Si ndikojnë te ne luftërat?
«Që nga Lufta II Botërore, bota po përballet me numrin më të lartë të konflikteve të armatosura, dhe 2 miliardë njerëz—çereku i popullsisë së botës—jetojnë në vende të prekura nga këto konflikte.»
Amina Mohamed, zëvendëssekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, 26 janar 2023.
Vendet që tani janë në paqe, mund të përballen papritur me një luftë a konflikt të armatosur. Madje, edhe njerëzit që nuk jetojnë në zona konflikti, mund të preken prej tyre, meqenëse bota nuk ka qenë kurrë kaq e ndërlidhur. Pasojat e luftërave mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë, edhe pasi luftërat kanë përfunduar. Ja disa prej tyre:
Mungesë ushqimesh. Sipas Programit Botëror për Ushqimin, «konfliktet mbeten shkaku kryesor i urisë. 70 për qind e popullsisë së botës që vuan nga uria, jeton në zonat e prekura nga luftërat e dhuna».
Probleme fizike dhe mendore. Lufta dhe pasiguria që sjell ajo, shkaktojnë stres dhe ankth. Njerëzit që jetojnë në zonat e konfliktit, jo vetëm që mund të pësojnë dëmtime fizike, por me kalimin e kohës edhe të vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor. Mjerisht, ata shpesh nuk arrijnë të marrin ndihmë mjekësore për problemet e tyre.
Shpërngulje të detyrueshme. Sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, që nga shtatori i vitit 2023, mbi 114 milionë njerëz në të gjithë botën janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Një ndër arsyet kryesore për këtë janë luftërat dhe konfliktet e armatosura.
Vështirësi ekonomike. Si pasojë e luftës, shpesh vendet përjetojnë probleme ekonomike, të tilla si inflacioni. Njerëzit vuajnë ngaqë fondet qeveritare shkojnë për financimin e operacioneve ushtarake, në vend se për shërbimet shëndetësore dhe arsimimin. Gjithashtu, kostot për rimëkëmbjen e vendeve pas luftës janë shumë të larta.
Probleme të mjedisit. Njerëzit kanë goxha pasoja kur burimet natyrore të nevojshme për jetën shkatërrohen qëllimisht. Toka, uji dhe ajri i ndotur mund të shkaktojnë probleme afatgjata me shëndetin. Ndërkohë, rreziku i minave të fshehura në tokë vazhdon edhe pasi luftimet kanë përfunduar.
Pa dyshim, luftërat kanë jo vetëm efekt shkatërrues, por edhe kosto të lartë.