ARTIKULLI I STUDIMIT 18
KËNGA 65 Përparo!
Vëllezër të rinj—Imitoni Markun dhe Timoteun
«Merre me vete Markun, sepse është i dobishëm për shërbimin tim.»—2 TIM. 4:11.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do të shqyrtojmë si mund t’i ndihmojë shembulli i Markut dhe i Timoteut vëllezërit e rinj që të zhvillojnë cilësitë e nevojshme për t’u shërbyer më plotësisht të tjerëve.
1-2. Cilat sfida mund t’i kishin penguar Markun dhe Timoteun që t’u shërbenin më plotësisht të tjerëve?
VËLLEZËR të rinj, a dëshironi të bëni më tepër në shërbim të Jehovait dhe t’i mbështetni më shumë vëllezërit e motrat në kongregacion? Jemi të sigurt që po. Na bëhet zemra mal kur shohim kaq shumë djem të rinj që ofrohen vullnetarisht për t’u shërbyer të tjerëve. (Psal. 110:3) Mirëpo, mbase nuk e ke edhe aq kollaj ta bësh këtë. A heziton të bësh më shumë për Jehovain nga frika e së panjohurës? A ke ngurruar ndonjëherë të pranosh një caktim sepse ndiheshe i pasigurt? Nëse po, nuk je i vetmi.
2 Edhe Marku e Timoteu hasën sfida të ngjashme. Ama ata nuk lejuan që frika nga e panjohura ose mungesa e përvojës t’i pengonin që t’u shërbenin të tjerëve. Ka mundësi që Marku jetonte me të ëmën në një shtëpi të rehatshme kur apostulli Pavël dhe Barnaba e ftuan t’i shoqëronte në udhëtimin e parë misionar. (Vep. 12:12, 13, 25) Marku la pas ambientin ku ndihej rehat që të bënte më shumë për Jehovain. Fillimisht shkoi në Antioki. Më vonë udhëtoi me Pavlin dhe Barnabën për në vende të tjera të largëta. (Vep. 13:1-5) Ka të ngjarë që edhe Timoteu po jetonte me prindërit kur Pavli e ftoi të shërbente krah tij në veprën misionare. Timoteu ishte i ri e i papërvojë dhe mund ta kishte lejuar mungesën e vetëbesimit t’i kthehej në pengesë. (Krahaso 1 Korintasve 16:10, 11 dhe 1 Timoteut 4:12.) Gjithsesi, e pranoi ftesën e Pavlit dhe si rezultat pati një jetë plot bekime.—Vep. 16:3-5.
3. (a) Nga e dimë se Pavli i vlerësonte Markun dhe Timoteun? (2 Timoteut 4:6, 9, 11) (Shih edhe figurat.) (b) Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?
3 Marku dhe Timoteu fituan përvojë të çmuar dhe mësuan të mbanin mbi supe përgjegjësi me peshë që në rini. Pavli i vlerësonte aq shumë ata të rinj, sa më vonë, kur kuptoi se jetës së tij po i afrohej fundi, kërkoi që t’i kishte pranë. (Lexo 2 Timoteut 4:6, 9, 11.) Pse i hynë në zemër Pavlit Marku dhe Timoteu? Si mund t’i imitojnë vëllezërit e rinj cilësitë e tyre? Dhe si mund të nxjerrin dobi nga këshillat atërore të Pavlit?
Marku dhe Timoteu i hynë në zemër Pavlit duke mbajtur mbi supe përgjegjësi me peshë që në rini (Shih paragrafin 3)b
IMITO MARKUN—JI I GATSHËM TË SHËRBESH
4-5. Si tregoi Marku se ishte i gatshëm t’u shërbente të tjerëve?
4 Sipas një vepre referimi, t’u shërbesh të tjerëve nënkupton të përpiqesh t’i ndihmosh «me zell dhe pa u dorëzuar». Marku bëri pikërisht këtë. Kur Pavli nuk pranoi ta merrte në udhëtimin e dytë misionar, ka shumë mundësi që Marku të jetë lënduar dhe zhgënjyer. (Vep. 15:37, 38) Gjithsesi nuk u shkurajua, por vazhdoi t’u shërbente vëllezërve e motrave.
5 Marku pranoi një caktim shërbimi me kushëririn e tij Barnabën. Rreth 11 vjet më vonë, Marku ishte mes atyre që e mbështetën Pavlin gjatë burgosjes së parë në Romë. (Fil. 23, 24) Në fakt, Pavli e vlerësoi aq shumë përkrahjen e tij, sa e quajti Markun «burim i madh ngushëllimi».—Kolos. 4:10, 11.
6. Si nxori dobi Marku nga miqësia me të krishterë të pjekur? (Shih shënimin.)
6 Marku nxori shumë dobi nga miqësia e ngushtë me të krishterë të pjekur. Pasi qëndroi për njëfarë kohe me Pavlin në Romë, Marku shkoi të shërbente krah apostullit Pjetër në Babiloni. Ata zhvilluan një miqësi aq të ngushtë, sa Pjetri e quajti «Marku, biri im». (1 Pjet. 5:13) Teksa shërbenin së bashku, ka shumë gjasa që Pjetri t’i ketë treguar mikut të tij të ri në moshë plot detaje interesante për jetën dhe shërbimin e Jezuit. Më vonë Marku i dokumentoi këto në Ungjillin që mban emrin e tij.a
7. Si e imitoi shembullin e Markut një vëlla i ri? (Shih edhe figurën.)
7 Marku jepej plot zell pas shërbimit dhe mbante lidhje të forta me vëllezërit e pjekur. Si mund ta imitosh Markun? Nëse nuk je kualifikuar ende për një privilegj shërbimi, ki durim me veten dhe vazhdo të kërkosh mënyra të tjera për t’u shërbyer Jehovait dhe vëllezërve e motrave. Të shohim rastin e një vëllai që quhet Seng-Uo, i cili tani shërben si plak. Kur ishte më i ri, ai e krahasonte shpesh veten me vëllezër të tjerë të rinj. Disa prej tyre morën privilegje përpara tij. Seng-Uoja ndihej i lënë pas dore dhe, me kohë, vendosi t’u hapej për këtë disa vëllezërve të pjekur. Një plak i sugjeroi të bënte gjithë sa mundej për t’u shërbyer të tjerëve, edhe nëse të mirat që bënte kalonin pa u vënë re ndonjëherë. Ajo këshillë e nxiti Seng-Uonë të ofrohej për të ndihmuar të moshuarit dhe ata që kishin nevojë për transport për të shkuar në mbledhje. Kur kujton atë kohë, ai shprehet: «Kuptova çfarë do të thotë t’u shërbesh vërtet të tjerëve. Provova gëzimin që vjen kur bën gjëra praktike për t’i ndihmuar vëllezërit dhe motrat.»
Si mund të nxjerrin dobi vëllezërit e rinj nga shoqëria me vëllezër të pjekur? (Shih paragrafin 7)
IMITO TIMOTEUN—TREGO MERAK TË SINQERTË PËR TË TJERËT
8. Pse e zgjodhi Pavli Timoteun si shok shërbimi? (Filipianëve 2:19-22)
8 Pavli donte të kishte shokë udhëtimi të guximshëm kur të kthehej në qytetet ku e kishin përndjekur. Si fillim zgjodhi Silën, një i krishterë me përvojë. (Vep. 15:22, 40) Më vonë zgjodhi edhe Timoteun që ta shoqëronte. Çfarë i ra në sy te Timoteu? Një gjë ishte reputacioni i mirë që kishte fituar ai djalë. (Vep. 16:1, 2) Veç kësaj, Timoteu kujdesej sinqerisht për të tjerët.—Lexo Filipianëve 2:19-22.
9. Si tregoi Timoteu se merakosej vërtet për vëllezërit dhe motrat?
9 Që në fillim të shërbimit me Pavlin, Timoteu tregoi se merakosej më shumë për të tjerët sesa për veten. Ja pse Pavli e kishte mendjen të fjetur kur e la në Bere që t’u jepte zemër dishepujve të rinj atje. (Vep. 17:13, 14) Me siguri, Timoteu mësoi shumë nga Sila, me të cilin qëndroi në Bere. Kurse më vonë, në Selanik, Pavli dërgoi vetëm Timoteun që të forconte të krishterët. (1 Sel. 3:2, shën.) Në 15 vitet që pasuan, Timoteu mësoi të «qante me ata që qanin», duke treguar empati për këdo që vuante. (Rom. 12:15; 2 Tim. 1:4) Si mund ta imitojnë vëllezërit e rinj Timoteun?
10. Si mësoi të interesohej më shumë për të tjerët Uo-Xhei?
10 Një vëlla që quhet Uo-Xhei mësoi të interesohej më shumë për të tjerët. Kur ishte i ri, Uo-Xhei e kishte të vështirë të hynte në muhabet me vëllezër e motra më të mëdhenj në moshë. Në Sallën e Mbretërisë, thjesht i përshëndeste shkurt dhe ikte. Një plak i sugjeroi që ta niste muhabetin duke u treguar vëllezërve e motrave se çfarë vlerësonte tek ata. Plaku e inkurajoi edhe të mendonte se për çfarë mund t’u pëlqente të tjerëve të flisnin. Uo-Xhei e zbatoi sugjerimin e plakut. Sot që është plak kongregacioni, ai shprehet: «Tani e kam më të lehtë të bëj biseda domethënëse me njerëz të moshave të ndryshme. Jam i kënaqur që i kuptoj më mirë rrethanat dhe sfidat e të tjerëve. Kjo më ka ndihmuar shumë që t’u gjendem pranë bashkëbesimtarëve.»
11. Si mund të mësojnë vëllezërit e rinj të interesohen nga zemra për të tjerët në kongregacion? (Shih edhe figurën.)
11 Edhe ti vëlla i ri mund të mësosh të tregosh interes për të tjerët. Kur je në mbledhje, interesohu për njerëz të moshave dhe të formimeve të ndryshme. Pyeti si po kalojnë dhe dëgjoji me vëmendje. Kështu, me kalimin e kohës, do të dish si t’i ndihmosh. Për shembull, ndoshta merr vesh se një çift i moshuar kanë nevojë për ndihmë që të përdorin aplikacionin JW Library® ose nuk kanë me kë të dalin në shërbim. A mund t’i ndihmosh të përdorin pajisjet elektronike ose a mund të dalësh me ta në shërbim? Nëse merr iniciativën për t’i ndihmuar të tjerët, do të jesh një shembull i shkëlqyer për të gjithë.
Vëllezërit e rinj mund të ndihmojnë në shumë mënyra praktike në kongregacion (Shih paragrafin 11)
NXIRR DOBI NGA KËSHILLAT ATËRORE TË PAVLIT
12. Si mund të nxjerrin dobi vëllezërit e rinj nga këshillat që i dha Pavli Timoteut?
12 Pavli i dha Timoteut këshilla praktike që ta ndihmonte të kishte sukses në jetë dhe në shërbim. (1 Tim. 1:18; 2 Tim. 4:5) Edhe ti vëlla i ri mund të nxjerrësh dobi nga këshillat atërore të Pavlit. Si? Lexoji dy letrat që i shkroi Pavli Timoteut sikur të t’i ketë shkruar ty dhe mendo cilat këshilla mund të zbatosh. Shqyrto disa shembuj.
13. Çfarë do të të ndihmojë ta zhvillosh përkushtimin ndaj Jehovait?
13 «Stërvitu duke pasur si synim përkushtimin ndaj Perëndisë.» (1 Tim. 4:7b) Çfarë përfshin përkushtimi ndaj Perëndisë? Besnikërinë dhe dashurinë për të, gërshetuar me dëshirën për ta kënaqur. Meqë nuk kemi lindur me këtë cilësi, kemi nevojë ta zhvillojmë. Si? Fjala greke e përkthyer «stërvitu» përdorej shpesh për stërvitjen rigoroze të sportistëve që përgatiteshin për një garë. Atyre sportistëve u duhej vetëdisiplinë. Edhe neve na duhet vetëdisiplinë për të zhvilluar zakone që na afrojnë më shumë me Jehovain.
14. Cili duhet të jetë synimi ynë kur lexojmë Biblën? Ilustrojeni.
14 Teksa e bën zakon ta lexosh Biblën çdo ditë, mos harro se synimi yt është të lidhësh një miqësi më të ngushtë me Jehovain. Për shembull, çfarë mëson për Jehovain kur lexon për takimin e Jezuit me kreun e pasur? (Mar. 10:17-22) Ai i ri e besonte se Jezui ishte Mesia, por nuk kishte aq besim sa të bëhej dishepull i tij. Prapëseprapë, Jezui «ndjeu dashuri për të». A nuk prekesh kur lexon se Jezui i foli me përzemërsi atij të riu? Është e qartë se Jezui donte që ai të merrte një vendim të mençur. Dashuria që ndiente Jezui për të pasqyronte fiks dashurinë që ndiente Jehovai. (Gjoni 14:9) Ndërsa mendon për këtë tregim dhe për rrethanat e tua, pyet veten: «Ç’duhet të bëj që të afrohem më shumë me Jehovain dhe t’u shërbej më plotësisht të tjerëve?»
15. Pse është e rëndësishme që një i ri të lërë shembull të mirë? Ilustrojeni. (1 Timoteut 4:12, 13)
15 «Bëhu shembull për besnikët.» (Lexo 1 Timoteut 4:12, 13.) Pavli e nxiti Timoteun që të zhvillonte jo vetëm aftësi—si leximi i mirë dhe mësimdhënia—por edhe cilësi—si dashuria, besimi dhe dëlirësia. Pse? Sepse shembulli i mirë flet më shumë se fjalët. Ta zëmë se ke për të bërë një fjalim se si të jemi më të zellshëm në shërbim. Do të ndihesh më rehat të flasësh për këtë temë, nëse ti vetë po bën gjithë sa mundesh në shërbim. Shembulli yt do t’u japë peshë fjalëve që thua.—1 Tim. 3:13.
16. (a) Cilat janë pesë aspekte ku një vëlla i ri mund të jetë shembull? (b) Si mund të bëhet shembull një vëlla i ri «në të folur»?
16 Te 1 Timoteut 4:12, Pavli përmend pesë aspekte në të cilat një vëlla i ri mund të jetë shembull. Pse të mos bësh një projekt studimi që të ndalesh më shumë në secilin nga këto aspekte? Ta zëmë se dëshiron të jesh një shembull më i mirë «në të folur». Mendo për mënyra të ndryshme si mund t’i inkurajosh të tjerët me fjalët e tua. Nëse jeton ende me prindërit, a mund t’ua shprehësh më shpesh sa e vlerëson gjithë sa po bëjnë për ty? Pas mbledhjes, a mund t’i thuash një vëllai a motre se çfarë të pëlqeu te pjesa që mbajti? Veç kësaj, mund të përpiqesh të komentosh me fjalët e tua në mbledhje. Përpjekjet e tua për t’u bërë shembull në të folur do të tregojnë qartë se po përparon në të vërtetën.—1 Tim. 4:15.
17. Çfarë do ta ndihmojë një të ri të arrijë synimet teokratike? (2 Timoteut 2:22)
17 «Ik nga dëshirat rinore. Kërko me ngulm drejtësinë.» (Lexo 2 Timoteut 2:22.) Pavli e nxiti Timoteun të luftonte dëshirat që mund ta shpërqendronin nga synimet teokratike dhe që mund t’i dëmtonin marrëdhënien me Jehovain. Ndoshta kupton se disa aktivitete, edhe pse s’janë të gabuara në vetvete, po të vjedhin kohën që u takon aktiviteteve teokratike. Për shembull, mendo sa kohë harxhon duke u marrë me sporte, me internetin ose me videolojëra. A mund të përdorësh ca nga kjo kohë për të bërë më shumë për Jehovain dhe për të tjerët? Mbase mund të japësh një dorë në mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë ose të përfshihesh në programin e kongregacionit për shërbimin me stenda. Ndërsa merr pjesë në aktivitete të tilla, ka shumë gjasa që do të fitosh miq të rinj, të cilët do të të ndihmojnë të vendosësh dhe të arrish synime në shërbim të Jehovait.
KUR U SHËRBEN TË TJERËVE, SHIJON BEKIME
18. Pse mund të themi se Marku dhe Timoteu patën një jetë të bukur e të pasur?
18 Marku dhe Timoteu bënë sakrifica për t’u shërbyer më plotësisht të tjerëve, e kjo ua pasuroi dhe ua zbukuroi jetën. (Vep. 20:35) Marku udhëtoi në pjesë të ndryshme të botës për t’u shërbyer vëllezërve e motrave. Gjithashtu shkroi një histori emocionuese për jetën dhe shërbimin e Jezuit. Timoteu e ndihmoi Pavlin të formonte kongregacione të reja dhe t’u jepte zemër bashkëbesimtarëve. Pa dyshim, Jehovai lumturohej kur shihte frymën vetëmohuese që shfaqnin Marku dhe Timoteu.
19. Pse vëllezërit e rinj duhet t’ua vënë veshin këshillave që i dha Pavli Timoteut, dhe cili do të jetë rezultati?
19 Përzemërsia që ndiente Pavli për Timoteun bie në sy te letrat e frymëzuara që i shkroi mikut të tij të ri në moshë. Këto letra zbulojnë se Jehovai të do fort edhe ty vëlla i ri. Ai dëshiron të kesh sukses në jetë. Prandaj vërua veshin këshillave atërore të Pavlit dhe ushqe dëshirën për t’u shërbyer më plotësisht të tjerëve. Nëse vepron kështu, do të kesh një jetë fantastike tani e ‘do të rrokësh jetën e vërtetë’ në të ardhmen.—1 Tim. 6:18, 19.
KËNGA 80 ‘Shijojeni vetë sa i mirë është Jehovai’
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Marku kujdeset në mënyra praktike për Pavlin dhe Barnabën në udhëtimin e tyre misionar. Me gatishmëri, Timoteu viziton një kongregacion për t’u dhënë forcë e zemër vëllezërve.