NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR
Një mbledhje e re për jetën dhe shërbimin tonë të krishterë
NË MBLEDHJEN vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania më 3 tetor 2015, Entoni Moris, anëtar i Trupit Udhëheqës, njoftoi se Shkolla e Shërbimit Teokratik, Mbledhja e Shërbimit dhe Studimi i Biblës në Kongregacion do të zëvendësoheshin me një mbledhje të re, të quajtur Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë. Vëlla Morisi shpjegoi se Shërbimi ynë i Mbretërisë do të zëvendësohej me një botim mujor tetë-faqësh e me ngjyra, të quajtur Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje, që përmban programin javor të mbledhjes dhe figura që e bëjnë studimin e Biblës më domethënës.
Mbledhja e re ka tri rubrika:
Thesare nga Fjala e Perëndisë. Pjesa e parë në këtë rubrikë është një fjalim prej dhjetë minutash që bazohet te leximi javor i Biblës dhe te figurat në fletën e studimit. Pjesa e dytë, «Të gërmojmë në Bibël për xhevahire», është një diskutim prej tetë minutash dhe pastaj vijon leximi i Biblës prej katër minutash.
Stërvitu për shërbimin. Zakonisht në këtë rubrikë tre studentë demonstrojnë bisedën e parë, rivizitën dhe studimin biblik.
Të jetojmë si të krishterë. Kjo rubrikë tregon si zbatohen parimet biblike në jetën e përditshme. Një aspekt i rëndësishëm i kësaj pjese është diskutimi me pyetje-përgjigje i Studimit të Biblës në Kongregacion.
Lajmëtarët anembanë botës kanë shprehur vlerësim për stërvitjen praktike që sigurohet në këtë mbledhje të re. Një vëlla në Australi shkroi: «Mbledhja Jeta dhe shërbimi është shumë e bukur. Materiali që trajtohet është më praktik dhe prezantimet janë të thjeshta. Mbrëmja fluturon pasi pjesët janë më të shkurtra, nxjerrin në pah pikën kryesore dhe të mbajnë mjaft të përqendruar, sidomos videot e pjesët ku përfshihen fëmijët.»
Një trup pleqsh kongregacioni në Itali shkroi: «Kemi parë se mbledhja e re na ka nxitur të gjithëve të përgatitemi më mirë dhe, si rrjedhojë, të aftësohemi në mësimdhënie. Formati i ri i përmirësuar i mbledhjes së mesjavës është tregues i mënyrës së jashtëzakonshme se si Jehovai po e mëson popullin e tij. Një lajmëtar 15-vjeçar tha: ‘Më parë e kisha të vështirë të përqendrohesha gjatë gjithë mbledhjes. Por mbledhja e re më ka ndihmuar të përqendrohem e të përgatitem më mirë në shtëpi.’»
Një familje nga Austria u shpreh: «Përgatitja e leximit javor të Biblës me vajzën tonë dhjetëvjeçare ishte sfidë. Por pjesa ‘Thesare nga Fjala e Perëndisë’ na ka nxitur të komentojmë më shumë. Që të tre kënaqemi kur bëjmë leximin javor të Biblës. Për më tepër, e shohim sa shumë është afruar vajza jonë me Jehovain.»
Inesa nga Gjermania shpjegon: «Nxitem që ta përgatis materialin e të mendoj më thellë për të. Kurrë s’kam bërë kaq shumë kërkime. Tani kam një marrëdhënie më të ngushtë me Jehovain. Bota e Satanait më lodh e më rraskapit, por mbledhjet më gjallërojnë e më ndihmojnë të mos dorëzohem.»
Kongregacionet në Ishujt Solomon po e shijojnë plotësisht mbledhjen e mesjavës dhe po përpiqen fort të nxjerrin sa më shumë dobi prej saj. Shumë kongregacione ndodhen në zona të thella, pa elektricitet a internet dhe vëllezërit bëjnë jetë fare të thjeshtë me të ardhurat që nxjerrin nga bujqësia. Si ia bëjnë për të parë videot mujore në mbledhje? Lajmëtarët në një kongregacion në ishullin e Malajtës vendosën të punonin së bashku e të shisnin arra kokosi të thara. Të ardhurat ia dhanë kongregacionit që të blinin një pajisje të thjeshtë, e cila karikohej me energji diellore, për të parë videot. Çdo muaj, vëllezërit udhëtojnë në vendin më të afërt ku ka internet që të shkarkojnë videot, të cilat pastaj i shohin në mbledhje me të tjerët.
Një vëlla në Shtetet e Bashkuara shkroi: «Mësoj më kollaj duke i parë gjërat. Për më se 40 vjet kam pasur një luftë të vërtetë me veten. Më duhet ta lexoj diçka disa herë para se të jem në gjendje t’ia shpjegoj dikujt tjetër. Prandaj doja ta falënderoja Trupin Udhëheqës për të gjitha mjetet pamore që kemi në dispozicion. Videot që prezantojnë librat e Biblës janë fantastike dhe figurat në fletëstudimin për mbledhje janë pikërisht ajo që më duhet. Duket qartë që Jehovai i ka bekuar përpjekjet tuaja për të ndihmuar popullin e tij. Faleminderit nga zemra!»
Malavi