BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yp2 kap. 4 f. 42-47
  • Deri ku është caku?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Deri ku është caku?
  • Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Vër kufij të qartë
  • Marrëdhëniet seksuale para martesës
    Zgjohuni!—2013
  • Kur mund të nis një lidhje romantike?
    Zgjohuni!—2007
  • A jam gati të lidhem me dikë?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • A kanë rregulla Dëshmitarët e Jehovait për rastet kur një djalë dhe një vajzë nisin një lidhje?
    Pyetje që bëhen më shpesh për Dëshmitarët e Jehovait
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
yp2 kap. 4 f. 42-47

KAPITULLI 4

Deri ku është caku?

E vërtetë apo e rreme?

Në çfarëdo rrethane, është gjithnjë e gabuar që dy të dashuruar të prekin njëri-tjetrin.

□ E vërtetë

□ E rreme

Një çift të dashuruarish, ndonëse nuk kryejnë marrëdhënie seksuale, mund të jenë fajtorë për kurvëri.

□ E vërtetë

□ E rreme

Nëse dy të dashur nuk e shprehin lirshëm dashurinë me përqafime, përkëdhelje e puthje, do të thotë që s’janë të dashuruar.

□ E vërtetë

□ E rreme

PA DYSHIM, ke menduar shumë për këtë temë. Në fakt, nëse ke një të dashur, mund ta kesh të vështirë të dish ku është caku kur bëhet fjalë për shprehjet intime të dashurisë. Le të analizojmë tri pohimet e mësipërme dhe të shohim se si na ndihmon Fjala e Perëndisë për t’iu përgjigjur pyetjes: «Deri ku është caku?»

● Në çfarëdo rrethane, është gjithnjë e gabuar që dy të dashuruar të prekin njëri-tjetrin.

E rreme. Bibla nuk i dënon shprehjet e pastra dhe të pranueshme të dashurisë. Për shembull, Bibla tregon historinë e një vajze shulamite dhe të një çobani të ri që kishin rënë në dashuri. Ata kishin filluar të njiheshin, dhe lidhja e tyre ishte e pastër. Megjithatë, me sa duket, shkëmbyen disa shprehje dashurie para se të martoheshin. (Kënga e Solomonit 1:2; 2:6; 8:5) Edhe sot, disa çifte që po mendojnë seriozisht për martesën, mund të jenë të mendimit se disa shprehje të pastra dashurie nuk janë pa vend.a

Megjithatë, duhet thënë se një çift të dashuruarish duhet të tregojë kujdes shumë, shumë të madh. Puthjet, përqafimet a ndonjë gjë tjetër që të bëjnë të vlojë gjaku mund të çojnë në sjellje të pamoralshme. Edhe një çift me synime të pastra, fare lehtë mund të humbë kontrollin e të bëjë imoralitet seksual.​—Kolosianëve 3:5.

● Një çift të dashuruarish, ndonëse nuk kryejnë marrëdhënie seksuale, mund të jenë fajtorë për kurvëri.

E vërtetë. Fjala greke që përkthehet «kurvëri» (pornéia) ka një kuptim mjaft të gjerë. Ajo përshkruan të gjitha format e marrëdhënieve seksuale jashtë lidhjes martesore dhe përqendrohet te keqpërdorimi i organeve seksuale. Pra, kurvëria nuk përfshin vetëm marrëdhënien seksuale në vetvete, por edhe akte të tilla, si masturbimin e dikujt tjetër apo seksin oral dhe anal.

Veç kësaj, Bibla nuk dënon vetëm kurvërinë e mirëfilltë. Apostulli Pavël shkroi: «Veprat e mishit duken qartë, dhe ato janë: kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur.» Më pas, shtoi: «Ata që praktikojnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.»​—Galatasve 5:19-21.

Çfarë është «ndyrësia»? Termi në greqisht për këtë fjalë përfshin papastërtinë e çdo lloji, qoftë me fjalë, qoftë me veprime. Kuptohet se do të ishte ndyrësi që duart e dikujt të rrëshqasin nën rrobën e tjetrit, të zhveshin një tjetër ose të ledhatojnë pjesët intime të një tjetri, si për shembull gjinjtë. Në Bibël, ledhatimi i gjinjve është një kënaqësi që u rezervohet çifteve të martuara.​—Proverbat 5:18, 19.

Disa të rinj i sfidojnë me paturpësi normat e vendosura nga Perëndia. Ata me qëllim e kalojnë cakun, ose me pangopësi kërkojnë disa partnerë me të cilët praktikojnë ndyrësi seksuale. Ata mund të ngarkohen me fajin e asaj që apostulli Pavël e quajti ‘sjellje të shthurur’. Fjala greke për ‘sjellje e shthurur’ do të thotë «sjellje e paturp, teprim, pafytyrësi, epsh i pafre». Sigurisht që ti nuk do që të jesh nga ata që ‘nuk kanë më asnjë ndjesi morale’, duke u dhënë pas «sjelljes së shthurur për të bërë me lakmi ndyrësi të çdo lloji».​—Efesianëve 4:17-19.

● Nëse dy të dashur nuk e shprehin lirshëm dashurinë me përqafime, përkëdhelje e puthje, do të thotë që s’janë të dashuruar.

E rreme. Ndryshe nga ç’mendojnë disa, shprehja e dashurisë në mënyrë të papërshtatshme, nuk e bën lidhjen më të fortë. Përkundrazi, shkatërron besimin dhe respektin reciprok. Le të marrim rastin e Laurës. «Një ditë i dashuri erdhi tek unë kur mamaja nuk ishte në shtëpi, gjoja për të parë televizor,—thotë ajo.—Në fillim më kapi dorën. Pastaj, papritur e pakujtuar duart e tij filluan të shëtisnin. Kisha frikë t’i thosha të ndalonte, se mos mërzitej e më linte.»

Si mendon? A merakosej shumë i dashuri i Laurës për të apo kërkonte vetëm të kënaqte dëshirën e tij egoiste? A të do vërtet dikush që përpiqet të të tërheqë drejt një sjelljeje të ndyrë?

Nëse një djalë i bën presion një vajze të nëpërkëmbë ndërgjegjen e saj dhe stërvitjen që ka marrë si e krishtere, ai thyen ligjin e Perëndisë dhe kot që thotë se e do vërtet. Nga ana tjetër, një vajzë që jepet me dëshirë, lejon që ta shfrytëzojnë. Më keq akoma, kryen një akt të ndyrë që ndoshta mund të jetë edhe kurvëri.b​—1 Korintasve 6:9, 10.

Vër kufij të qartë

Si mund t’i shmangësh shfaqjet e papërshtatshme të dashurisë nëse po shoqërohesh me dikë? Gjëja më e mençur është të vësh kufij të qartë që në fillim. Proverbat 13:10 thotë: «Mençuria është me ata që këshillohen së bashku.» Fol me të dashurin se cilat shprehje dashurie janë të përshtatshme. Vëri kufijtë që në fillim e mos prit derisa të gjendesh në një situatë ku ty dhe të dashurit ju vlojnë ndjenjat përbrenda. Kjo do të ishte si të prisje të instaloje alarmin kundër zjarrit kur shtëpinë ta kenë përpirë flakët.

Kuptohet që një bisedë kaq delikate mund të jetë e vështirë, madje e sikletshme, sidomos kur sapo keni filluar të shoqëroheni. Por, duke vënë kufij, mund të bëni shumë për të parandaluar probleme serioze më vonë. Kufijtë e përcaktuar me mençuri janë si sinjalizuesit e tymit që lëshojnë alarmin që në shenjën e parë të zjarrit. Veç kësaj, aftësia për të komunikuar për këto çështje mund të shërbejë si tregues për të parë sa sukses do të ketë kjo lidhje. Ç’është e vërteta, vetëkontrolli, durimi dhe vetëmohimi janë themeli për marrëdhënie seksuale të kënaqshme në martesë.​—1 Korintasve 7:3, 4.

Vërtet, s’është e lehtë të ndjekësh normat që ka vendosur Perëndia. Megjithatë, ki besim te këshillat e Jehovait, që tek Isaia 48:17 na thotë se është ‘Ai që na mëson se si të nxjerrim dobi për vete, Ai që na vë të ecim nëpër udhën nga duhet të shkojmë’. Jehovai mendon gjithmonë për të mirën tonë!

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 24

NË KAPITULLIN TJETËR:

Të ruash virgjërinë s’do të thotë se je njeri anormal. Përkundrazi, është gjë e mençur. A do ta dish pse?

[Shënimet]

a Në disa vende, shprehjet e dashurisë në publik mes një djali dhe një vajze të pamartuar konsiderohen si fyese dhe nuk shihen me sy të mirë. Të krishterët tregojnë kujdes të mos i pengojnë të tjerët me sjelljen e tyre.​—2 Korintasve 6:3.

b Natyrisht, çështjet e ngritura në këtë paragraf zbatohen si për djemtë, edhe për vajzat.

SHKRIMI KYÇ

«Dashuria . . . nuk sillet në mënyrë të pahijshme.»​—1 Korintasve 13:4, 5.

KËSHILLË

Shoqërohuni në grup ose me një të tretë. Shmangni ambientet ku mund të rrezikoni si, qëndrimin vetëm për vetëm në një makinë të parkuar, në një shtëpi ose dhomë.

A E DIJE . . . ?

Nëse jeni të fejuar, ju duhet të flisni për disa çështje intime. Megjithatë, i foluri pa rezerva, me synimin për të ngjallur dëshira seksuale, është një formë ndyrësie, edhe nëse biseda bëhet në telefon ose me mesazhe.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Mund ta shmang tundimin për të luajtur me imoralitetin duke ․․․․․

Nëse i dashuri më shtyn të përfshihem në sjellje të ndyrë, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Sipas teje, ku janë kufijtë e prekjeve me seksin tjetër?

● Shpjego si ndryshojnë kurvëria, ndyrësia dhe sjellja e shthurur?

[Diçitura në faqen 46]

«Unë me të fejuarin kemi lexuar bashkë artikuj me këshilla nga Bibla se si të mbajmë një lidhje të pastër. E çmojmë shumë ndihmën që na kanë dhënë për të mbajtur një ndërgjegje të pastër.»​—Leticja

[Kutia në faqen 44]

Po nëse e kemi kaluar cakun?

Po nëse ke bërë ndonjë gjë të papërshtatshme? Mos të të gënjejë mendja se mund ta ndreqësh problemin vetëm. Një vajzë tregon: «Lutesha: ‘Na ndihmo të mos gabojmë prapë.’ Disa herë arrinim të përmbaheshim, por herë të tjera, jo.» Prandaj, fol me prindërit. Veç kësaj, Bibla jep një këshillë shumë të mirë. ‘Thërrit pranë vetes pleqtë e kongregacionit.’ (Jakovi 5:14) Këta të krishterë, që janë në rolin e barinjve, mund të të japin këshilla, udhëzime e qortime që të kesh sërish një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.

[Figurat në faqen 47]

A do të prisje ta shihje shtëpinë në flakë, e pastaj të instaloje alarmin kundër zjarrit? Atëherë mos prit derisa të të vlojnë ndjenjat e pastaj të vësh kufij në lidhje me sjelljen

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo