Kapitulli 7
Çfarë mësojmë nga fakti që Perëndia ka lejuar të keqen
1. (a) Nëse Jehovai do t’i ekzekutonte menjëherë rebelët në Eden, çfarë do të ndodhte me ne? (b) Por, çfarë masash dashamirëse ka siguruar Jehovai për ne?
KRAHAS vështirësive që mund të hasim në jetë, fakti që kemi lindur nuk ka qenë një padrejtësi nga ana e Perëndisë. Ai i pajisi njerëzit e parë me përsosmëri dhe për banesë u dha atyre Parajsën. Nëse ai do t’i ekzekutonte menjëherë pas rebelimit, nuk do të ekzistonte asnjë racë njerëzore, kështu siç e njohim ne, me sëmundjet, varfërinë dhe krimet e saj. Por, Jehovai në mënyrë të mëshirshme e lejoi Adamin dhe Evën të nxirrnin në dritë një familje para se të vdisnin, edhe pse ajo do të trashëgonte papërsosmërinë. Me anë të Krishtit, ai siguroi për ata pasardhës të Adamit që do të ushtronin besim, mundësinë për të pasur atë që Adami humbi: jetën e përhershme, në kushte të tilla që të mund ta gëzonin me të vërtetë.—Li. përt. 32:4, 5; Gjoni 10:10.
2. A është bërë e gjithë kjo vetëm për shpëtimin tonë?
2 Dobitë e kësaj për secilin prej nesh personalisht janë të pamatshme. Por, nga tregimi biblik mësojmë se përfshihej diçka shumë më e rëndësishme se vetëm shpëtimi ynë personal.
Për hir të emrit të tij të madh
3. Ç’gjë kishte lidhje me plotësimin e qëllimit të Jehovait për tokën dhe njerëzimin?
3 Emri i Jehovait, reputacioni i tij si Sovran universal dhe Perëndi i së vërtetës, ishin të lidhura me plotësimin e qëllimit të tij në lidhje me tokën dhe njerëzimin. Për shkak të vendit që Jehovai zë për paqen dhe të mirën e tërë universit, kërkohet që emrit të tij t’i jepet respekti i plotë që meriton dhe që të gjithë t’i binden atij.
4. Çfarë përfshin saktësisht ky qëllim?
4 Pasi i krijoi, Perëndia i dha Adamit dhe Evës një detyrë për të plotësuar. Ai u shpjegoi atyre se qëllimi i tij nuk ishte vetëm nënshtrimi i mbarë tokës, duke zgjeruar kufijtë e Parajsës, por popullimi i saj me pasardhës të burrit dhe gruas së parë, Adamit dhe Evës. (Zan. 1:28) A do të dështonte ky qëllim për shkak të mëkatit të tyre, duke sjellë kështu sharje mbi emrin e Perëndisë?
5. (a) Sipas Zanafillës 2:17, kur do të vdiste cilido që do të hante nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes? (b) Si e plotësoi Jehovai këtë, duke respektuar gjithashtu edhe qëllimin e tij në lidhje me popullimin e tokës?
5 Jehovai e kishte paralajmëruar Adamin që nëse do të hante nga pema e njohjes të së mirës e të së keqes ai me siguri do të vdiste «në ditën» në të cilën do të hante. (Zan. 2:17) Fjala e Perëndisë del e vërtetë. Po atë ditë që Adami mëkatoi, Jehovai i thirri shkelësit për të dhënë llogari dhe u shpalli dënimin me vdekje. Ndëshkimi ishte i pashmangshëm. Në kuptim gjyqësor, nga pikëpamja e Perëndisë Adami dhe Eva vdiqën që atë ditë. (Krahaso Luka 20:37, 38.) Por, me qëllim që të realizonte qëllimin e tij në lidhje me popullimin e tokës, Jehovai u lejoi atyre të formonin një familje përpara se të vdisnin me të vërtetë. Përveç kësaj, duke mbajtur parasysh se nga pikëpamja e Perëndisë 1.000 vjet janë si një ditë, kur Adami vdiq 930 vjeç, nuk kishte kaluar akoma një «ditë». (Zan. 5:3-5; krahaso Psalmin 90:4; 2. Pjetrit 3:8.) Pra, Jehovai u tregua i vërtetë për sa i përket kohës së ekzekutimit të ndëshkimit dhe qëllimi i tij për të populluar tokën me pasardhësit e Adamit nuk u pengua. Por, kjo nënkuptoi që për një farë kohe, njerëzit mëkatarë u lejuan të jetonin.
6, 7. (a) Çfarë tregon Të Dalët 9:15, 16 në lidhje me atë, se përse Jehovai lejon që të ligjtë të vazhdojnë të ekzistojnë edhe për një farë kohe? (b) Në rastin e Faraonit, si e tregoi Jehovai fuqinë e tij dhe si e bëri të njohur emrin e tij? (c) Prandaj, cili do të jetë përfundimi në fund të sistemit të lig të pranishëm?
6 Ajo që Jehovai i tha sundimtarit të Egjiptit në ditët e Moisiut, tregon akoma më shumë se përse Perëndia i ka lejuar të ligjtë të ekzistojnë për një farë kohe. Kur Faraoni nuk i lejoi bijtë e Izraelit të dilnin nga Egjipti, Jehovai nuk e shkatërroi menjëherë atë. Dhjetë plagë e goditën atë vend, duke demonstruar fuqinë e Jehovait në mënyrë spektakulare dhe të shumëllojshme. Kur u paralajmërua për plagën e shtatë, Jehovai i tha Faraonit se Ai lehtësisht mund ta fshinte nga faqja e dheut atë dhe popullin e tij. «Por në fakt,—tha Jehovai,—për këtë arsye të kam mbajtur në ekzistencë, për të treguar fuqinë time dhe që emri im të shpallet në mbarë tokën.»—Të Dal. 9:15, 16.
7 Kur Jehovai liroi Izraelin, emri i tij u bë me të vërtetë shumë i njohur. Sot, gati 3.500 vjet më vonë, ajo që bëri ai nuk është harruar. Jo vetëm që u shpall emri i tij personal Jehova, por edhe e vërteta në lidhje me këtë emër. Kjo vendosi një reputacion për Jehovain, si një Perëndi që e mban besëlidhjen dhe që vepron në favor të shërbëtorëve të tij. Është treguar se meqë ai është i gjithëfuqishëm, asgjë nuk mund ta pengojë qëllimin e tij. Akoma më i jashtëzakonshëm do të jetë shkatërrimi i afërt i gjithë sistemit të lig, të dukshëm dhe të padukshëm. Kjo shfaqje e tillë e një fuqie të pakufishme dhe lavdia që i sjell kjo emrit të Jehovait, nuk do të harrohen kurrë në historinë universale. Dobi të përhershme do të rrjedhin!—Ezek. 38:23; Zbul. 19:1, 2.
«O thellësi e mençurisë së Perëndisë!»
8. Çfarë faktorësh të tjerë na nxiti Pavli që të konsiderojmë?
8 Në letrën e tij drejtuar Romakëve, apostulli Pavël bëri këtë pyetje: «A ka padrejtësi në Perëndinë?» Ai vetë u përgjigj, duke vënë në dukje mëshirën e Perëndisë dhe duke iu referuar asaj që Jehovai i tha Faraonit. Ai, gjithashtu, tërheq vëmendjen mbi faktin se ne njerëzit jemi si argjila në duart e një poçari. Vallë, a ankohet argjila për përdorimin që i është caktuar? Pavli shton: «Nëse, tani, Perëndia, megjithëse duke pasur vullnetin për të treguar zemërimin e tij dhe për të bërë të njohur fuqinë e tij, toleroi me shumë shpirtmadhësi vazot e zemërimit të përshtatshme për shkatërrim, në mënyrë që të bënte të njohur pasuritë e lavdisë së tij mbi vazot e mëshirës, të cilat i përgatiti që më parë, domethënë ne, që ai i thërriti jo vetëm ndërmjet judenjve, por edhe ndërmjet kombeve, ç’të themi?»—Rom. 9:14-24.
9. (a) Kush janë «vazot e zemërimit të përshtatshme për shkatërrim»? (b) Përse Jehovai ka treguar kaq shumë shpirtmadhësi përballë armiqësisë së tyre dhe në ç’mënyrë zgjidhja përfundimtare do të jetë për të mirën e atyre që e duan?
9 Që kur Jehovai bëri deklaratën profetike të cituar në Zanafillën 3:15, Satanai dhe fara e tij kanë qenë «vazot e zemërimit të përshtatshme për shkatërrim». Gjatë gjithë kësaj kohe Jehovai ka ushtruar shpirtmadhësi. Të ligjtë kanë përqeshur rrugët e tij; kanë persekutuar shërbëtorët e tij, madje i kanë vrarë edhe të Birin. Por Jehovai ka treguar vetëpërmbajtje të madhe, gjë që u ka sjellë dobi të qëndrueshme shërbëtorëve të tij. I gjithë krijimi ka pasur mundësi të shohë rezultatet shkatërrimtare të rebelimit ndaj Perëndisë. Në të njëjtën kohë, vdekja e Jezuit ka siguruar mjetin e lirimit të njerëzimit të bindur dhe të «shkatërrimit të veprave të Djallit».—1. Gjonit 3:8; Hebr. 2:14, 15.
10. Përse Jehovai ka vazhduar t’i tolerojë të ligjtë gjatë 1.900 vjetëve të shkuar?
10 Gjatë më shumë se 1.900 vjetëve që nga ringjallja e Jezuit, Jehovai i ka toleruar më tej «vazot e zemërimit», duke e shtyrë shkatërrimin. Përse? Sepse ka përgatitur pjesën dytësore të farës së gruas, ata që do të shoqërohen me Jezu Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. (Gal. 3:29) Këta, 144.000 në numër, janë «vazot e mëshirës», për të cilat foli apostulli Pavël. Në fillim u ftuan për të marrë pjesë në këtë klasë individë të zgjedhur nga hebrenjtë. Pastaj u shtuan të rrethprerët samaritanas dhe në fund njerëz nga kombet pagane. Duke ushtruar shumë shpirtmadhësi, Jehovai ka plotësuar qëllimin e tij, pa detyruar asnjë që t’i shërbejë, por duke derdhur bekimet më të mëdha mbi ata që i janë përgjigjur me mirënjohje masave dashamirëse të marra prej tij. Tani, përgatitja e kësaj klase qiellore është gati e plotë.
11. Cili grup tjetër njerëzish po merr dobi tani nga shpirtmadhësia e Jehovait?
11 Por, ç’mund të themi për banorët e tokës? Në kohën e caktuar nga Perëndia, miliarda njerëz do të ringjallen si nënshtetas tokësorë të Mbretërisë. Veç kësaj, veçanërisht nga viti 1935 e më tej, shpirtmadhësia e Jehovait ka bërë të mundur grumbullimin e një «shumice të madhe» nga të gjitha kombet, me qëllim që të shpëtojnë.—Zbul. 7:9, 10; Gjoni 10:16.
12. (a) Si rezultat, çfarë kemi mësuar ne mbi vetë Jehovain? (b) Çfarë ndien për mënyrën në të cilën Jehovai ka përballuar këtë gjë?
12 A ka pasur ndonjë padrejtësi në gjithë këtë. Sigurisht që jo! Nëse Perëndia e shtyn shkatërrimin e të ligjve, «vazot e zemërimit», që të tregojë dhembshuri për të tjerët në harmoni me qëllimin e tij, kush mund ta kundërshtojë në mënyrë të drejtë? Në të kundërtën, ndërsa vërejmë shpalosjen e qëllimit të tij, mësojmë shumë gjëra mbi vetë Jehovain. Ne habitemi me aspektet e personalitetit të tij që kanë ardhur në dritë: drejtësia e tij, mëshira e tij, shpirtmadhësia e tij, shumëllojshmëria e mençurisë së tij. Mençuria me të cilën Jehovai ka përballuar çështjen e pazgjidhur do të jetë përgjithmonë një dëshmi, që mënyra e tij e qeverisjes është më e mira. Bashkë me apostullin Pavël themi: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë, e njohurisë së Perëndisë! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij dhe sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij!»—Rom. 11:33.
Mundësi për të treguar devotshmërinë tonë
13. (a) Kur vuajmë personalisht, çfarë mundësie na paraqitet? (b) Çfarë do të na ndihmojë për të vepruar me mençuri?
13 Ka situata ku mund të vuajmë me të vërtetë, për shkak se Perëndia nuk i ka shkatërruar akoma të ligjtë dhe se nuk ka sjellë akoma restaurimin e parathënë të njerëzimit. Si do të reagonim në këto raste? A i konsiderojmë këto si mundësi për të kontribuar në heqjen e sharjes nga emri i Jehovait dhe të provojmë se Djalli është një gënjeshtar? Për të bërë kështu ne mund të marrim shumë forcë duke mbajtur në mendje këshillën: «Biri im, ji i mençur dhe gëzoma zemrën, që të mund t’i përgjigjem atij që më sfidon me përbuzje.» (Prov. 27:11) Satanai, ai që i sfidon me përbuzje Jehovain, pohoi se, nëse njerëzit pësojnë humbje materiale apo vuajtje fizike, do ta mohojnë Perëndinë, madje duke e mallkuar. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) E gëzojmë zemrën e Jehovait nëse, duke i qëndruar besnik Atij krahas vështirësive, demonstrojmë se në rastin tonë nuk është kështu. Jemi plotësisht të bindur se Jehovai ka dashuri të madhe për shërbëtorët e tij dhe se, ashtu si në rastin e Jobit, në kohën e caktuar do të na shpërblejë bujarisht nëse jemi treguar besnikë.—Jak. 5:11; Jobi 42:10-16.
14. Nëse mbështetemi në Jehovain në prova, çfarë dobish të tjera mund të marrim?
14 Nëse mbështetemi me besim në Jehovain, kur përballojmë prova, mund të zhvillojmë cilësi të çmuara. Si rezultat i gjërave që vuajti, Jezui «mësoi dëgjueshmërinë» në një mënyrë që nuk e kishte njohur kurrë më parë. Edhe ne mund të mësojmë të kultivojmë shpirtmadhësi, qëndrueshmëri dhe një vlerësim më të thellë të rrugëve të drejta të Jehovait. A do ta pranojmë me durim këtë stërvitje?—Hebr. 5:8, 9; 12:11; Jak. 1:2-4.
15. Si mund të përfitojnë të tjerët, nëse ne me durim qëndrojmë në vështirësi?
15 Të tjerë do ta vërejnë atë që ne bëjmë. Ajo që pësojmë për shkak të dashurisë sonë për drejtësinë, me kalimin e kohës mund të nxitë disa prej tyre të kuptojnë se kush janë me të vërtetë «vëllezërit» e Krishtit sot dhe duke u bashkuar me këta «vëllezër» të tij në adhurim, mund të vihen në radhë për të marrë bekimet e jetës së përhershme. (Mat. 25:34-36, 40, 46) Jehovai dhe Biri i tij duan që ata ta kenë këtë mundësi. A e duam ne? A jemi të gatshëm të durojmë vështirësi që kjo të jetë e mundur?
16. Si ndikon pikëpamja jonë mbi vështirësitë e tilla në çështjen e unitetit?
16 Sa bukur është të konsiderosh edhe situatat e vështira të jetës si mundësi për t’i treguar Jehovait devotshmërinë tonë dhe të kontribuojmë në përmbushjen e vullnetit të tij! Duke bërë kështu, tregojmë me të vërtetë se punojmë për unitetin me Perëndinë dhe Krishtin për të cilën Jezui u lut në emër të të gjithë të krishterëve të vërtetë.—Gjoni 17:20, 21.
Pyetje për përsëritje
● Në ç’mënyrë Jehovai ka treguar me të drejtë respekt të madh për emrin e tij, duke lejuar të keqen?
● Në ç’mënyrë fakti që Perëndia ka toleruar «vazot e shkatërrimit» ka bërë që mëshira e tij të arrijë deri tek ne?
● Si duhet t’i konsiderojmë ne situatat që na sjellin vuajtje personalisht?