BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/8 f. 30-31
  • Pyetje nga lexuesit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pyetje nga lexuesit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Material i ngjashëm
  • Fejesa
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Martesa, dhuratë nga një Perëndi i dashur
    ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
  • Përgatitje për një martesë të suksesshme
    Sekreti i lumturisë familjare
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/8 f. 30-31

Pyetje nga lexuesit

Me sa seriozitet duhet ta konsiderojnë të krishterët fejesën?

Fejesa është një shkak lumturie, por është edhe një çështje serioze. Asnjë i krishterë i pjekur nuk duhet ta marrë me lehtësi fejesën, duke menduar se mund ta prishë atë në çdo moment, për çdo tekë të tij. Periudha e fejesës është, gjithashtu, një kohë kur çifti njihet më mirë para se të martohet.

Në trajtimin e këtij argumenti, duhet të kuptojmë se zakonet shoqërore që kanë të bëjnë me martesën, si edhe me hapat që çojnë në të, ndryshojnë gjerësisht në vende dhe në kohë të ndryshme. Bibla na e ilustron këtë.

Dy bijat e Lotit, të cilat ‘nuk kishin pasur kurrë marrëdhënie me një burrë’, ishin në njëfarë mënyre të fejuara me dy burra të vendit. ‘Dhëndurët [e Lotit] duhej të merrnin bijat e tij’, por Bibla nuk na thotë se përse ose si kanë ndodhur fejesat. A ishin të rritura bijat? A kishin pasur ato një rol kryesor për të zgjedhur se me kë do të martoheshin? A u fejuan, duke ndërmarrë ndonjë hap publik? Nuk e dimë këtë. (Zanafilla 19:8-14, BR) Dimë se Jakobi bëri një marrëveshje me të atin e Rahilës, për t’u martuar me Rahilën pasi të kishte punuar shtatë vjet për të atin. Edhe pse Jakobi e quante Rahilën ‘gruaja ime’, ata nuk patën marrëdhënie seksuale gjatë atyre viteve. (Zanafilla 29:18-21) Ndërsa në një shembull tjetër, para se të martohej me të bijën e Saulit, Davidit i duhej të fitonte në luftë me filistejtë. Pasi përmbushi kërkesën e Saulit, Davidi mundi të martohej me të bijën, Mikalin. (1. Samuelit 18:20-28) Këto «fejesa» ndryshonin nga njëra-tjetra, si edhe nga traditat që janë sot në shumë vende.

Ligji i Moisiut kishte rregulla lidhur me martesën dhe fejesën. Për shembull, një burrë mund të kishte më shumë se një grua e po ashtu, mund të divorcohej për arsye të ndryshme, edhe pse, me sa duket, gruaja nuk mund të bënte po kështu. (Eksodi 22:16, 17; Ligji i përtërirë 24:1-4) Një burrë që kishte joshur një virgjëreshë të pafejuar për të kryer marrëdhënie seksuale, duhej të martohej me të, nëse i ati i vajzës ishte dakord dhe nuk mund të divorcohej kurrë prej saj. (Ligji i përtërirë 22:28, 29) Kishte edhe disa ligje të tjera që zbatoheshin në martesë, si për shembull, rastet se kur duheshin shmangur marrëdhëniet seksuale. (Levitiku 12:2, 5; 15:24; 18:19) Cilat rregulla kishin të bënin me fejesën?

Një vajzë izraelite e fejuar kishte pozitë të ndryshme ligjore nga një vajzë e pafejuar, pasi në disa aspekte ajo konsiderohej si e martuar. (Ligji i përtërirë 22:23-29; Mateu 1:18, 19) Izraelitët nuk mund të fejoheshin ose të martoheshin me disa të afërm. Zakonisht këta ishin të afërm gjaku, ndërsa disa fejesa ose martesa ishin ndaluar për shkak të të drejtave të trashëgimisë. (Levitiku 18:6-20; shiko Kullën e Rojës, 15 mars 1978, faqet 25-28, anglisht.) Është e qartë se shërbëtorët e Perëndisë nuk duhej ta konsideronin me lehtësi fejesën.

Izraelitët ishin nën të gjitha këto rregulla të Ligjit, por të krishterët nuk janë nën atë Ligj, duke përfshirë edhe rregullat e tij mbi fejesën ose martesën. (Romakëve 7:4, 6; Efesianëve 2:15; Hebrenjve 8:6, 13) Në fakt, Jezui mësoi se norma e krishterë lidhur me martesën ndryshonte nga ajo e Ligjit. (Mateu 19:3-9) Megjithatë, ai nuk e minimizoi seriozitetin e martesës, as atë të fejesës. Prandaj, çfarë mund të themi për argumentin që po shqyrtojmë, domethënë, sa serioze është fejesa mes të krishterëve?

Në shumë vende, njerëzit e zgjedhin vetë se me kë do të martohen. Pasi një burrë e një grua i premtojnë njëri-tjetrit se do të martohen bashkë, ata konsiderohen të fejuar. Zakonisht, nuk kërkohet asnjë hap tjetër formal, për të bërë fejesën. Kuptohet, në disa vende është normale që burri t’i japë gruas së tij të ardhshme një unazë, në shenjë të fejesës së tyre. Ose është një zakon që t’ua shpallin fejesën miqve dhe të afërmve, si për shembull, në një drekë familjare ose në një grumbullim të vogël. Këto janë zgjedhje personale e jo kërkesa biblike. Ajo që përbën fejesën është marrëveshja e të dyve.a

Një i krishterë nuk duhet të ngutet për të filluar një periudhë njohjeje, për t’u fejuar ose për t’u martuar. Ne botojmë materiale të bazuara në Bibël, të cilat mund t’i ndihmojnë individët beqarë për të vendosur nëse është e mençur të fillojnë një periudhë njohjeje ose të ndërmarrin hapat për t’u fejuar a martuar.b Një element kyç i këshillës për të mos u ngutur, është se martesa e krishterë është lidhje e qëndrueshme.—Zanafilla 2:24; Marku 10:6-9.

Dy të krishterë duhet ta njohin mirë njëri-tjetrin përpara se të fillojnë të mendojnë për fejesën. Secili mund të pyesë veten: ‘A jam vërtet i sigurt për gjendjen frymore dhe për devocionin që ka personi tjetër për Perëndinë? A e përfytyroj t’i shërbej Perëndisë bashkë me këtë person, një jetë të tërë? A i kemi njohur siç duhet tiparet e personalitetit të njëri-tjetrit? A jam i sigurt se do të përshtatemi me njëri-tjetrin gjithmonë? A dimë mjaft gjëra për veprimet e kaluara dhe rrethanat aktuale të njëri-tjetrit?’

Pasi dy të krishterë janë fejuar, është e drejtë që ata dhe të tjerët të presin që fejesën ta pasojë martesa. Jezui këshilloi: «Fjala juaj Po të nënkuptojë Po, Jo-ja juaj Jo.» (Mateu 5:37, BR) Të krishterët që fejohen, duhet ta marrin seriozisht këtë gjë. Gjithsesi, në raste të rralla, një i krishterë i fejuar mund të mësojë se diçka e rëndë nuk i ishte përmendur ose i ishte fshehur para fejesës. Mund të jetë një fakt domethënës lidhur me të kaluarën e personit tjetër, ndoshta edhe me veprime kriminale ose imorale të tij. I krishteri që merr vesh për këtë gjë, duhet të vendosë se çfarë të bëjë. Ndoshta të dy personat do ta diskutojnë gjerë e gjatë çështjen dhe mund të pranojnë ta vazhdojnë fejesën e tyre. Ose mund të vendosin bashkarisht që ta prishin fejesën. Edhe pse kjo mund të jetë një çështje personale, pra, diçka ku askush nuk duhet të përzihet dhe ku të tjerët nuk duhet të përpiqen të aludojnë ose të gjykojnë, ky vendim është me shumë peshë. Nga ana tjetër, personi që mëson për një çështje të rëndë mund të ndihet i shtyrë personalisht që ta prishë fejesën, edhe sikur tjetri të dëshirojë ta vazhdojë atë.—Shiko «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 15 qershor 1975, anglisht.

Ekzistojnë arsye të vlefshme për t’i zgjidhur këto çështje para martesës. Jezui tha se e vetmja bazë shkrimore për divorcin, e cila e liron një person për t’u martuar përsëri, është porneia, imoraliteti i rëndë seksual nga ana e bashkëshortit tjetër. (Mateu 5:32; 19:9) Ai nuk tha se martesa mund të prishet me divorc, nëse një person mëson për një problem ose keqbërje të rëndë, që tjetri ka bërë para martesës.

Për shembull, në ditët e Jezuit njerëzit kishin shumë mundësi për t’u infektuar me lebër. Nëse një burrë hebre mësonte se gruaja e tij ishte me lebër (qoftë që kjo dihej, qoftë që nuk dihej) kur u martua me të, a do të kishte ai bazën për divorc? Një hebre nën Ligj mund të divorcohej, por Jezui nuk tha se kjo ishte një gjë e përshtatshme për ithtarët e tij. Shqyrto disa situata të ditëve moderne. Një burrë që është i infektuar me sifiliz, me herpes gjenital, me HIV ose me ndonjë sëmundje tjetër të rëndë që mund të transmetohet, mund të martohet pa e bërë të ditur këtë fakt. Ndoshta ai e kishte marrë infeksionin nëpërmjet imoralitetit seksual para ose gjatë fejesës. Nëse gruaja më vonë mëson për sëmundjen e tij a për imoralitetin që kishte bërë në të kaluarën (madje edhe për sterilitetin ose paaftësinë seksuale), kjo nuk e ndryshon faktin që ata tani janë të martuar. Një e kaluar e papëlqyeshme para martesës nuk është bazë biblike për ta prishur atë, ashtu siç nuk do të ishte fakti nëse ajo kishte marrë ndonjë sëmundje ose po fshihte një shtatzëni të shkaktuar nga një burrë tjetër, para martesës. Ata tani janë të martuar dhe i janë zotuar njëri-tjetrit.

Kuptohet, këto situata të trishtueshme janë të rralla, por shembuj të tillë duhet ta vënë akoma më shumë theksin mbi pikën kyçe: fejesa nuk duhet marrë me lehtësi. Para dhe gjatë fejesës, të krishterët duhet të përpiqen ta njohin mirë njëri-tjetrin. Ata duhet të jenë të ndershëm lidhur me gjërat që partneri tjetër dëshiron të dijë ose ka të drejtën t’i dijë. (Në disa vende, çifteve u kërkohet nga ligji që të bëjnë një vizitë të plotë mjekësore para se të martohen. Të tjerë mund të dëshirojnë ta bëjnë këtë kontroll për të qenë të informuar vetë.) Në këtë mënyrë, gëzimi dhe serioziteti i fejesës do t’i shërbejnë një qëllimi të nderuar, ndërsa të dy personat shkojnë drejt gjendjes akoma më të gëzueshme e më serioze të martesës.—Fjalët e urta 5:18, 19; Efesianëve 5:33.

[Shënimet]

a Në disa shoqëri, për fejesën e dy fëmijëve të tyre vendosin ende prindërit. Kjo gjë mund të jetë bërë mjaft kohë përpara se dy të rinjtë të jenë në gjendje për t’u martuar. Ndërkohë, ata njihen si të fejuar ose që i janë premtuar në martesë njëri-tjetrit, por nuk janë ende të martuar.

b Shiko librin Të rinjtë pyesin: . . . Përgjigje praktike, kapitujt 28-32 dhe librin Sekreti i lumturisë familjare, kapitullin 2, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo