllezërve në Belfast, Londonderi dhe në qytete të tjera të rrezikshme. U inkurajuam nga besimi i vëllezërve e motrave që, për t’i shërbyer Jehovait, kishin braktisur bindje, paragjykime dhe urrejtje fetare të fortifikuara mirë. Sa shumë i bekoi e i mbrojti Jehovai!
Pasi kisha jetuar dhjetë vjet në Irlandë, në vitin 1981 na ftuan të ndiqnim klasën e 72-të të shkollës së Galadit. Pas diplomimit u caktuam në Sierra-Leone, në Afrikën Perëndimore.
SIERRA-LEONE—BESIM MES VARFËRISË
Jetonim në një shtëpi misionare me 11 njerëz të mrekullueshëm. Kishim një kuzhinë, tri banja, dy dushe, një telefon, një lavatriçe dhe një tharëse rrobash. Korrenti ikte shpesh dhe orar pa orar. Minjtë kishin pushtuar tavanin dhe kobrat zvarriteshin nëpër bodrum.
Duke kaluar lumin për të shkuar në një kongres në Guinenë fqinje
Edhe pse kushtet e jetesës nuk ishin ideale, shërbimi na sillte shumë kënaqësi. Njerëzit e respektonin Biblën dhe dëgjonin me vëmendje. Shumë veta studiuan dhe e pranuan të vërtetën. Vendasit më quanin «zoti Robert». Polina ishte «zonja Robert». Por ca më vonë, meqë po kaloja më shumë kohë me punët në zyrën e degës dhe dilja më pak në shërbim, njerëzit nisën ta quanin Polinën «zonja Polinë». Mua më thërritnin «zoti Polinë». Polinës i pëlqente kjo.
Rrugës për një fushatë predikimi në Sierra-Leone
Shumë vëllezër ishin të varfër, por Jehovai kujdesej gjithnjë për nevojat e tyre, disa herë në mënyra mbresëlënëse. (Mat. 6:33) Më kujtohet një motër që kishte pará vetëm sa për të blerë ushqim për atë ditë për vete dhe fëmijët, por ia dha paratë një vëllai të sëmurë që nuk kishte mundësi të blinte ilaçe për malarien. Më vonë atë ditë, një grua shkoi papritur te motra dhe e pagoi që t’i stilonte flokët. Ndodhnin shpesh gjëra të tilla.
NIGERI—MËSOHEMI ME NJË KULTURË TË RE
Pas nëntë vjetësh në Sierra-Leone, u caktuam në Bethelin e Nigerisë. Tani ishim në një zyrë dege të madhe. Unë bëja të njëjtën punë zyre që kisha bërë në Sierra-Leone, por për Polinën ishte një ndryshim i madh e i vështirë. Më parë kalonte 130 orë çdo muaj në shërbim dhe kishte studentë të Biblës që po përparonin. Tani u caktua në rrobaqepësi ku riparonte rroba gjithë ditën. U desh ca që të ambientohej, por arriti të kuptonte se të tjerët e vlerësonin shumë punën e saj dhe shfrytëzonte çdo mundësi që të inkurajonte pjesëtarët e familjes Bethel.
Kultura nigeriane ishte e re për ne dhe kishim shumë për të mësuar. Një herë, një vëlla erdhi te zyra ime të më prezantonte një motër që sapo ishte emëruar bethelite. Iu afrova për t’i dhënë dorën, kur ajo u përkul te këmbët e mia. U shokova! Në çast m’u kujtuan dy shkrime: Veprat 10:25, 26 dhe Zbulesa 19:10. Po vrisja mendjen nëse duhej t’i thosha të mos e bënte atë gjë. Por thashë me vete se meqë ishte pranuar në Bethel, duhej t’i dinte mësimet e Biblës.
Ngaqë isha në siklet, gjatë pjesës tjetër të bisedës vetëm sa belbëzova ca fjalë. Më pas bëra kërkime. Mësova se motra kishte vepruar sipas një tradite që ende ndiqej në disa pjesë të vendit. Edhe burrat përkuleshin në të njëjtën mënyrë. Këtë e bënin në shenjë respekti. Nuk ishte formë adhurimi. Edhe në Bibël ka raste të ngjashme. (1 Sam. 24:8) U kënaqa që, me injorancën time, nuk kisha thënë ndonjë gjë që do ta vinte kot në siklet motrën.
Njohëm shumë nigerianë që kishin treguar besim të mahnitshëm gjatë viteve. Më kujtohet Isaia Adagbonai.b Ai e mori të vërtetën kur ishte i ri, por pastaj u diagnostikua me lebër. E çuan në një koloni për të lebrosurit. Ishte i vetmi Dëshmitar aty. Me gjithë kundërshtimin që hasi, ai ndihmoi më shumë se 30 të lebrosur të pranonin të vërtetën dhe formoi një kongregacion në koloni.
KENIA—VËLLEZËRIT TREGUAN DURIM ME MUA
Takojmë një rinoqeront jetim në Kenia
Më 1996 u caktuam në degën e Kenias. Ishte hera e parë që kthehesha në atë shtet që nga vizita që përmenda në fillim. Jetonim në Bethel. Mes atyre që na vizitonin ishin edhe majmunët. Ata «vidhnin» frutat që transportonin motrat. Një ditë, një motër në Bethel kishte lënë dritaren hapur. Kur u kthye në dhomë, gjeti një familje majmunësh që po gostiteshin me ushqimet që kishin gjetur aty. Motra bërtiti dhe ia mbathi jashtë. Majmunët klithën dhe kërcyen nga dritarja.
Polina dhe unë ishim në një kongregacion të gjuhës suahili. Pas pak kohësh, u caktova të drejtoja Studimin e Librit në Kongregacion (tani quhet Studimi i Biblës në Kongregacion). Por gjuha ime ishte shumë e çalë. E studioja materialin që më parë, që të isha në gjendje të lexoja pyetjet. Por, nëse komentet e auditorit ndryshonin sadopak nga ajo që ishte shkruar, nuk i kuptoja. Vihesha shumë në siklet. Sa keq më vinte për vëllezërit dhe motrat! Mbetesha pa fjalë që ata ishin të qetë dhe bashkëpunonin me durim e përulësi.
SHTETET E BASHKUARA—BESIM MES BEGATISË
Në Kenia ndenjëm më pak se një vit. Më 1997 na ftuan në Bethelin e Bruklinit, Nju Jork. Tani ishim në një shtet të begatë. Edhe begatia sjell problemet e veta. (Prov. 30:8, 9) Por edhe në një shtet të tillë, sheh besim të madh. Vëllezërit e motrat i përdorin kohën dhe të ardhurat jo që të pasurohen, por që të mbështetin veprën e mirë të organizatës së Jehovait.
Gjatë viteve kemi parë besimin e vëllezërve tanë në rrethana të larmishme. Në Irlandë, besim mes trazirave. Në Afrikë, besim mes varfërisë dhe izolimit. Në Shtetet e Bashkuara, besim mes begatisë. Sa duhet të gëzohet Jehovai kur sheh nga qielli popullin e tij që shfaq dashuri për të në lloj-lloj rrethanash!
Me Polinën në Bethelin e Uoruikut
Vitet kanë fluturuar, ‘më shpejt se masuri i endësit’. (Jobi 7:6) Tani punojmë bashkë me të tjerë në selinë botërore në Uoruik, Nju Jork. Kemi pasur kënaqësinë të shërbejmë vazhdimisht përkrah njerëzve që e duan vërtet njëri-tjetrin. Jemi të lumtur e të kënaqur të bëjmë ç’të mundemi për të mbështetur Mbretin tonë, Krishtin Jezu, që së shpejti do t’i shpërblejë besnikët e tij të panumërt.—Mat. 25:34.
a Kongreset rajonale në atë kohë quheshin asamble krahinore.
b Jetëshkrimi i Isaia Adagbonait gjendet në Kullën e Rojës të 1 prillit 1988, faqet 22-27. Ai vdiq në vitin 2010.