SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Misionarët shkojnë «deri në skajin më të largët të tokës»
1 QERSHOR 2021
Jezui u tha dishepujve të tij: «Do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8) Sot, Dëshmitarët e Jehovait po e përmbushin me zell këtë caktim. Megjithatë, në disa pjesë të tokës, ndër to edhe zona të mëdha me popullsi të dendur, akoma nuk është dhënë një dëshmi e plotë. Përveç kësaj, në disa vende, numri i Dëshmitarëve është relativisht i vogël. (Mateu 9:37, 38) Çfarë po bëjmë që t’u predikojmë sa më shumë njerëzve të jetë e mundur?
Për t’iu bindur këtij urdhri të Jezuit, Komiteti i Shërbimit i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait cakton misionarë në fushë në zona ku ka nevojë anekënd botës. Tani, në të gjithë botën ka 3.090 misionarë në fushë.a Shumica është stërvitur nga Bibla nëpërmjet shkollave të veçanta, si Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Misionarët janë të gatshëm të lënë shtëpitë e tyre dhe të transferohen në një vend të huaj. Falë pjekurisë, stërvitjes dhe përvojës, këta misionarë besnikë po ndihmojnë për të predikuar lajmin e mirë dhe po lënë një shembull të shkëlqyer për dishepujt e rinj.
Misionarët ndihmojnë në predikimin e lajmit të mirë atje ku ka shumë nevojë për Dëshmitarë
Ndihmojmë misionarët që të ndihmojnë të tjerët
Në çdo zyrë dege, Zyra për Shërbëtorët në Fushë e Repartit të Shërbimit punon me Komitetin e Degës që të kujdeset për nevojat e misionarëve: për shembull, të gjejnë një shtëpi modeste, të marrin kujdesin e duhur shëndetësor dhe të kenë një dhuratë të vogël për shpenzimet e përditshme. Gjatë vitit të shërbimit 2020, Dëshmitarët e Jehovait shpenzuan afërsisht 27 milionë dollarë për t’u kujdesur për misionarët. Falë kësaj, misionarët po i përqendrojnë gjithë energjitë e vëmendjen për të predikuar dhe për të forcuar kongregacionin e tyre.
Misionarët kontribuojnë për të forcuar kongregacionet
Si po i kontribuojnë misionarët veprës së predikimit? Frank Madseni, që shërben në Komitetin e Degës në Malavi, tha: «Me guximin dhe aftësitë e tyre, misionarët po ndihmojnë kongregacionet të mbulojnë territore sfiduese, si lagjet që kanë pika kontrolli për hyrje-daljet dhe zonat ku fliten gjuhë të huaja. Gjithashtu, me punën e palodhur për të mësuar gjuhën dhe kulturën vendëse, lënë një shembull të mirë për të tjerët dhe ndikojnë pozitivisht te të rinjtë, që të synojnë të shërbejnë në kohë të plotë. Falënderojmë Jehovain për misionarët në fushë!»
Një anëtar i Komitetit të Degës nga një vend tjetër, thotë: «Misionarët janë një shembull i gjallë, që tregon se populli i Jehovait është i bashkuar në tërë botën. Edhe ata që nuk janë Dëshmitarë, mund ta shohin qartë se nuk jemi të përçarë nga kulturat e ndryshme, por se mësimet e Biblës na kanë ndihmuar të jemi një vëllazëri e bashkuar.»
Si po i ndihmojnë misionarët lajmëtarët vendës? Paulo nga Timori Lindor është mirënjohës për misionarët në kongregacionin e tij. Ai komenton: «Këtu te ne temperaturat janë tmerrësisht të larta. Mirëpo, edhe pse vijnë nga vende të ftohta, misionarët nuk kanë lejuar kurrë që moti t’i pengojë për predikimin. Janë gjithmonë në mbledhje për shërbim në mëngjes. Shpesh i shoh duke bërë rivizita në mes të ditës, kur është piku i vapës, dhe mbrëmjeve. Kanë ndihmuar gjithë ata njerëz të mësojnë të vërtetën, mes tyre dhe mua. Plot zell dhe entuziazëm po përdorin tërë jetën për t’i shërbyer Jehovait, dhe kjo po nxit gjithë kongregacionin t’i shërbejë Atij më plotësisht.»
Keti, pioniere e rregullt në Malavi, tregon si e ka ndihmuar familjen e saj një çift misionarësh: «Kur u caktuan në kongregacionin tonë, isha e vetmja Dëshmitare në familje. Çifti më ndihmoi jashtë mase dhe u lidh shumë me familjen time. Shembulli i tyre i shkëlqyer ka ndihmuar fëmijët e mi të shohin se, kur i shërbejmë Jehovait, bëjmë një jetë të lumtur dhe fantastike. Falë ndikimit të mirë të misionarëve, të tria vajzat e mia po shërbejnë si pioniere të rregullta, ndërsa bashkëshorti ka filluar të ndjekë mbledhjet.»
Si mbulohen shpenzimet për t’u kujdesur për misionarët? Nëpërmjet dhurimeve për veprën mbarëbotërore, mjaft prej të cilave bëhen në mënyra të ndryshme në donate.jw.org. Këto kontribute bujare vlerësohen jashtë mase.
a Këta misionarë janë caktuar në kongregacione që kanë nevojë për mbështetje në veprën e predikimit. 1.001 misionarë të tjerë shërbejnë në veprën qarkore.