-
Ç’ndodhi me disiplinën?Zgjohuni!—2015 | Prill
-
-
TEMA KRYESORE
Ç’ndodhi me disiplinën?
Dekadat e fundit jeta familjare në vendet perëndimore ka ndryshuar tej mase. Dikur komandonin prindërit, kurse fëmijët u bindeshin. Sot në disa familje duket se rolet kanë ndryshuar. Për shembull, le të mendojmë për skenat e mëposhtme të bazuara në situata të zakonshme.
Ndërsa është në dyqan me mamin, djali katërvjeçar zgjatet të marrë një lodër. Mami mundohet t’ia prishë mendjen: «Nuk të mjaftojnë lodrat që ke në shtëpi?» Ajo e kupton vonë se nuk duhej ta linte vetëm me një pyetje. Djali ankohet: «Po unë e dua!» Nga frika se mos shpërthen gjithë nerva—taktika e tij normale—mami dorëzohet.
Një vajzë pesëvjeçare e ndërpret babanë teksa ai flet me një të rritur tjetër. Ajo i thotë: «U mërzita! Dua të ikim në shtëpi.» Babai e lë fjalën në mes, përkulet drejt vajzës dhe i flet me zë të qetë: «Ja edhe pak zemra e babit, si thua?»
Xhejmsin 12-vjeçar e akuzojnë sërish se ka ngritur zërin me mësuesen. Nga ana tjetër, babai i tij mërzitet me mësuesen e jo me të birin. Ai i thotë të birit: «Ajo kapet gjithmonë me ty. Do të ankohem në drejtorinë e shkollës!»
Këto skena janë imagjinare, por jo të ekzagjeruara. Tregojnë një problem real në shtëpitë ku prindërit tolerojnë sjelljen e paedukatë të fëmijëve, dorëzohen para kërkesave të tyre dhe gjoja i shpëtojnë nga pasojat e sjelljes së keqe. Libri The Narcissism Epidemic thotë: «Është tejet e zakonshme të shohësh prindër teksa u bie autoriteti para fëmijëve të tyre të vegjël. Jo shumë kohë më parë, fëmijët e dinin mirë kush ishte shefi, dhe s’ishin ata.»
Natyrisht, mjaft prindër përpiqen t’u mësojnë fëmijëve vlerat e duhura, jo vetëm duke u lënë shembullin e mirë, por edhe duke i ndrequr me vendosmëri e dashuri kur është e nevojshme. Sidoqoftë, siç citonte libri i përmendur më sipër, prindërit që ia dinë vlerën kësaj «po ecin kundër rrymës».
Si arritën gjërat deri në këtë pikë? Ku humbi disiplina?
Bie autoriteti i prindërve
Disa thonë se autoriteti i prindërve nisi të dobësohej në vitet 60 kur ekspertët i nxitnin prindërit të ishin më tolerantë me fëmijët: «Jini miq, jo figurë autoritare. Lavdërimet janë më të mira se disiplina. Mos ndreqni të keqen, por shihni gjërat e mira te fëmijët.» Në vend që të gjenin një ekuilibër mes lavdërimeve dhe ndreqjes, mbase ekspertët donin të thoshin se qortimi ua lëndonte ndjenjat e brishta fëmijëve dhe do t’u ushqente mëri ndaj prindërve për gjithë jetën.
S’kaloi shumë dhe ekspertët po ngrinin në qiell edhe rëndësinë e vlerësimit për veten. Dukej sikur papritur u zbulua sekreti i prindit të mirë dhe ky ishte thjesht: bëjini fëmijët të ndihen mirë me veten. Patjetër që është e rëndësishme t’u ngulitësh fëmijëve sigurinë te vetja. Mirëpo, vetëvlerësimit iu dha më tepër rëndësi seç duhej. Për shembull, ekspertët udhëzonin prindërit: «Mos përdorni fjalë negative, si jo dhe keq. Vazhdoni t’u thoni fëmijëve se janë të veçantë dhe se mund të bëhen çfarë të duan.» Të ndiheshe mirë ishte më e rëndësishme se të ishe i mirë.
Vetëvlerësimi i tepërt nuk ka bërë gjë tjetër veçse u ka dhënë më shumë autoritet fëmijëve
Së fundi, disa thonë se vetëvlerësimi i tepërt nuk ka bërë gjë tjetër veçse u ka dhënë më shumë autoritet fëmijëve, a thua se e gjithë bota ua ka për borxh. Gjithashtu, siç thotë libri Generation Me, mjaft të rinj i ka lënë «të papërgatitur për kritikat e pashmangshme dhe dështimet e herëpashershme në jetën reale». Është siç tha një baba që citohej në këtë libër: «Kur bie fjala te puna, njerëzit nuk duan t’ia dinë për vetëvlerësimin tënd. . . . Nëse paraqet një raport të keq në zyrë, shefi nuk do të të thotë: ‘O sa më pëlqejnë fletët e tua të bukura!’ Kur fëmijët rriten kështu, dëmtohen jashtë mase.»
Pikëpamje të lëkundshme
Gjatë dekadave, zakonet e prindërve shpesh kanë pasqyruar pikëpamjet e lëkundshme njerëzore. Edukatori Ronald Morrish shkruan: «Disiplina ndryshon vazhdimisht. Ajo pasqyron ndryshimin e shoqërisë sonë.»a Është kaq e lehtë që prindërit të jenë ashtu siç thotë Bibla: «Të lëkundur nga dallgët e të çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi.»—Efesianëve 4:14.
Qartë, disiplina tolerante e sotme ka sjellë pasoja të këqija. Jo vetëm ka dobësuar autoritetin prindëror, por s’u ka dhënë as fëmijëve drejtimin e duhur që të bëjnë zgjedhje të mira e ta përballojnë jetën me vetësiguri të vërtetë.
A ka ndonjë mënyrë më të mirë për rritjen e fëmijëve?
a Kursivi është yni; nga libri Secrets of Discipline: 12 Keys for Raising Responsible Children.
-
-
Disiplinë që bën punëZgjohuni!—2015 | Prill
-
-
TEMA KRYESORE | Ç’NDODHI ME DISIPLINËN?
Disiplinë që bën punë
TË JESH prind, pa dyshim që është punë e vështirë. Por, kur nuk jepet disiplina e nevojshme, kjo punë rëndohet edhe më shumë. Pse? Sepse pa disiplinë (1) fëmijët nuk binden, e kjo ua shteron energjitë prindërve, (2) prindërit japin drejtim kontradiktor që i çorienton fëmijët.
Nga ana tjetër, disiplina e dashur dhe me ekuilibër mund ta stërvitë fëmijën të mendojë siç duhet dhe të formojë karakterin e tij moral. Gjithashtu i ndihmon të ndihen të sigurt teksa bëhen të rritur të përgjegjshëm. Por ku mund të gjesh udhëzime të besueshme për disiplinimin e fëmijëve?
Vlera e parimeve biblike
Dëshmitarët e Jehovait që botojnë këtë revistë, besojnë se Bibla është siç pohon ajo vetë: ‘E dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar.’ (2 Timoteut 3:16) Bibla nuk është thjesht një udhëzues për prindërit; parimet e saj japin drejtim praktik për familjet. Ja disa shembuj.
BIBLA THOTË: «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës.»—Proverbat 22:15, Diodati i Ri (Dio).
Kur janë të mbarë dhe mendojnë për të tjerët, fëmijët të kënaqin, ama priren edhe të bëjnë marrëzira. Prandaj kanë nevojë për disiplinë. (Proverbat 13:24) Po ta pranosh këtë fakt, do ta përmbushësh më mirë përgjegjësinë si prind.
BIBLA THOTË: «Mos ia kurse disiplinën [fëmijës].»—Proverbat 23:13.
Nuk duhet të keni frikë se mos disiplina e ekuilibruar do ta dëmtojë fëmijën ose se ai do t’ju marrë inat më vonë. Kur disiplina jepet me dashuri, fëmija do ta pranojë ndreqjen më me përulësi, qëndrim që do t’i vlejë edhe si i rritur.—Hebrenjve 12:11.
BIBLA THOTË: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7.
Është e natyrshme që prindërit të duan t’i mbrojnë fëmijët, dhe me të drejtë. Sidoqoftë duhet ekuilibër. Nuk i bën nder fëmijës kur e shpëton nga pasojat e gabimeve ose kur e mbron para një mësuesi a një të rrituri tjetër që të tërheq vëmendjen ndaj një sjelljeje të tij vërtet të gabuar. Përkundrazi shihi këta njerëz si aleatë. Duke bërë kështu, i mëson fëmijës të respektojë autoritetin, ku përfshihet edhe autoriteti yt.—Kolosianëve 3:20.
BIBLA THOTË: «[Fëmija] i lënë pa fre, e turpëron nënën e tij.»—Proverbat 29:15.
Ji i dashur, i vendosur dhe i arsyeshëm
Prindërit nuk duhet të abuzojnë kurrë me autoritetin, por duhet të shmangin edhe ekstremin tjetër, duke qenë tepër tolerantë. Libri The Price of Privilege thotë: «Fëmijët e prindërve tolerantë nuk e kanë idenë se në familje komandojnë të rriturit.» Nëse nuk tregon autoritet, fare mirë fëmija mund të nxjerrë përfundimin se timonin e ka vetë në dorë. Ndaj, patjetër që vendimet e tij të pamençura do t’i shkaktojnë hidhërim atij dhe ty.—Proverbat 17:25; 29:21.
BIBLA THOTË: «Burri . . . do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.»—Mateu 19:5.
Sipas Biblës, burri dhe gruaja duhet të martohen para se të ngjizin fëmijë dhe duhet të mbeten bashkë edhe pasi fëmijët të rriten e të largohen. (Mateu 19:5, 6) Me fjalë të tjera, së pari je bashkëshort e së dyti prind. Mirëpo, nëse përparësitë përmbysen, fëmija mund të «mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë». (Romakëve 12:3) Gjithashtu, lidhja martesore dobësohet «kur gjithçka vërtitet rreth fëmijëve».
Ndihmë për prindërit
Që ta përmbushësh rolin si prind, disiplina jote duhet t’u përmbahet këtyre parimeve.
Ji i dashur. «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»—Kolosianëve 3:21.
Ji i vendosur. «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.»—Mateu 5:37.
Ji i arsyeshëm. «Do të të ndreq në masën e duhur.»—Jeremia 30:11.a
a Për më shumë informacion, vizito jw.org/sq. Shih te MËSIME BIBLIKE > ÇIFTET & PRINDËRIT ku mund të gjesh artikuj, si «Disiplinimi i fëmijëve», «Çfarë të bësh kur fëmija grindet?», «Ngulit vlera morale te fëmijët e tu» dhe «Si ta disiplinosh fëmijën adoleshent?»
-