Çfarë thotë Bibla për bashkëjetesën pa qenë të martuar?
Përgjigjja e Biblës
Bibla thotë se vullneti i Perëndisë është që njerëzit ‘të rrinë larg imoralitetit seksual’. (1 Selanikasve 4:3) Shprehja ‘imoralitet seksual’ që përdoret në Bibël, përfshin kurorëshkeljen, aktet homoseksuale dhe seksin mes një burri e një gruaje që nuk janë të martuar.
Pse ka rëndësi për Perëndinë nëse një çift është i martuar apo jo?
A duhet të bashkëjetojnë një burrë e një grua që të kuptojnë nëse përshtaten?
Pse ka rëndësi për Perëndinë nëse një çift është i martuar apo jo?
Martesën e themeloi Perëndia. Këtë e bëri kur lidhi në martesë dy njerëzit e parë. (Zanafilla 2:22-24) Ai nuk kishte për qëllim që burri e gruaja të jetonin së bashku pa marrë përsipër angazhimin e martesës.
Perëndia e di çfarë është më e mira për njerëzit. Ai e krijoi martesën si një lidhje të përhershme mes një burri e një gruaje që do t’u sillte dobi gjithë pjesëtarëve të familjes dhe do t’i mbronte. Mendo për këtë ilustrim të thjeshtë: për të montuar siç duhet një mobilie, na duhen udhëzimet e prodhuesit. Po njësoj, për të pasur një familje të suksesshme, na duhen udhëzimet e Perëndisë. Normat e Tij dalin gjithmonë për të mirën e atyre që i zbatojnë.—Isaia 48:17, 18.
Udhëzimet e prodhuesit të tregojnë si të montosh një mobilie. Ndërsa udhëzimet e Perëndisë të tregojnë si të kesh një familje të suksesshme
Seksi jashtë martese mund të ketë pasoja të rënda. Për shembull, mund të sjellë shtatzëni të padëshiruara, sëmundje të transmetuara seksualisht dhe plagë emocionale.
Perëndia u dha burrave e grave aftësinë që me anë të seksit të lindin fëmijë. Ai e konsideron jetën të shenjtë, dhe aftësia për të lindur fëmijë është një dhuratë e çmuar. Ndaj Zoti dëshiron që ta vlerësosh këtë dhuratë duke e nderuar martesën.—Hebrenjve 13:4.
A duhet të bashkëjetojnë një burrë e një grua që të kuptojnë nëse përshtaten?
Sekreti për një martesë të suksesshme nuk është një «periudhë prove» paraprake, nga e cila partnerët mund të heqin dorë pa e vrarë mendjen. Përkundrazi, marrëdhënia mes çiftit lulëzon kur të dy janë të përkushtuar me gjithë shpirt dhe punojnë së bashku për të kapërcyer problemet.a Martesa e forcon ndjenjën e përkushtimit.—Mateu 19:6.
Si mund të kenë çiftet një martesë të fortë?
Nuk ka martesa të përsosura. Sidoqoftë, çiftet mund të kenë një martesë të suksesshme po të zbatojnë këshillat e Biblës. Ja disa prej tyre:
Vendosi interesat e bashkëshortit para të tuave.—1 Korintasve 7:3-5; Filipianëve 2:3, 4.
Zhvilloni dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin.—Efesianëve 5:25, 33.
Mëso ta kontrollosh gjuhën.—Proverbat 12:18.
Ji i duruar dhe gati të falësh.—Kolosianëve 3:13, 14.
a Shih artikullin «1—Përkushtimi», te revista Zgjohuni! nr. 2, 2018.