BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 1/9 f. 4-7
  • A mund t’i besosh ndërgjegjes sate?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A mund t’i besosh ndërgjegjes sate?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Stërvite ndërgjegjen!
  • Të harmonizohemi me mendimet e Perëndisë
  • Një ndihmë për stërvitjen e ndërgjegjes
  • Të fitojmë «mendjen e Krishtit»
  • Të nxjerrim dobi nga një ndërgjegje e stërvitur
  • Si të mbash një ndërgjegje të mirë
    ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
  • A keni një ndërgjegje të stërvitur mirë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Dëgjojeni zërin e brendshëm
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Si ta stërvit ndërgjegjen?
    Të rinjtë pyesin
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 1/9 f. 4-7

A mund t’i besosh ndërgjegjes sate?

NË KUSHTE normale, busulla është një mjet i besueshëm. Gjilpëra e saj magnetike, e orientuar nga fusha magnetike e tokës, vazhdimisht tregon veriun. Në këtë mënyrë, kur nuk ka pika referimi që t’i udhëheqin, udhëtarët mund të mbështeten te busulla për drejtim. Por, çfarë ndodh kur afër busullës vendoset një objekt magnetik? Gjilpëra do të kthehet nga magneti në vend se të tregojë veriun. Ajo nuk është më një udhërrëfyese e besueshme.

Diçka e ngjashme mund të ndodhë me ndërgjegjen e njeriut. Krijuesi e vendosi këtë aftësi brenda nesh që të shërbente si një udhërrëfyese e besueshme. Meqë jemi bërë në shëmbëllimin e Perëndisë, ndërgjegjja duhet të tregojë vazhdimisht drejtimin e duhur kur na duhet të marrim vendime. Ajo duhet të na nxitë që të pasqyrojmë standardet morale të Perëndisë. (Zanafilla 1:27) Shpesh ajo e bën këtë punë. Për shembull, apostulli i krishterë Pavël shkroi se edhe disa që janë pa ligjin e zbuluar të Perëndisë «nga natyra bëjnë gjërat e ligjit». Pse? Sepse «ndërgjegjja e tyre jep dëshmi me ta».—Romakëve 2:14, 15, BR.

Megjithatë, ndërgjegjja nuk reagon gjithnjë atëherë kur duhet. Për shkak të papërsosmërisë njerëzore, ne jemi të prirur për të bërë gjëra që e dimë se janë të gabuara. «Unë kënaqem vërtet në ligjin e Perëndisë sipas njeriut që jam brenda,—pranoi Pavli,—por, vërej një tjetër ligj në gjymtyrët e mia që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe më bën rob të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.» (Romakëve 7:22, 23, BR) Nëse dorëzohemi ndaj prirjeve të gabuara mjaft shpesh, ndërgjegjja jonë gradualisht mund të mpihet dhe së fundi mund të pushojë së na thëni se ajo sjellje është e gabuar.

Por, pavarësisht nga papërsosmëria, ne mund ta harmonizojmë ndërgjegjen tonë me standardet e Perëndisë. Në fakt, bërja e kësaj është jetësore. Një ndërgjegje e pastër dhe e stërvitur siç duhet, jo vetëm që çon në një marrëdhënie të ngrohtë, personale me Perëndinë, por është edhe jetësore për shpëtimin tonë. (Hebrenjve 10:22; 1. Pjetrit 1:15, 16) Për më tepër, një ndërgjegje e mirë do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura në jetë, gjë që do të na sjellë paqe dhe lumturi. Për një person me ndërgjegje të tillë, psalmisti tha: «Ligji i Perëndisë së tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.»—Psalmi 37:31, BR.

Stërvite ndërgjegjen!

Stërvitja e ndërgjegjes përfshin më shumë sesa thjesht të mësosh përmendësh një listë ligjesh e pastaj t’u përmbahesh atyre rreptësisht. Këtë gjë e bënin farisenjtë në ditët e Jezuit. Këta udhëheqës fetarë e njihnin Ligjin dhe kishin zhvilluar një traditë të hollësishme, gjoja për të ndihmuar njerëzit që të mos shkelnin Ligjin. Kështu, ata qenë të gatshëm të protestonin kur dishepujt e Jezuit këputën kallinj gruri ditën e shtunë dhe hëngrën kokrrat e grurit. Ata e kundërshtuan Jezuin kur i shëroi dorën e tharë një njeriu ditën e shtunë. (Mateu 12:1, 2, 9, 10) Që të dyja këto vepra, sipas traditës së farisenjve, përbënin një dhunim të urdhërimit të katërt.—Eksodi 20:8-11.

Patjetër që farisenjtë e studionin Ligjin. Por, a ishte harmonizuar ndërgjegjja e tyre me standardet e Perëndisë? Vështirë se po! E pra, tamam pasi e kritikuan për atë që mendonin se ishte një dhunim tronditës i rregullores së të shtunës, farisenjtë u këshilluan kundër Jezuit «që të mund ta vrisnin». (Mateu 12:14, BR) Imagjino: këta udhëheqës fetarë «tepër të drejtë» u tërbuan nga ideja e ngrënies së grurit të sapokëputur dhe e shërimit ditën e shtunë, por nuk e patën aspak të vështirë të komplotonin për vrasjen e Jezuit!

Edhe kryepriftërinjtë shfaqën një mënyrë të tillë të shtrembër të menduari. Këta njerëz të korruptuar nuk ndien as pikën më të vogël të fajit kur i dhanë Judës 30 copë argjendi nga thesari i tempullit, që ai të tradhëtonte Jezuin. Por, kur papritur Juda i ktheu mbrapsht paratë, duke i hedhur përsëri në tempull, ndërgjegjja e kryepriftërinjve u ballafaqua me një dilemë ligjore. «Nuk është e ligjshme,—thanë ata,—t’i vëmë [monedhat] në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku.» (Mateu 27:3-6) Me sa duket, kryepriftërinjtë u shqetësuan se paratë e Judës tani ishin të papastra. (Krahaso Ligjin e përtërirë 23:18.) E megjithatë, po ky grup njerëzish nuk pa asgjë të gabuar në shpenzimin e parave për të blerë tradhtimin e Birit të Perëndisë!

Të harmonizohemi me mendimet e Perëndisë

Shembujt e mësipërm tregojnë se stërvitja e ndërgjegjes kërkon më tepër sesa mbushjen e mendjes me një listë plot me «bëje» dhe «mos e bëj». Kuptohet, njohuria e ligjeve të Perëndisë është thelbësore dhe bindja ndaj tyre është e nevojshme për shpëtimin. (Psalmi 19:7-11) Megjithatë, përveçse të mësojmë ligjet e Perëndisë, ne duhet edhe të zhvillojmë një zemër që është e harmonizuar me mendimet e Perëndisë. Atëherë mund të përjetojmë përmbushjen e profecisë së Jehovait dhënë përmes Isaisë, ku thuhet: «Sytë e tyre duhet të bëhen sy që shohin Mësuesin tënd të Madh. Dhe vetë veshët e tu do të dëgjojnë një fjalë prapa teje, që thotë se ‘kjo është udha. Ecni në të ju njerëz’, në rast se ju njerëz duhet të shkoni djathtas ose në rast se duhet të shkoni majtas.»—Isaia 30:20, 21, BR; Is 48:17.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se kur ballafaqohemi me një vendim të rëndësishëm, një zë drejtpërdrejt do të na thotë se çfarë të bëjmë. Megjithatë, kur mendimet tona janë të harmonizuara me mendimet e Perëndisë mbi çështjet, ndërgjegjja jonë do të jetë më e pajisur për të na ndihmuar në marrjen e vendimeve që do ta kënaqin atë.—Fjalët e urta 27:11.

Merr rastin e Jozefit, i cili jetoi gjatë shekullit të 18-të p.e.s. Kur gruaja e Potifarit e nxiti që të kryente tradhti bashkëshortore me të, Jozefi refuzoi, duke thënë: «Si do të kryeja unë këtë të keqe të madhe dhe të mëkatoja faktikisht kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:9, BR) Në ditët e Jozefit, nuk kishte një ligj të shkruar nga Perëndia që dënonte aktin e tradhtisë bashkëshortore. Për më tepër, Jozefi jetonte në Egjipt, larg disiplinës familjare ose ligjeve patriarkale. Çfarë gjëje, pra, i dha mundësi Jozefit që t’i rezistonte tundimit? E thënë thjesht, ishte ndërgjegjja e tij e stërvitur. Jozefi kishte përvetësuar pikëpamjen e Perëndisë, se një burrë dhe një grua duhet të ishin «një mish». (Zanafilla 2:24) Ai e kuptoi, pra, se marrja e gruas së një burri tjetër do të ishte e gabuar. Mendimet e Jozefit ishin të harmonizuara me mendimet e Perëndisë mbi këtë çështje. Tradhtia bashkëshortore dhunonte ndjenjën e tij morale.

Sot, pak njerëz janë si Jozefi. Imoraliteti seksual është i shfrenuar dhe shumë veta nuk ndiejnë asnjë përgjegjësi para Krijuesit të tyre, para vetvetes ose madje para bashkëshortëve të tyre për të mbetur të pastër moralisht. Situata është shumë e ngjashme me atë që përshkruhet në librin e Jeremisë: «Nuk kishte as edhe një njeri që të pendohej për të keqen e tij, e të thoshte: ‘Çfarë kam bërë?’ Secili vazhdoi të kthehej në rrugën e rrahur nga shumë, si një kalë që lëshohet në betejë.» (Jeremia 8:6, BR) Prandaj, ekziston një nevojë më e madhe se kurrë që ne të harmonizohemi me mendimet e Perëndisë. Ekziston një masë e mrekullueshme për të na ndihmuar.

Një ndihmë për stërvitjen e ndërgjegjes

Shkrimet e frymëzuara janë ‘të dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr, për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të mund të jetë plotësisht i zoti, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë’. (2. Timoteut 3:16, 17, BR) Një studim i Biblës do të na ndihmojë për të stërvitur ato që Bibla i quan «aftësitë perceptuese», me qëllim që të dallojmë të drejtën nga e gabuara. (Hebrenjve 5:14, BR) Ajo do të na aftësojë për të zhvilluar një dashuri për gjërat që do Perëndia dhe një neveri për gjërat që ai i urren.—Psalmi 97:10; 139:21.

Pra, synimi i studimit të Biblës është që të marrim frymën dhe thelbin e së vërtetës në vend se thjesht strukturën teknike. Kulla e Rojës 1 shtator, 1976, anglisht, pohonte: «Në studimin e Shkrimeve ne duhet të përpiqemi të kapim domethënien e drejtësisë së Perëndisë, të dashurisë e të së drejtës së tij dhe t’i mbjellim ato thellë në zemrën tonë, që të bëhen një pjesë e jetës sonë, siç është ngrënia dhe frymëmarrja. Ne duhet të përpiqemi të jemi edhe më të vetëdijshëm ndaj një ndjenje përgjegjësie morale, duke kultivuar një vetëdije të qartë të asaj që është e drejtë dhe e gabuar. Më shumë se kaq, ne duhet të bëjmë që ndërgjegjja jonë të ndiejë fortësisht përgjegjësinë e saj ndaj Ligjdhënësit dhe Gjykatësit të përsosur. (Isa. 33:22) Kështu, ndërsa mësojmë gjëra rreth Perëndisë, ne duhet të përpiqemi ta imitojmë atë në çdo aspekt të jetës.»

Të fitojmë «mendjen e Krishtit»

Studimi i Biblës do të na ndihmojë edhe për të fituar «mendjen e Krishtit», prirjen mendore të bindjes dhe të përulësisë që shfaqi Jezui. (1. Korintasve 2:16) Bërja e vullnetit të Atit të tij ishte një gëzim për të e jo thjesht një rutinë për t’u ndjekur automatikisht, pa u menduar. Qëndrimi i tij u përshkrua në mënyrë profetike nga psalmisti David, i cili shkroi: «Në bërjen e vullnetit tënd, o Perëndia im, unë jam kënaqur dhe ligji yt është brenda pjesëve të mia të brendshme.»a—Psalmi 40:8, BR.

Fitimi i «mendjes së Krishtit» është jetësor për stërvitjen e ndërgjegjes. Kur ishte në tokë si një njeri i përsosur, Jezui pasqyroi cilësitë dhe personalitetin e Atit në masën më të plotë që ishte e mundur brenda kufizimeve njerëzore. Në këtë mënyrë ai mundi të thoshte: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Në çdo situatë me të cilën u ballafaqua në tokë, Jezui bëri tamam atë që Ati i tij donte që ai të bënte. Kështu, kur studiojmë jetën e Jezuit, marrim një pamje më të qartë se si është Perëndia Jehova.

Lexojmë se Jehovai është «i mëshirshëm dhe i hirshëm, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur». (Dalja 34:6, BR) Vazhdimisht Jezui i shfaqi këto cilësi në mënyrën me të cilën trajtonte dishepujt e tij. Kur ata në mënyrë të përsëritur u grindën se kush ishte më i madhi, me durim Jezui u mësoi atyre me fjalë dhe me shembullin e tij se «kushdo që dëshiron të bëhet i madh midis jush duhet të jetë shërbëtori juaj dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari midis jush duhet të jetë skllavi juaj». (Mateu 20:26, 27, BR) Ky është vetëm një shembull që tregon se mund të harmonizohemi me mendimet e Perëndisë, duke shqyrtuar jetën e Jezuit.

Sa më shumë të mësojmë rreth Jezuit, aq më të pajisur do të jemi për të imituar Atin tonë qiellor, Jehovain. (Efesianëve 5:1, 2) Ndërgjegjja e harmonizuar me mendimet e Perëndisë do të na udhëheqë në drejtimin e duhur. Jehovai u premton atyre që besojnë në të: «Unë do të të bëj të kesh mendjehollësi dhe do të të mësoj në udhën në të cilën duhet të shkosh. Do të të jap këshilla duke e mbajtur syrin tim mbi ty.»—Psalmi 32:8, BR.

Të nxjerrim dobi nga një ndërgjegje e stërvitur

Duke e njohur rebelimin e njerëzve të papërsosur, Moisiu i paralajmëroi izraelitët: «Merrini me zemër tërë fjalët me të cilat ju paralajmëroj sot. Do t’ua lini porosi bijve, që ata të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji.» (Ligji i përtërirë 32:46) Edhe ne duhet ta shkruajmë ligjin e Perëndisë mbi zemrat tona. Nëse veprojmë kështu, ka më shumë mundësi që ndërgjegjja të drejtojë hapat tona dhe të na ndihmojë për të marrë vendimet e duhura.

Patjetër që ne duhet të jemi të kujdesshëm. Proverbi biblik thotë: «Ekziston një rrugë që është e drejtë para një njeriu, por pas kësaj rrugët e vdekjes janë fundi i saj.» (Proverbat 14:12, BR) Pse ndodh shpesh kështu? Sepse, siç e thotë Bibla: «Zemra është më tradhtare se çdo gjë tjetër dhe është e dëshpëruar. Kush mund ta njohë atë?» (Jeremia 17:9, BR) Prandaj, është e nevojshme që të gjithë ne të ndjekim këshillën e Proverbave 3:5, 6: «Beso në Jehovain me të gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet mbi kuptueshmërinë tënde. Në të gjitha udhët vërja veshin atij dhe ai vetë do t’i bëjë të drejta shtigjet e tua.»—BR.

[Shënimi]

a Në letrën e tij drejtuar Hebrenjve, apostulli Pavël ia aplikoi Jezu Krishtit fjalët e Psalmit 40.—Hebrenjve 10:5-10.

[Figura në faqen 7]

Si një busull, ndërgjegjja e stërvitur me anë të Biblës mund të na tregojë drejtimin e duhur

[Burimi]

Busull: Me mirësjellje nga Muzeu Peabody Essex, Salem, Mass.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo