BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • Një mik i rremë
    Zgjohuni!—2010 | Maj
    • Një mik i rremë

      Ke një «mik» që e ke njohur që në rini. Me të ndiheshe më i rritur dhe dukej se të bënte më të pranuar ndër bashkëmoshatarët. Kur ishe i mërzitur, gjithmonë mbështeteshe tek ai për të gjetur «ngushëllim». Vërtet, je bërë i varur prej tij në shumë drejtime.

      Por me kalimin e kohës, zbulove sa i rrezikshëm është. S’të ndahet për asnjë çast, edhe pse kjo të bën të padëshiruar për disa vende. Vërtet të ka bërë të ndihesh më i rritur, por këtë e ka arritur në kurriz të shëndetit tënd. Si për t’i vënë vulën, të vjedh një pjesë të rrogës.

      Kohët e fundit, je përpjekur t’i presësh lidhjet me të, por ai nuk të ndahet. Në njëfarë mënyre, të është bërë padron. Do të doje të mos e kishe njohur kurrë.

      KËTË lidhje kanë shumë veta me duhanin. Erlina, që kishte 50 vjet që pinte duhan, kujton: «Cigarja më ndihmonte më shumë se njerëzit. Për mua ishte më shumë se një shoqe e vjetër​​—⁠ndonjëherë ishte shoqja e vetme.» Megjithatë Erlina filloi të kuptonte se në të vërtetë cigarja jo vetëm që nuk është shoqe, por është edhe e rrezikshme. Po, fjalët hapëse mund të thuhen fare mirë edhe për Erlinën, por me një përjashtim. Kur mësoi se Perëndia e dënon pirjen e duhanit, ngaqë ndot trupin që ai na ka dhënë, ajo e la.​​—⁠2 Korintasve 7:⁠1.

      Edhe Franku vendosi ta linte duhanin që t’i pëlqente Perëndisë. Por një a dy ditë pasi kishte pirë cigaren e fundit, e gjeti veten këmbadoras poshtë shtëpisë duke kërkuar për bishta cigaresh që mund të kishin rënë nga hapësirat e dërrasave të dyshemesë. «Kjo i vuri kapak,​​—⁠tha Franku.​​—⁠Kur e pashë veten këmbadoras duke gërmuar në dhé për bishta cigaresh, m’u shpif vetja. Pas kësaj nuk vura më cigare në gojë.»

      Pse është kaq e vështirë ta lësh duhanin? Studiuesit kanë zbuluar një sërë arsyesh: (1) Varësia që krijohet nga duhani mund të jetë e njëjtë me atë të drogës. (2) Nikotina mund të arrijë në tru vetëm shtatë sekonda pasi thithet. (3) Duhani shpesh bëhet pjesë e pandashme e njerëzve, sepse e pinë rregullisht kur hanë, kur pinë, kur bisedojnë, kur duan të heqin stresin e kështu me radhë.

      Prapëseprapë, ashtu siç treguan edhe Erlina e Franku, nuk është e pamundur ta lësh këtë ves të dëmshëm. Nëse pi duhan, por do që ta lësh, leximi i artikujve vijues mund të jetë për ty fillimi i një jete të re.

  • Forco motivet
    Zgjohuni!—2010 | Maj
    • Forco motivet

      «Për ata që arrijnë ta lënë duhanin, përkushtimi i madh është tipari më i rëndësishëm gjatë gjithë kohës që përpiqen.»​​—⁠Libri «Mjaft me duhanin!»

      E THËNË thjesht, nëse do që ta lësh duhanin, të paktën duhet të kesh motive të forta. Si t’i forcosh motivet? Pikësëpari mendo për dobitë ekonomike.

      Do të kursesh. Një paketë në ditë mund të të kushtojë qindra euro në vit. «As e kisha idenë sa para harxhoja me duhanin.»​​—⁠Giana, Nepal.

      Do ta gëzosh më shumë jetën. «Jeta ime filloi kur lashë duhanin dhe po përmirësohet gjithnjë e më tepër.» (Rexhina, Afrika e Jugut) Kur njerëzit lënë duhanin, u përmirësohet dukshëm shija dhe nuhatja, e zakonisht kanë më shumë energji e një pamje më të mirë.

      Do të kesh shëndet më të mirë. «Lënia e duhanit sjell menjëherë dobi të mëdha te burrat e gratë e çdo moshe.»​​—⁠Qendrat Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

      Do të kesh më shumë besim te vetja. «E lashë duhanin se nuk doja të ishte padroni im. Doja të isha vetë padroni i trupit tim.»​​—⁠Heningu, Danimarkë.

      Familja dhe miqtë do të nxjerrin dobi. «Duhani . . . u dëmton shëndetin atyre që të rrethojnë. . . . Studimet kanë treguar se pirja pasive shkakton mijëra vdekje çdo vit si pasojë e kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve të zemrës.»​​—⁠Shoqata Amerikane kundër Kancerit.

      Do t’i pëlqesh Krijuesit tënd. «O të dashur, . . .le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit.» (2 Korintasve 7:⁠1) «[Paraqitini] trupat tuaj si . . . të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë.»​​—⁠Romakëve 12:​1.

      «Sapo kuptova se Perëndia nuk i miraton gjërat që e ndotin trupin, vendosa ta lija duhanin.»​​—⁠Silvia, Spanjë.

      Megjithatë nuk mjaftojnë vetëm motivet. Shpesh kemi nevojë edhe për ndihmën e të tjerëve, si të familjes dhe të miqve. Çfarë mund të bëjnë ata?

  • Kërko ndihmë!
    Zgjohuni!—2010 | Maj
    • Kërko ndihmë!

      «Nëse dikush mund të mposhtë një të vetëm, dy së bashku mund t’i bëjnë ballë.»​—Eklisiastiu 4:​12.

      KUR kemi mbështetjen e të tjerëve, ka më shumë mundësi të fitojmë kundër një armiku, kushdo apo çfarëdo qoftë ai armik. Kështu, nëse do që të mposhtësh vesin e duhanit, mund të jetë e mençur t’i kërkosh ndihmë familjes, miqve ose kujtdo që mund të jetë vërtet i dobishëm dhe i durueshëm.

      Provo të kërkosh ndihmë nga ata që e kanë lënë këtë ves, pasi jo vetëm mund të të kuptojnë, por edhe të të ndihmojnë. «Mbështetja e të tjerëve ishte e paçmueshme për mua»,​​—⁠thotë Torbeni, një i krishterë nga Danimarka. Abrahami nga India shkruan: «Dashuria e sinqertë e familjes dhe e të bashkëkrishterëve më ndihmoi ta lija duhanin.» Por ndonjëherë as mbështetja e familjes dhe e miqve nuk mjafton.

      «Kisha 27 vjet që pija duhan,​​—⁠thotë një burrë me emrin Beguandas,​​—⁠por kur mësova se çfarë thotë Bibla për veset e papastra, vendosa ta lija. U përpoqa ta pakësoja. Ndryshova shoqërinë. Madje shkova edhe për konsulta. Asgjë nuk funksionoi. Pastaj, një natë, ia zbraza zemrën Perëndisë Jehova në lutje dhe iu përgjërova të më ndihmonte. Më në fund ia dola.»

      Një gjë tjetër e rëndësishme është të përgatitesh për pengesat që mund të hasësh. Cilat janë? Artikulli tjetër i shpjegon.

      [Kutia në faqen 5]

      A DUHET TË PËRDORËSH ILAÇE?

      Ilaçet që i ndihmojnë duhanpirësit të heqin dorë, si për shembull substancat zëvendësuese të nikotinës, janë bërë një biznes prej miliarda dollarësh. Para se t’i hysh kësaj rruge, mendo për pyetjet e mëposhtme:

      Cilat janë dobitë? Mendohet se shumë terapi rritin mundësinë për të lënë duhanin duke pakësuar simptomat e lënies. Megjithatë, ka pasur disa polemika për efektin e tyre afatgjatë.

      Cilat janë rreziqet? Disa ilaçe mund të kenë efekte anësore, si: të përziera, depresion dhe mendime për vetëvrasje. Ki parasysh edhe se terapitë që zëvendësojnë nikotinën janë thjesht një mënyrë tjetër për të marrë nikotinë, përfshirë edhe rreziqet shëndetësore që sjell ajo. Prandaj, ai që i përdor, në të vërtetë është akoma nën varësinë e nikotinës.

      Çfarë zgjidhjesh të tjera ka? Sipas një ankete, 88 për qind e atyre që ia dolën ta linin duhanin thanë se e lanë pa e bërë të gjatë dhe pa ndihmën e ilaçeve.

  • Përgatitu për pengesat
    Zgjohuni!—2010 | Maj
    • Përgatitu për pengesat

      «Vendosa ta lija për hir të fëmijës sonë të sapolindur. Kështu që te dera ngjita një tabelë: ‘Ndalohet duhani!’ Vetëm një orë më vonë, më pushtoi një dëshirë e fortë si tsunami për nikotinë dhe e ndeza një cigare.»​—Joshimitsu, Japoni.

      SIÇ tregon edhe përvoja e Joshimitsut, lënia e duhanit ka vështirësitë e veta. Për më tepër, studimet tregojnë se afro 90 për qind e atyre që pinë një cigare pasi e kanë lënë, sprapsen dhe i kthehen vesit të vjetër. Pra, nëse po përpiqesh ta lësh, ka më shumë të ngjarë t’ia dalësh mbanë nëse je i përgatitur për pengesat. Cilat janë më të zakonshmet?

      Dëshira e fortë për nikotinë: Ajo zakonisht arrin kulmin brenda tri ditëve të para pas cigares së fundit dhe zbehet nja dy javë më pas. Një ish-duhanpirës thotë se, gjatë këtyre javëve, «dëshira vjen valë-valë, nuk është e vazhdueshme». Megjithatë, një dëshirë e menjëhershme mund të të vijë edhe vite më vonë. Nëse po, mos u nxito. Prit rreth pesë minuta dhe dëshira do të të kalojë.

      Simptoma të tjera të lënies: Në fillim, njerëzit e kanë të vështirë të përqendrohen dhe kanë prirjen të shtojnë në peshë. Gjithashtu, mund të kenë dhembje, kruarje, djersitje, kollë dhe luhatje humori që shfaqen me humbje durimi, me prirje për t’u nervozuar ose madje për të rënë në depresion. Por shumica e simptomave largohen brenda katër deri gjashtë javësh.

      Gjatë kësaj kohe vendimtare, ka ca gjëra praktike që mund të të ndihmojnë. Për shembull:

      ● Fli më shumë.

      ● Pi ujë e lëngje me bollëk. Ha ushqime të shëndetshme.

      ● Bëj ca fizkulturë.

      ● Merr frymë thellë dhe ndieje ajrin e pastër që të mbush mushkëritë.

      Tundimet: Këtu përfshihen veprimtaritë ose ndjenjat që mund të të tundojnë të pish prapë. Për shembull, ndoshta e kishe zakon që pijen ta shoqëroje me duhan. Në rast se po, kur përpiqesh ta lësh, mos rri shumë duke pirë. Sigurisht, me kalimin e kohës, do ta shijosh pijen më me nge.

      Gjithsesi, ngacmimet psikologjike mund të zgjatin mjaft kohë pasi trupi të jetë pastruar nga nikotina. Torbeni që përmendëm më parë, pranon: «Kam nëntëmbëdhjetë vjet që e kam lënë, e prapëseprapë tundohem kur jam duke pirë kafenë.» Por, në përgjithësi, lidhja mendore e disa veprimtarive të caktuara me duhanin, avash⁠⁠-⁠⁠avash do të venitet derisa të largohet fare.

      Me alkoolin ndryshon puna. Ndërsa përpiqesh ta lësh duhanin, mund të jetë e nevojshme të mos pish alkool dhe të mos shkosh në ato vende ku shërbehet, pasi një pjesë e madhe dorëzohen kur janë duke pirë. Pse ndodh kështu?

      ● Edhe pak alkool mund të rritë kënaqësinë që sjell nikotina.

      ● Kur pihet në shoqëri, shpesh alkooli shoqërohet me duhan.

      ● Alkooli mpin gjykimin dhe të bën më të shpenguar. Me të drejtë Bibla thotë: ‘Vera ia heq njeriut motivin e mirë.’​​—⁠Hozea 4:​11.

      Shoqëria: Ji përzgjedhës. Kjo do të thotë të shmangësh shoqërinë e panevojshme me ata që pinë duhan ose që mund të të ftojnë të bashkohesh me ta. Gjithashtu qëndro larg atyre që përpiqen të të prishin punë, ndoshta duke të të tallur.

      Ndjenjat: Sipas një studimi, pothuajse dy të tretat e atyre që iu rikthyen vesit, ishin ndier të mërzitur dhe të nevrikosur pikërisht para se të dorëzoheshin. Nëse ka diçka që të tundon të pish duhan, bëj ndonjë gjë për ta hequr mendjen​​—⁠ndoshta pi ujë, përtyp çamçakëz ose dil për shëtitje. Mundohu ta mbushësh mendjen me mendime pozitive, mbase duke iu lutur Perëndisë për ndihmë ose duke lexuar disa faqe nga Bibla.​​—⁠Psalmi 19:⁠14.

      Justifikime që duhen shmangur

      ● Do ta thith vetëm një herë.

      E vërteta: Vetëm një e thithur nikotine mund të kënaqë për tre orë mbi 50 për qind të receptorëve të ndjeshëm ndaj saj. Shpesh rezultati është dorëzimi.

      ● Duhani më ndihmon të përballoj stresin.

      E vërteta: Studimet tregojnë se në të vërtetë nikotina i shton hormonet e stresit. Çdo lehtësim nga stresi mund të vijë kryesisht si pasojë e venitjes së përkohshme të simptomave të lënies.

      ● Është tepër vonë për të hequr dorë.

      E vërteta: Pesimizmi të shteron fuqitë. Bibla thotë: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» (Proverbat 24:10) Prandaj shmang mendimet pesimiste. Të gjithë ata që duan ta lënë duhanin dhe që zbatojnë parime praktike si këto që përmenden në revistë, mund t’ia dalin mbanë.

      ● Nuk i përballoj dot simptomat e lënies.

      E vërteta: Kuptohet, këto simptoma janë të fuqishme, por do të qetësohen për pak javë. Prandaj mos u shpërqendro! Nëse pas disa muajsh ose vitesh të lind sërish dëshira për duhan, edhe ajo do të zhduket, ndoshta brenda pak minutash​​—⁠nëse nuk ndez as edhe një cigare.

      ● Vuaj nga një sëmundje mendore.

      E vërteta: Nëse po merr mjekime për një sëmundje mendore, si depresioni ose skizofrenia, kërkoji ndihmë mjekut që ta lësh duhanin. Ai mund të jetë mjaft i gatshëm të të ndihmojë. Ndoshta të ndryshon ilaçet që të përballosh ndikimet që mund të ketë lënia e duhanit te sëmundja ose te ilaçet që je duke marrë.

      ● Po t’i rikthehem, do të ndihem si dështak.

      E vërteta: Nëse nuk e kapërcen një pengesë dhe e pi një cigare​​—⁠siç u ndodh shumë vetave kur përpiqen ta lënë​​—⁠nuk je i pashpresë. Thjesht merr zemër dhe ngulmo. Të rrëzohesh një herë nuk do thotë se je dështak. Je i tillë nëse nuk ngrihesh sërish. Prandaj përpiqu vazhdimisht. Në fund do të triumfosh.

      Le të shohim përvojën e Romualdos, i cili piu duhan për 26 vjet dhe e la mbi 30 vjet më parë. Ai thotë: «Kushedi sa herë u dorëzova. Gjithnjë ndihesha shumë keq, si të isha një rast i pashpresë. Megjithatë, pasi vendosa prerazi të kisha një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova dhe i lutesha për ndihmë, arrita ta lija një herë e mirë duhanin.»

      Në artikullin e fundit të kësaj serie, do të shqyrtojmë disa sugjerime të tjera praktike që mund të të bëjnë një ish⁠⁠-⁠⁠duhanpirës të lumtur.

      [Kutia dhe figura në faqen 7]

      VRASËS NË TË GJITHA FORMAT

      Duhani përdoret në shumë forma. Madje në disa vende, ca forma të këtij produkti shiten në dyqanet e ushqimeve të shëndetshme dhe të ilaçeve bimore. Sidoqoftë, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se «të gjitha format e duhanit janë vrasëse». Çdo lloj sëmundjeje që shkakton duhani, si kanceri dhe sëmundjet e zemrës, sjell vdekjen. Nënat që pinë duhan mund të dëmtojnë edhe foshnjën e palindur. Në cilat forma pihet duhani?

      Bidit (cigaret indiane): Këto cigare të vogla e të dredhura me dorë përdoren gjerësisht në vendet e Azisë. Ato përmbajnë disa herë më shumë katran, nikotinë dhe monoksid karboni, sesa cigaret e zakonshme.

      Purot: Këto janë cigare të mbështjella me gjethe duhani ose me letër të bërë nga duhani. Sasia e paktë e alkalit te purot, në krahasim me cigaret me përmbajtje të lartë acidi, bën që nikotina të merret nga goja edhe pa qenë e ndezur puroja.

      Kritekët ose cigaret me karafil: Këto zakonisht përmbajnë rreth 60 për qind duhan dhe 40 për qind karafil. Ato çlirojnë më shumë katran, nikotinë dhe monoksid të karbonit, sesa cigaret e zakonshme.

      Llullat: Të pish me llullë nuk është më pak e dëmshme se cigaret, pasi të dyja format mund të shkaktojnë pak a shumë të njëjtat kancere a sëmundje.

      Duhani pa tym: Këtu përfshihet duhani që përtypet, burnoti që thithet dhe gutka e aromatizuar që përdoret në Azinë Juglindore. Nikotina hyn në gjak nga goja. Përdorimi i duhanit pa tym është po aq i rrezikshëm sa llojet e tjera.

      Llulla me ujë (nargjileja, huka, shisha): Në këto lloj llullash tymi i duhanit kalon nëpër ujë para se të thithet. Megjithatë, ky proces mund të mos e ulë sasinë e toksinave që hyjnë në mushkëri. Në këto toksina ka edhe përbërës kancerogjenë.

      [Kutia dhe figura në faqen 8]

      SI TA NDIHMOJMË DIKË TË HEQË DORË NGA DUHANI?

      ● Ji pozitiv. Kur e lavdëron dhe e inkurajon, funksionon më mirë sesa kur e bezdis dhe i bën moral. Shprehja: «Mendoj se do t’ia dalësh po të përpiqesh edhe njëherë», ka më shumë forcë sesa: «Prapë u dorëzove?!»

      ● Fal. Bëj çmos që të mos ia vësh veshin atij që po përpiqet të lërë duhanin kur zemërohet ose acarohet me ty. Thuaj fjalë inkurajuese si: «E di që e ke të vështirë, por jam krenar për ty.» Mos thuaj kurrë: «Më pëlqeje më shumë kur pije duhan.»

      ● Ji mik i vërtetë. Bibla thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» (Proverbat 17:17) Po, mundohu të tregosh durim e dashuri «në çdo kohë» me atë që po përpiqet ta lërë duhanin, pavarësisht nga momenti ose humori i tij.

  • Mund t’ia dalësh mbanë!
    Zgjohuni!—2010 | Maj
    • Mund t’ia dalësh mbanë!

      ËSHTË koha të tregohesh ‘guximtar dhe të veprosh’. (1 Kronikave 28:10) Ç’hapa të fundit mund të bësh që të arrish ta lësh duhanin?

      Cakto një datë. Ministria Amerikane e Shëndetësisë dhe e Shërbimeve Publike këshillon se, që nga momenti që ke vendosur ta lësh, dita e parë që nuk do të vësh cigare në gojë të jetë brenda dy javësh. Kështu do të kesh motive më të forta. Shënoje datën në kalendar, thuajua miqve dhe mos e ndrysho, edhe nëse rrethanat ndryshojnë.

      Bëj një listë. Në këtë listë mund të përfshish pikat e mëposhtme ose edhe ndonjë gjë tjetër që të forcon motivet:

      ● Arsyet pse do ta lësh.

      ● Numra telefoni të personave që mund të marrësh kur tundohesh të pish prapë.

      ● Shprehje​—ndoshta edhe shkrime biblike si Galatasve 5:22, 23—​që do të të ndihmojnë të arrish qëllimin.

      Mbaje listën gjithmonë me vete dhe lexoje disa herë në ditë. Edhe pasi ta kesh lënë, vazhdo ta lexosh sa herë tundohesh të pish prapë.

      Shkëputu nga zakonet paraprakisht. Disa ditë para datës së caktuar për ta lënë duhanin, fillo të shkëputesh nga çdo zakon që lidhet me të. Për shembull, nëse e ke zakon të pish duhan sapo zgjohesh në mëngjes, shtyje për një orë a më tepër. Nëse pi gjatë vakteve ose menjëherë pas tyre, mos e bëj më. Mos shko në vende ku pihet duhan. Kur je vetëm, thuaj me zë: «Jo faleminderit. E kam lënë.» Këto hapa do të të përgatitin më së miri për ditën e caktuar. Gjithashtu do të të kujtojnë se së shpejti duhani do t’i përkasë së kaluarës.

      Përgatitu. Ndërsa afron dita e caktuar, mblidh sa më shumë gjëra që t’i hash kur të të pihet duhan si: karota, çamçakëz, fruta të thata etj. Kujtojua miqve dhe familjes ditën e lënies dhe thuaju si të të ndihmojnë. Një ditë para saj, hiq qafe tavllat e duhanit, çakmakët e ndonjë gjë tjetër tunduese, si: cigaret e mbetura nëpër shtëpi, në makinë, në xhepa ose në vendin e punës. Patjetër, është më e vështirë t’i kërkosh një shoku një cigare ose të blesh një paketë, sesa ta marrësh nga sirtari. Po ashtu, lutju pa pushim Perëndisë për mbështetje, e më shumë akoma pas thithjes së fundit.​​—⁠Luka 11:⁠13.

      Një numër i madh njerëzish «i kanë prerë lidhjet» me ish⁠⁠-⁠⁠mikun e rremë e të rrezikshëm: duhanin. Edhe ti mund t’ia dalësh mbanë. Të pret një shëndet më i mirë dhe një ndjenjë e mrekullueshme çlirimi.

      [Figura në faqen 9]

      Mbaje listën gjithmonë me vete dhe lexoje shpesh gjatë ditës

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo