JETËSHKRIM
Jehovai na ka ndihmuar ‘të lulëzonim aty ku na mbillnin’
«LULËZONI aty ku ju mbjellin!» Kjo këshillë mund të duket e çuditshme, ama një çift suedez, Metsi dhe An-Katrina, «u mboll» sa e sa herë. Çfarë ndodhi me ta dhe si u erdhi në ndihmë këshilla e mësipërme?
Çifti Kasolm ndoqi shkollën e Galadit në vitin 1979 dhe përgjatë viteve «u mboll», pra u caktua të shërbente në Iran, Mauriki, Mjanmar, Tanzani, Ugandë dhe Zaire. Këshilla që morën në Galad nga instruktori Xhek Redford, i ndihmoi sa herë që «i mbillnin», «i çrrënjosnin» dhe «i rimbillnin». Ja si e shpjegojnë vetë ata.
Mets dhe An-Katrina, si e keni njohur të vërtetën?
Metsi: Gjatë Luftës II Botërore, në Poloni, im atë shihte shumë hipokrizi në Kishën Katolike. E megjithatë, shpesh thoshte: «Jam i sigurt që ka një fe të vërtetë!» Me kohë i dhashë të drejtë. Blija shpesh libra të përdorur, dhe një herë më ra në dorë libri blu E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. Ma kapi syri menjëherë atë titull ndaj e përpiva librin brenda natës. Po atë mëngjes kuptova se kisha gjetur fenë e vërtetë.
Që nga prilli i 72-shit, lexova edhe botime të tjera të Dëshmitarëve të Jehovait, ku mora përgjigje për shumë pyetje që kisha për Biblën. U ndjeva si tregtari në ilustrimin e Jezuit, i cili, me të gjetur një margaritar me vlerë të madhe, shiti gjithçka kishte për ta blerë. Unë ‘shita’ synimet për të ndjekur universitetin e mjekësisë, që të blija ‘margaritarin’ e së vërtetës. (Mat. 13:45, 46) U pagëzova më 10 dhjetor 1972.
Brenda vitit, edhe prindërit me vëllanë e vogël pranuan të vërtetën dhe u pagëzuan. Në korrik 1973 nisa shërbimin në kohë të plotë. Mes pionierëve të zellshëm në kongregacion ishte edhe An-Katrina, një motër e lezetshme që e donte shumë Jehovain. U dashuruam dhe u martuam në vitin 1975. Katër vitet e para jetuam në Suedi, në qytetin e Stromsyndit, një territor i bukur dhe i frytshëm.
An-Katrina: Babai e mori të vërtetën nga fundi i studimeve të larta në Stokholm. Unë isha vetëm 3-muajshe, por ai më merrte me vete në mbledhje dhe shërbim. Mamaja nuk e kishte fare me qejf ndaj dhe u përpoq të tregonte se Dëshmitarët e kishin gabim. Jo vetëm që s’ia doli, por me kalimin e kohës u pagëzua dhe vetë. Kur mbusha 13 vjeç, u pagëzova, dhe në moshën 16-vjeçare nisa të shërbeja si pioniere. Në fillim shërbeva në Umea, ku kishte shumë nevojë për lajmëtarë, dhe më pas u caktova si pioniere speciale.
Pas martesës patëm kënaqësinë të ndihmonim disa veta të pranonin të vërtetën. Mes tyre ishte edhe Mivora, një adoleshente që hoqi dorë nga karriera e saj në sport. Më vonë, ajo u bë shoqja e shërbimit e motrës sime të vogël. Së bashku ndoqën Galadin në vitin 1984 dhe tani po shërbejnë si misionare në Ekuador.
Gjatë caktimeve të shumta misionare, si ia dolët të ndiqnit nxitjen «për të lulëzuar aty ku ju mbillnin»?
Metsi: Në fakt «na rimbillnin» shpesh në caktime të reja. Por u përpoqëm fort ‘të rrënjoseshim’ te shembulli i Jezuit, duke bërë çmos ta imitonim, e veçanërisht përulësinë e tij. (Kolos. 2:6, 7) Konkretisht, nuk prisnim që vëllezërit vendas të na përshtateshin, por ishim ne që përpiqeshim të kuptonim pse vepronin në një mënyrë apo në një tjetër. Donim të njihnim më mirë kulturën dhe mentalitetin e tyre. Sa më shumë e imitonim Jezuin, aq më tepër e ndienim se ishim «mbjellë buzë përrenjve plot ujë», ndaj «lulëzonim» kudo që na caktonin.—Psal. 1:2, 3.
Udhëtimet nëpër kongregacione ishin pjesë e jetës sonë
An-Katrina: Pasi rimbillet, një pemë ka nevojë edhe për ngrohtësinë e diellit që të rritet. Jehovai ka qenë gjithmonë «diell» për ne. (Psal. 84:11) Na ka ngrohur zemrën me dashurinë e motrave dhe të vëllezërve tanë të shtrenjtë. Për shembull, në kongregacionin e vogël të Teheranit, Iran, përjetuam mikpritjen tipike që përshkruhet në Bibël. Do të donim shumë të qëndronim në Iran, por në korrik të 1980-s, qeveria ndaloi zyrtarisht veprën e Dëshmitarëve të Jehovait dhe na dha ultimatum të largoheshim brenda 48 orëve. Si pasojë, vëllezërit na caktuan në Zaire (që tani quhet Republika Demokratike e Kongos), Afrikë.
Kujtime të bukura nga caktimi në Zaire, 1982
Në fillim qava kur mora vesh që na kishin caktuar në Afrikë. Më fuste tmerrin ajo që kisha dëgjuar për gjarpërinjtë dhe sëmundjet në atë vend. Por një çift, me të cilët jemi shumë miq dhe kishin shërbyer atje për shumë vjet, na thanë: «Po ju s’keni vajtur akoma. Provojeni njëherë e pastaj do ta shikoni se do të dashuroheni me të!» Dhe ashtu ndodhi. Motrat dhe vëllezërit atje ishin shumë të dashur. Në fakt, gjashtë vjet më pas, kur na u desh ta linim Zairenë për shkak të një ndalimi, qesha me veten sepse tani po i lutesha Jehovait që të na linte akoma aty.
Çfarë bekimesh keni përjetuar gjatë viteve?
«Dhoma e gjumit» në Tanzani, 1988
Metsi: Ngaqë kemi lëvizur shumë, kemi lidhur miqësi të ngushta me misionarë nga vende të ndryshme. Gjithashtu, në disa caktime, kemi provuar gëzimin e papërshkrueshëm që vjen kur drejton shumë studime të Biblës, ndonjëherë edhe nga 20 secili. Dashuria dhe mikpritja e vëllezërve dhe motrave afrikanë s’do të më shqiten kurrë nga mendja. Kur vizitonim kongregacionet në Tanzani, vëllezërit e motrat na tregonin mikpritje «madje përtej mundësive që kishin», duke na lënë edhe të parkonim «dhomën e gjumit»—furgonin tonë të vogël Volksvagen Kombi—në oborret e tyre. (2 Kor. 8:3) Me An-Katrinën kishim një moment shumë special vetëm për ne të dy që e quanim «momenti i eksperiencave». Në fund të çdo dite uleshim dhe tregonim si kishte kaluar dita dhe falënderonim Jehovain që na kishte mbështetur.
An-Katrina: Për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë të njihja vëllezër e motra nga e gjithë bota. Njohëm kultura interesante dhe mësuam gjuhë të reja, mes të cilave gjuhën farsi, frënge, lugande dhe suahile. Stërvitëm dishepuj të rinj, bëmë shokë të vërtetë dhe punuam «krah për krah» me ta në shërbimin e Jehovait.—Sof. 3:9.
Gjithashtu shijuam larminë fantastike të krijimit të bukur të Jehovait. Çdo herë që pranonim një caktim të ri na dukej sikur po bënim një ekskursion me Jehovain si udhërrëfyes. Ai na ka çuar në vende që s’na kishte shkuar mendja kurrë, duke përjetuar eksperienca të paimagjinueshme.
Duke predikuar në territorin e larmishëm të Tanzanisë
Çfarë sfidash keni hasur dhe si i keni përballuar?
Metsi: Përgjatë viteve kemi luftuar me disa sëmundje tropikale, duke përfshirë edhe malarien. Gjithashtu, An-Katrinës i është dashur të bëjë disa operacione të papritura. Veç këtyre, kemi qenë në ankth për prindërit tanë të moshuar. Sa mirënjohës u jemi vëllezërve e motrës së An-Katrinës dhe vëllait tim që u kujdesën për ta, dhe kështu ne mund të vazhdonim në caktimin tonë! Ata e përmbushën këtë rol me durim, gëzim dhe dashuri. (1 Tim. 5:4) Megjithatë, me raste ndiheshim keq, ngaqë do të donim të bënim më shumë për prindërit, pavarësisht se bëmë aq sa mundëm nga larg.
An-Katrina: Në vitin 1983, ndërsa shërbenim në Zaire, u sëmura rëndë me kolerë. Mjeku i tha Metsit: «Largoje urgjentisht nga ky vend!» Të nesërmen, hipëm në një avion mallrash, i vetmi që nisej për Suedi.
Metsi: Menduam se shërbimit tonë si misionarë i erdhi fundi, ndaj shpërthyem në lot. Por, ndryshe nga parashikimet e mjekut, An-Katrina e mori veten. Kështu, pas një viti, u rikthyem në Zaire, kësaj radhe në një kongregacion të vogël të gjuhës suahile, në Lubumbashi.
An-Katrina: Gjatë kohës sonë në Lubumbashi, pata një abort spontan. Edhe pse nuk e kishim në plan të bëheshim me fëmijë, e përjetuam shumë keq humbjen e të voglit tonë. Gjithsesi, gjatë asaj periudhe të trishtë, morëm një dhuratë të papritur nga Jehovai. Nisëm të drejtonim më shumë studime të Biblës se kurrë më parë. Brenda vitit, numri i lajmëtarëve të kongregacionit u rrit nga 35 në 70, dhe pjesëmarrja në mbledhje shkoi nga 40 në 220. Ishim zhytur kokë e këmbë në shërbim, dhe bekimet e Jehovait na sollën jashtë mase ngushëllim. Megjithatë, herë pas here, e kujtojmë të voglin tonë. Mezi presim të shohim se si Jehovai do ta shërojë plotësisht këtë plagë të zemrës!
Metsi: Erdhi një moment që An-Katrina filloi të ndihej tej mase e rraskapitur. Në të njëjtën kohë, u diagnostikova me kancer në zorrën e trashë, tashmë në fazën e katërt, ndaj iu nënshtrova një operacioni të rëndë. Por sot jam më mirë, dhe An-Katrina përpiqet të japë maksimumin e saj në shërbim të Jehovait.
Kemi kuptuar se nuk jemi të vetmit që hasim vështirësi të tilla. Pas gjenocidit të vitit 1994 në Ruandë, shkuam në kampet e refugjatëve për të takuar shumë nga vëllezërit e motrat tona. Besimi, qëndrueshmëria dhe bujaria e tyre, sidomos në ato kushte aq ekstreme, na mësoi se Jehovai ka fuqi për ta mbështetur popullin e tij në çdo sprovë.—Psal. 55:22.
An-Katrina: Një tjetër sfidë erdhi në kohën e kushtimit të degës së Ugandës, në vitin 2007. Pas programit, po udhëtonim së bashku me 25 misionarë dhe bethelitë për në Najrobi, Kenia. Para se të mbërrinim në kufirin e Kenias, papritur një kamion hyri në korsinë tonë dhe u përplas kokë më kokë me autobusin që po udhëtonim. Shoferi dhe pesë nga vëllezërit e motrat tona vdiqën në vend, kurse një motër vdiq më vonë në spital. Mezi presim kohën kur t’i takojmë sërish!—Jobi 14:13-15.
Me kalimin e kohës, plagët që m’u shkaktuan nga aksidenti m’u shëruan, por bashkë me Metsin, ishim ndër ata pasagjerë që vuajtëm nga çrregullimi i stresit post-traumatik. Shpesh, gjatë natës, zgjohesha nga sulmet e ankthit, me ndjesinë sikur po pësoja një infarkt. Ishte vërtet e frikshme! Por lutjet e zjarrta dhe shkrimet tona të preferuara, na ndihmonin të qetësoheshim. Gjithashtu u konsultuam me mjekë specialistë që na ndihmuan shumë. Tani simptomat janë rralluar. I lutemi Jehovait të na ndihmojë që t’i ngushëllojmë të tjerët që po luftojnë me këtë çrregullim.
Kur thatë si i përballuat vështirësitë, përmendët se Jehovai ju mbajti «si vezë të gjalla». Çfarë donit të thoshit me këtë?
Metsi: Kjo është një shprehje në suahile «tumebebwa kama mayai mabichi», që përkthehet «na mbajtën si vezë të gjalla». Ashtu si i mbajmë me kujdes vezët që të mos thyhen, edhe Jehovai na ka mbështetur butësisht në çdo caktim. S’na ka munguar kurrë asgjë, madje kemi pasur më shumë nga ç’na nevojitej. Një mënyrë tjetër si e kemi ndier dashurinë dhe mbështetjen e Jehovait, është përmes empatisë që ka shfaqur Trupi Udhëheqës me ne.
An-Katrina: Dua të veçoj një rast konkret si na ka mbështetur me butësi Jehovai. Një ditë më morën në telefon nga Suedia dhe më njoftuan se im atë ishte shtruar në spital në gjendje shumë të rëndë. Metsi sapo kishte kaluar malarien. Nuk kishim para mjaftueshëm për të prerë biletat, ndaj vendosëm të shitnim makinën. Por më pas na erdhën dy telefonata të tjera. E para erdhi nga një çift që kishte marrë vesh për situatën tonë dhe donte të paguante njërën nga biletat. Kurse telefonata tjetër erdhi nga një motër e moshuar, që kishte kursyer disa para në një kuti mbi të cilën kishte shkruar: «Për dikë në nevojë.» Brenda pak minutash, Jehovai na erdhi në ndihmë!—Hebr. 13:6.
Kur ktheni kokën pas, çfarë keni mësuar nga 50 vitet e shërbimit tuaj në kohë të plotë?
Në caktimin tonë të ri në Mjanmar
An-Katrina: Kam kuptuar sa të vërteta janë fjalët se forca jonë ʻqëndron në qetësinë dhe në besimin tonëʼ. Kur tregojmë besim te Jehovai, në njëfarë kuptimi, lufta jonë bëhet lufta e tij. (Isa. 30:15; 2 Kron. 20:15, 17) Ngaqë i kemi dhënë më të mirën në çdo caktim, Jehovai ka derdhur mbi ne shumë më tepër bekime nga sa mund të kishim po të jetonim ndryshe.
Metsi: Mësimi më i rëndësishëm që kam nxjerrë, është të mbështetem te Jehovai në çdo situatë e të pres që ai të veprojë. (Psal. 37:5) Dhe Jehovai gjithmonë e ka mbajtur fjalën. Ende e ndiejmë dorën e tij në caktimin tonë këtu në Bethelin e Mjanmarit.
Shpresojmë që shumë të rinj, të cilët duan të zgjerojnë shërbimin, të provojnë të njëjtën dashuri besnike që Jehovai ka treguar për ne. Jemi të sigurt se kjo do të ndodhë pa diskutim po të lejojnë Jehovain t’i ndihmojë të lulëzojnë kudo që t’i mbjellin.