Kapitulli 6
Çështja që gjithë krijimi duhet të përballojë
1. (a) Çfarë çështje ngriti Satanai në Eden? (b) Si kuptohet kjo nga fjalët e tij?
KUR në Eden shpërtheu kryengritja, lindi një çështje e rëndësishme dhe serioze që ndikoi mbi të gjitha krijesat. Duke iu drejtuar Evës, Satanai la të kuptohej që asaj dhe burrit të saj, Adamit, u ishte hequr e drejta për diçka të rëndësishme. Ai pyeti: «Është e vërtetë se Perëndia ka thënë që nuk duhet të hani nga çdo pemë e kopshtit?» Eva iu përgjigj se vetëm në lidhje me një pemë Perëndia kishte thënë: «Nuk duhet të hani, jo, nuk duhet as ta prekni, me qëllim që të mos vdisni.» Në këtë pikë Satanai akuzoi hapur Jehovain se ishte një gënjeshtar, duke thënë se as jeta e Evës dhe as ajo e Adamit nuk vareshin nga bindja ndaj Perëndisë. Pohoi se Perëndia u ndalonte diçka të mirë krijesave të tij: aftësinë për të vendosur ata vetë normat sipas së cilave duhej të jetonin. «Me siguri ju nuk do të vdisni», deklaroi Satanai. «Sepse Perëndia e di se atë ditë që do të hani prej saj sytë tuaj me të vërtetë do të hapen e ju do të jeni me të vërtetë ngjashëm Perëndisë, duke njohur të mirën dhe të keqen.» (Zan. 3:1-5) Satanai e shtyu Evën të besojë se për atë do të ishte më mirë të vendoste vetë për veten. Automatikisht sfidoi kështu të drejtën e Perëndisë për të qeverisur dhe mënyrën e Tij të qeverisjes. Çështja e lindur përfshinte në të vërtetë sovranitetin universal.
2. Çfarë do të mund ta mbronte çiftin e parë njerëzor?
2 Dashuria për Jehovain do ta kishte mbrojtur Evën. Edhe respekti për autoritetin e burrit të saj do ta kishte përmbajtur prej gabimit. Por mendoi vetëm për atë që iu duk një dobi e menjëhershme. Ajo që ishte e ndaluar u bë e dëshirueshme për sytë e saj. E mashtruar plotësisht prej arsyetimeve të Satanait, shkeli ligjin e Perëndisë. Pastaj ngatërroi Adamin. Megjithëse nuk u mashtrua prej gënjeshtrës së Satanait, edhe ai tregoi një mungesë të thellë çmueshmërie për dashurinë e Perëndisë. Nënvleftësoi autoritetin e Jehovait dhe vendosi të ndiqte shembullin e gruas së tij kryengritëse.—Zan. 3:6; 1. Tim. 2:13, 14.
3. (a) Cila çështje e mëtejshme është e lidhur ngushtë me sulmin e ndërmarrë nga Satanai kundër sovranitetit të Jehovait? (b) Kush është ndikuar nga ajo?
3 Sulmi i Satanait kundër sovranitetit të Jehovait nuk përfundon me atë që ndodhi në Eden. Në vazhdim të suksesit të tij të dukshëm, ai sfidoi në dyshim besnikërinë e krijesave të tjera ndaj Jehovait. Kjo u bë, pra, një çështje e dytë për zgjidhje, e lidhur ngushtë me të parën. Sfida e tij u zgjerua, derisa përfshiu pasardhësit e Adamit si dhe të gjithë bijtë frymorë të Perëndisë, përfshirë edhe Birin e dashur të parëlindur të Jehovait. Në ditët e Jobit, Satanai pohoi se ata që i shërbenin Jehovait nuk e bënin sepse e donin Perëndinë dhe mënyrën e tij të qeverisjes, por për arsye egoiste. Ai argumentoi se në raste vështirësie të gjithë do të tërhiqeshin nga dëshirat egoiste. A kishte të drejtë?—Jobi 1:6-12; 2:1-6; Zbul. 12:10.
Si kanë reaguar në këtë çështje
4. Përse shumë njerëz nuk e kanë përkrahur sovranitetin e Jehovait?
4 Jehovai nuk e përjashtoi mundësinë që të tjerët t’i bashkoheshin Satanait në kryengritje. Në të vërtetë, kur doli vendimi i tij gjyqësor në Eden, Perëndia iu referua atyre që do të formonin «farën e gjarprit». (Zan. 3:15) Farisenjtë që komplotuan për të vrarë Jezuin dhe Juda Iskarioti që e tradhëtoi, ishin midis tyre. Nuk bënë thjesht një hap të gabuar, para se ta kuptonin. E dinin atë që ishte e drejtë, por u radhitën me qëllim kundër Jehovait dhe shërbëtorëve të tij. Megjithatë, shumë të tjerë që nuk u janë përshtatur kërkesave të Jehovait, kanë vepruar kështu nga padija.—Veprat 17:29, 30.
5. (a) Në dallim nga Eva, si e kanë konsideruar fjalën e Jehovait ata që i kanë mbetur besnikë? (b) Si e tregoi Noeja besnikërinë e tij dhe çfarë mund të mësojmë prej shembullit të tij?
5 Në dallim nga të gjithë këta, ka pasur burra dhe gra besnike që janë edukuar rreth Krijuesit të tyre dhe kanë dhënë prova të besnikërisë së tyre ndaj tij si Sovran. Kanë besuar në Perëndinë. E dinin që jeta e tyre varej nga dëgjimi dhe bindja ndaj tij. Noeja ishte një prej tyre. Kështu, kur Perëndia i tha që «fundi i çdo trupi ka mbërritur para meje . . . Bëj një arkë»,—Noeja iu nënshtrua drejtimit të Jehovait. Bashkëkohësit e tij të tjerë, megjithëse ishin lajmëruar, vazhduan të jetonin sikur s’do të ndodhte asgjë e jashtëzakonshme. Përkundrazi, Noeja ndërtoi një arkë gjigante dhe vazhdoi t’u predikonte të tjerëve rrugët e drejta të Jehovait. Tregimi thotë: «Noeja bëri sipas gjithë asaj që Perëndia e kishte urdhëruar. Ai bëri pikërisht ashtu.»—Zan. 6:13-22; shiko edhe Hebrenjve 11:7 dhe 2. Pjetrit 2:5.
6. (a) Çfarë tjetër i ka dalluar ata që e kanë ruajtur integritetin? (b) Si i tregoi Sara këto cilësi dhe çfarë mësojmë prej shembullit të saj?
6 Ata që kanë ruajtur integritetin, janë dalluar edhe për respektin e tyre të thellë për parimin e autoritetit dhe për dashurinë që personalisht kanë ushqyer për Jehovain. Nuk kanë qenë si Eva, që doli mbi të shoqin e saj. As si Adami, që nuk e përfilli ligjin e Jehovait. Sara, gruaja e Abrahamit, i shprehu këto cilësi shumë të mira. Për të, Abrahami ishte «zotëria» i saj jo vetëm me fjalë, por edhe në zemër. Gjithashtu, ajo vetë e donte Jehovain dhe ishte një grua besnike. Me Abrahamin «priste qytetin [Mbretërinë e Perëndisë] që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe krijuesi i të cilit është Perëndia».—1. Pjetr. 3:5, 6; Hebr. 11:10-16.
7. (a) Në cilat rrethana Moisiu përkrahu sovranitetin e Jehovait? (b) Çfarë mund të mësojmë prej shembullit të tij?
7 Rreth 430 vjet pasi Abrahami kishte lënë vendin e tij të lindjes, Moisiu përkrahu sovranitetin e Jehovait, duke u ndeshur ballë për ballë me Faraonin e Egjiptit. Jo sepse Moisiu kishte besim në vetvete. Përkundrazi, dyshonte në aftësitë e tij oratorike. Por iu bind Jehovait. Me përkrahjen e Jehovait dhe me ndihmën e vëllait të tij Aaronit, Moisiu i njoftoi disa herë Faraonit fjalën e Jehovait. Faraoni ishte kryeneç. Edhe disa bij të Izraelit e kritikuan me ashpërsi Moisiun. Por Moisiu zbatoi me besnikëri gjithçka që Jehovai i kishte urdhëruar e nëpërmjet tij Izraeli u lirua prej Egjiptit.—Të Dal. 7:6; 12:50, 51.
8. (a) Nga çfarë e kuptojmë se për t’i qenë besnikë Jehovait nuk mjafton të bëjmë atë që Perëndia ka përmendur në mënyrë specifike në shkrimet? (b) Duke kuptuar mirë këtë lloj besnikërie, si mund të jemi të ndihmuar që të zbatojmë 1. Gjonit 2:15?
8 Ata që ishin besnikë ndaj Jehovait, mendonin se nuk mjaftonte t’i përshtateshin pikë për pikë ligjit, duke iu bindur vetëm asaj që Perëndia kishte shkruar. Kur gruaja e Putifarit kërkoi ta nxiste Jozefin që të kishte marrëdhënie kurorëthyese me të, nuk ekzistonte nga ana e Perëndisë ndonjë urdhër i shkruar që ndalonte në mënyrë të përcaktuar kurorëthyerjen. Por në bazë të asaj që dinte mbi rregullin e martesës të themeluar prej Jehovait në Eden, Jozefi ishte i vetëdijshëm që marrëdhëniet seksuale me gruan e një tjetri nuk do t’i pëlqenin Perëndisë. Jozefi nuk donte të provonte se deri në ç’pikë Perëndia e kishte lejuar të imitonte egjiptianët. Ai përkrahu rrugët e Jehovait, duke medituar mbi marrëdhënien që Perëndia kishte pasur me njerëzimin dhe duke zbatuar me ndërgjegje të plotë atë që kishte kuptuar se ishte vullneti i Perëndisë.—Zan. 39:7-12; krahaso Psalmi 77:11, 12.
9. Si është treguar në mënyrë të përsëritur që Djalli është një gënjeshtar, për sa i përket akuzës që hodhi në ditët e Jobit?
9 Edhe nëse vihen në një provë të vështirë, ata që e njohin me të vërtetë Jehovain nuk largohen prej tij. Satanai pohoi se edhe Jobi, për të cilin Jehovai fliste aq mirë, po t’i humbte të mirat e tij ose po të keqtrajtohej fizikisht, do ta braktiste Perëndinë. Por Jobi tregoi që Djalli ishte një gënjeshtar, madje e bëri këtë pa e ditur se përse ishte ngarkuar me gjithë ato halle që i kishin ndodhur. (Jobi 2:3, 9, 10) Gjithmonë në orvatje për të treguar argumentet e tij, në vazhdim Satanai bëri që një mbret i zemëruar i Babilonisë të kërcënonte tre të rinj hebrenj me vdekje në një furrë të ndezur, nëse nuk gjunjëzoheshin për adhurim përpara një figure të ndërtuar prej mbretit. Të shtrënguar për të zgjedhur mes urdhërit të mbretit dhe ligjit të Jehovait kundër idhujtarisë, ata shpallën me vendosmëri se i shërbenin Jehovait dhe që ai ishte për ta Sovrani Suprem. Besnikëria ndaj Perëndisë ishte për ta më e çmueshme se jeta.—Dan. 3:14-18.
10. Si mund të tregojmë ne qeniet njerëzore të papërsosura se jemi me të vërtetë besnikë ndaj Jehovain?
10 Mos ndoshta nga kjo duhet të nxjerrim përfundimin se për t’i qenë besnikë Jehovait duhet të jemi të përsosur, që kush kryen një gabim ka dështuar plotësisht? Jo, aspak! Bibla përmend në mënyrë specifike disa rrethana në të cilat Moisiu gaboi. Jehovai nuk i pëlqeu kjo, por nuk e braktisi Moisin. Apostujt, sadoqë janë shembuj në shumë aspekte, kishin dobësitë e tyre. Besnikëria kërkon bindje të vazhdueshme nga zemra. Por, duke mbajtur parasysh papërsosmërinë që kemi trashëguar, Jehovai kënaqet nëse nuk e nënvleftësojmë me qëllim vullnetin e tij në ndonjë aspekt. Nëse për dobësi kryejmë ndonjë gjë të gabuar, është e rëndësishme që për këtë të pendohemi sinqerisht dhe të mos e bëjmë një shprehi. Në mënyrë të tillë tregojmë dashuri të vërtetë për atë që është e mirë sipas Jehovait dhe të urrejtje për atë që sipas tij është e keqe. Në bazë të besimit tonë në vlerën shpërblyese të sakrificës së Jezuit, mund të kemi një emër të mirë përpara Perëndisë.—Amosi 5:15; Vepra 3:19; Hebr. 9:14.
11. (a) Kush mes njerëzve mbajti një devotshmëri të shenjtë të përsosur dhe çfarë tregoi në këtë mënyrë? (b) Çfarë mësojmë prej shembullit të tij?
11 Por, a ka mundësi që devotshmëria e shenjtë e përsosur të jetë e pamundur për njerëzit? Për rreth 4.000 vjet përgjigjja e kësaj pyetjeje mbeti një «sekret i shenjtë». (1. Tim. 3:16) Adami, megjithëse u krijua i përsosur, nuk dha një shembull të përsosur të devotshmërisë së shenjtë. Kush mund ta jepte atë? Pa dyshim asnjë prej pasardhësve të tij mëkatarë. Jezu Krishti ishte i vetmi njeri që ia doli mbanë. Ajo që bëri Jezui tregoi se Adami, që pati rrethana shumë më të favorshme, po të kishte dashur, do të kishte mundur të mbante një integritet të përsosur. Faji nuk ishte në veprën që krijoi Perëndia. Jezu Krishti është, pra, shembulli që duhet të përpiqemi ta imitojmë për të treguar jo vetëm bindje ndaj ligjit hyjnor, por edhe devotshmëri personale ndaj Jehovait, Sovranit Universal.
Si përgjigjemi personalisht?
12. Përse duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm në qëndrimin tonë ndaj sovranitetit të Jehovait?
12 Sot, secili prej nesh duhet të përballojë çështjen e përgjithshme. Nuk mund t’i bëjmë bisht. Nëse kemi shpallur hapur se jemi nga ana e Jehovait, do të bëhemi një objektiv i Satanait. Ai do të bëjë mbi ne presione nga çdo drejtim i mundshëm dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në fund të këtij sistemi të lig të gjërave. Nuk duhet ta dobësojmë vigjilencën. (1. Pjetr. 5:8) Sjellja jonë tregon se nga cila anë jemi në çështjen më të madhe.
13. (a) Cilat pasoja të gënjeshtrës dhe të vjedhjes duhet të na shtyjnë që t’i urrejmë ato? (b) Një nga një, përgjigju në pyetjet e bëra në fund të paragrafit, duke vështruar situatat që e shtyjnë ndonjë për të kryer këto veprime.
13 Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes një sjellje të pabesë, vetëm sepse është e zakonshme në botë. Për të mbajtur integritetin, duhet të zbatojmë normat e drejta të Jehovait në çdo aspekt të jetës. Shqyrto, për shembull, sa vijon:
(1) Satanai përdori një gënjeshtër për t’i shtyrë prindërit tanë të parë në mëkat. U bë «baba i gënjeshtrës». (Gjon. 8:44)
Në cilat rrethana ndonjëherë të rinjtë nuk u thonë të vërtetën prindërve? Përse është e rëndësishme që të rinjtë e krishterë ta shmangin këtë? (Prov. 6:16-19)
Cilat prakatika tregtare mund ta identifikojnë një person me «babanë e gënjeshtrës», në vend se me Perëndinë e së vërtetës? (Mik. 6:11, 12)
Nëse me ato që themi kërkojmë të dukemi ashtu siç nuk jemi, ç’të keqe ka nëse kjo gjë nuk i sjell dëm askujt? (Psal. 119:163; krahaso Veprat 5:1-11.)
Nëse dikush është përfshirë në ndonjë gabim serioz, përse është e rëndësishme që të mos kërkojë ta fshehë atë, duke thënë gënjeshtra? (Prov. 28:13)
(2) Kur Eva dhe pastaj Adami vepruan nën nxitjen e Satanait për të vendosur vetë të mirën dhe të keqen, gjëja e parë që bënë ishte marrja e diçkaje që nuk u përkiste atyre. U bënë hajdutë.
A është e justifikuar vjedhja nëse një person gjendet në hall apo në se i vjedhuri është i pasur? (Prov. 6:30, 31; 1. Pjetr. 4:15)
Apo është më pak e gabuar nëse kjo është një shprehi e përhapur në vendin ku jetojmë ose nëse sasia e vjedhur është e vogël? (Rom. 12:2; Efes. 4:28; Luka 16:10)
14, 15. (a) Cilës provë do t’i nënshtohet i gjithë njerëzimi në fund të Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit? (b) Në ç’mënyrë ajo që bëjmë tani do të ndikojë mbi atë që do të jetë atëherë e ardhmja jonë?
14 Gjatë Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit, Satanai dhe demonët e tij do të jenë në humnerë, të paaftë për të ushtruar ndikim mbi njerëzimin. Çfarë lehtësimi! Por mbas një mijë vjetëve, ata do të lirohen për një kohë të shkurtër. Satanai dhe ata që e djekin do të ushtrojnë presion mbi «të shenjtët», pjesëtarët e përtëritur të njerëzimit që do të kenë ruajtur integritetin. Ai do të përparojë si në luftë kundër «qytetit të dashur», Jeruzalemit të Ri qiellor, duke kërkuar të fshijë tej rrugën e drejtësisë që ai do të ketë vendosur mbi tokë.—Zbul. 20:7-10.
15 Është shumë e mundshme, që si në të kaluarën, Satanai të përdorë mashtrimet bashkë me thirrjen për egoizëm dhe mendjemadhësi, për t’i shtyrë njerëzit që të veprojnë pabesisht ndaj Jehovait. Nëse do të jetë privilegji ynë që të jemi atëherë në jetë, si do të reagojmë personalisht? Ku do të jetë zemra jonë, për sa i përket çështjes së përgjithshme? Pasi atëherë i gjithë njerëzimi do të jetë i përsosur, çfarëdo veprimi i pabesë do të jetë i qëllimshëm dhe do të çojë në shkatërrim të përhershëm. Që të mund të tregojmë besnikëri në atë kohë, sa e rëndësishme është që të kultivojmë tani shprehinë e të pranuarit të menjëhershëm dhe në mënyrë pozitive të çfarëdo mësimi që jep Jehovai, qoftë nëpërmjet Fjalës apo organizatës së tij! Duke vepruar kështu, do të japim prova të devotshmërisë tonë të sinqertë për të si Sovran.
Pyetje për përsëritje
● Me cilën çështje të madhe duhet të ballafaqohen të gjitha krijesat? Si jemi edhe ne të përfshirë në këtë?
● Çfarë shquhet në mënyrën që secili prej personazheve të ilustruara në faqen 49 shprehu integritetin e tij?
● Përse është thelbësore që të nderojmë çdo ditë Jehovain me sjelljen tonë?
[Figurat në faqen 49]
MBËSHTETËN SOVRANITETIN E JEHOVAIT
Noeja
Sara
Moisiu
Jozefi
Jobi
Çfarë mund të mësojmë prej shembullit të tyre?