BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • ijwyp artikulli 19
  • Pse bëj të prera në trup?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pse bëj të prera në trup?
  • Të rinjtë pyesin
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çfarë do të thotë të bësh të prera në trup?
  • Pse e dëmtojnë veten?
  • Si të heqësh dorë nëse e ke këtë problem?
  • Pse e dëmtoj veten?
    Zgjohuni!—2006
  • Pse hoqa dorë nga një karrierë fitimprurëse?
    Zgjohuni!—2010
  • Ç’të bëj që të mos e dëmtoj më veten?
    Zgjohuni!—2006
  • Kur fëmija adoleshent dëmton veten
    Zgjohuni!—2013
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin
ijwyp artikulli 19

TË RINJTË PYESIN

Pse bëj të prera në trup?

  • Çfarë do të thotë të bësh të prera në trup?

  • Pse e dëmtojnë veten?

  • Si të heqësh dorë nëse e ke këtë problem?

  • Intervistë

  • Pyetje për të menduar

  • Ditari im i shkrimeve

Çfarë do të thotë të bësh të prera në trup?

Të bësh të prera do të thotë ta dëmtosh veten në mënyrë impulsive me një objekt të mprehtë. Kjo është një formë e vetëdëmtimit. Forma të tjera përfshijnë të digjesh, të bëhesh vula-vula ose të godasësh veten. Ndonëse ky artikull flet për prerjet në trup, parimet e trajtuara zbatohen për të gjitha format e vetëdëmtimit.

Pyetësor: e vërtetë apo e rreme?

  1. Vetëm vajzat bëjnë të prera në trup.

  2. Kjo gjë shkel urdhrin e Biblës te Levitiku 19:28, ku thuhet: «Mos bëni prerje në trup.»

Përgjigjet e sakta:

  1. E rreme. Megjithëse ky problem është më i përhapur te vajzat, edhe disa djem bëjnë të prera në trup dhe e dëmtojnë veten në forma të ndryshme.

  2. E rreme. Levitiku 19:28 flet për një rit të lashtë pagan, jo për zakonin e prerjeve në trup që bëhet në mënyrë impulsive, i cili trajtohet në këtë artikull. Sidoqoftë, është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se Krijuesi ynë i dashur nuk do që të dëmtojmë veten.​—1 Korintasve 6:12; 2 Korintasve 7:1; 1 Gjonit 4:8.

Pse e dëmtojnë veten?

Pyetësor: cili pohim mendon se është më i saktë?

Njerëzit bëjnë të prera në trup . . .

  1. sepse përpiqen të kapërcejnë torturën emocionale.

  2. sepse duan të vrasin veten.

Përgjigjja e saktë: A. Shumica e atyre që bëjnë të prera nuk duan të vdesin. Thjesht nuk duan të vuajnë emocionalisht.

Ja çfarë thonë disa të rinj për këtë veprim:

Silia: «Deri diku më lehtësonte.»

Tamara: «Më dukej sikur arratisesha diku. Dhembja fizike ishte më e mirë se ajo emocionale.»

Keri: «E urreja trishtimin. Kur bëja të prera, shpërqendrohesha nga mërzia dhe përqendrohesha te dhembja fizike.»

Xherina: «Sa herë që bëja të prera në trup, bëhesha gati e pavetëdijshme për gjërat që më rrethonin dhe më dukej sikur nuk kisha më probleme. Mezi e prisja këtë ndjesi.»

Si të heqësh dorë nëse e ke këtë problem?

Lutjet drejtuar Perëndisë Jehova mund të jenë një hap i rëndësishëm drejt shërimit. Bibla thotë: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:7.

Sugjerim: fillo me lutje të shkurtra, ndoshta thjesht duke i thënë Jehovait: «Kam nevojë për ndihmë.» Me kalimin e kohës do të arrish të hapesh më shumë dhe t’ia zbrazësh ndjenjat ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi’.​—2 Korintasve 1:3, 4.

Lutja nuk është mbështetje nga ana psikologjike. Është komunikim domethënës me Atin tënd qiellor, i cili premton: «[Unë] do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.»​—Isaia 41:10.

Shumë nga ata që janë përpjekur të mos bëjnë më prerje, janë lehtësuar kur kanë folur me njërin nga prindërit ose me një të rritur të besuar. Ja disa nga komentet e tre të rinjve që kanë vepruar pikërisht kështu.

Intervistë

  • Diana, 21 vjeçe

  • Keti, 15 vjeçe

  • Lorena, 17 vjeçe

Sa vjeçe ishe kur nise të bëje të prera në trup?

Lorena: Fillova kur isha 14 vjeçe.

Diana: Isha 18 vjeçe dhe nuk e kisha zakon të pritesha rregullisht. Më ndodhte çdo ditë për një a dy javë rresht, pastaj rrija një muaj pa bërë gjë fare.

Keti: Nisa në moshën 14-vjeçare. Ende e bëj ndonjëherë.

Pse doje ta lëndoje veten?

Keti: E urreja shumë veten. Mendoja se nuk më donte njeri si shoqe.

Diana: Ndonjëherë mërzia më kthehej në zhgënjim e më pas në dëshpërim. Trishtohesha kaq shumë sa nuk mbaja dot më. Ishte si një bishë gjigante brenda meje dhe më dukej sikur duhej të pritesha që të dilte jashtë.

Lorena: Dëshpërohesha, inatosesha me veten ose thjesht ndihesha përtokë. Ndihesha si fundërrinë dhe doja ta hiqja qafe gjithë atë kalbësirë të tmerrshme emocionale. Ndonjëherë më dukej se e meritoja dhembjen fizike.

A ndiheshe më mirë kur e lëndoje veten?

Diana: Po, ndihesha. Lehtësohesha si të kisha hequr një barrë.

Keti: Është si një formë të qari. Pasi bëja të prera, ndihesha po aq mirë sa dikush që ka qarë mirë e mirë.

Lorena: Të dëmtoja veten ishte si të shpoja pak tullumbacen plot ndjenja negative brenda meje. Nuk plaste, por vetëm sa rridhte pak nga pak e nxirrte gjithçka negative.

A kishe frikë t’i tregoje ndokujt për atë që bëje?

Lorena: Po. Kisha frikë mos mendonin se isha e çuditshme. Plus nuk doja që të tjerët të ndërhynin në jetën time private.

Diana: Njerëzit më thoshin gjithnjë se u dukesha tip i fortë, dhe doja ta mbanin këtë mendim. Po të kërkoja ndihmë, më dukej sikur do të dështoja.

Keti: Kisha frikë mos njerëzit do të mendonin se kisha probleme emocionale, e nga kjo ndihesha edhe më keq. Përveç kësaj, mendoja se e kisha hak ta dëmtoja veten.

Çfarë të ndihmoi të ndryshoje?

Lorena: I thashë mamit çfarë po bëja. U konsultova edhe me një mjeke që më tregoi si të kontrolloja ndjenjat negative. Kur disa herë nuk ia dola, më ndihmoi përmirësimi i zakoneve të studimit të Biblës. Gjithashtu jam aktive në shërbimin e krishterë. Ndoshta gjithmonë do të më duhet t’i mposht ndjenjat e pavlefshmërisë, por, kur e nxjerrin prapë kokën, mundohem të mos i lë të sundojnë mbi mua.

Keti: Një motër e krishterë që është rreth dhjetë vjet më e madhe se unë, e dalloi se diçka nuk shkonte dhe në fund iu hapa. Për habinë time, edhe ajo e kishte pasur këtë problem dikur. Nuk më dukej vetja e çuditshme kur i flisja, sepse e kishte kaluar vetë. Edhe një mjeke na ndihmoi mua e prindërit të kuptonim çfarë po kaloja.

Diana: Një natë isha në shtëpinë e një çifti që u besoja dhe burri e vuri re se diçka nuk shkonte. Më nxiti me dashamirësi t’u tregoja çfarë halli kisha. Gruaja e tij më përqafoi gjatë, tamam si bënte mami kur isha e vogël. Nisëm të qanim të dyja. Ishte e vështirë t’u thosha ç’i kisha bërë vetes, por jam e kënaqur që ua thashë.

Si të ka ndihmuar Bibla?

Diana: Bibla më ka ndihmuar të kuptoj se nuk mund ta luftoj vetëm këtë. Kam nevojë për ndihmën e Jehovait.​—Proverbat 3:5, 6.

Keti: Leximi i Biblës dhe dijenia se mesazhi i saj vjen nga Perëndia, më japin shumë zemër!​—2 Timoteut 3:16.

Lorena: Kur lexoj shkrime që më prekin, i shkruaj në një bllok që të meditoj për to më vonë.​—1 Timoteut 4:15.

A të ka prekur ndonjë shkrim në veçanti?

Diana: Proverbat 18:1 thotë: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» Ndonjëherë e kam të vështirë të rri mes njerëzve, por ky shkrim më ndihmon të kuptoj se veçimi është i rrezikshëm.

Keti: Dy vargje biblike që më pëlqejnë janë Mateu 10:29, 31, ku Jezui thotë se asnjë harabel nuk bie përtokë pa dijeninë e Perëndisë Jehova. Pastaj shton: «Prandaj, mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.» Edhe sot, kur i lexoj këto shkrime, kujtohem se kam vlerë për Jehovain.

Lorena: Më pëlqen Isaia 41:9, 10, ku Jehovai i thotë popullit të tij: «Nuk të kam hedhur poshtë. Mos ki frikë, se unë jam me ty. . . . Unë do të të jap forcë.» Kur mendoj për diçka të përforcuar, imagjinoj diçka të padepërtueshme, një ndërtesë me mure guri. Ky shkrim më fuqizon, sepse e di se Jehovai më do dhe se do të jetë gjithnjë në anën time.

Pyetje për të menduar

  • Kujt mund t’i hapesh kur ke nevojë për ndihmë?

  • Çfarë mund t’i thuash Jehovait në lutje për këtë çështje?

  • A mund të përmendësh dy mënyra (pa përmendur vetëdëmtimin) si e çliron stresin dhe ankthin?

Ditari im i shkrimeve

Sugjerim: kur lexon një shkrim biblik që të siguron se Jehovai të do ose që të ndihmon të kesh pikëpamje të ekuilibruar për veten e dështimet, mbaje shënim. Me një ose dy fjali shpjego pse shkrimi ka rëndësi për ty. Për të filluar, ja disa shkrime që e kanë ndihmuar Dianën, Ketin e Lorenën.

  • Romakëve 8:38, 39

    «Këto vargje më tregojnë se Jehovai më do, edhe kur ndihem fare përtokë.»​—Diana.

  • Psalmi 73:23

    «Shkrime të tilla më sigurojnë se nuk jam vetëm. Më duket tamam sikur Jehovai është këtu pranë meje.»​—Keti.

  • 1 Pjetrit 5:10

    «Lehtësimi ndoshta nuk vjen menjëherë, prandaj mund të vuajmë ‘për pak kohë’. Por, në fund, Jehovai na jep forcën për të përballuar çdo gjë.»​—Lorena.

Shkrime të tjera për të menduar

  • Psalmi 34:18

  • Psalmi 54:4

  • Psalmi 55:22

  • Isaia 57:15

  • Mateu 11:28, 29

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo