BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • bhs kap. 6 f. 62-70
  • Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?
  • Çfarë na mëson Bibla?
  • Lexo në Çfarë mëson
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • ÇFARË NDODH ME NJERËZIT KUR VDESIN?
  • ÇFARË THA JEZUI PËR VDEKJEN?
  • PSE VDESIM?
  • E VËRTETA NA ÇLIRON
  • Pse plakemi dhe vdesim?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2019
  • Pyetja 2: Çfarë do të më ndodhë pas vdekjes?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Çfarë u ndodhi ngaqë dëgjuan Satanain?
    Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë
  • Çfarë shprese ka për të vdekurit?
    Çfarë shprese ka për të vdekurit?
Shih më tepër
Çfarë na mëson Bibla?
bhs kap. 6 f. 62-70

KAPITULLI 6

Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

1-3. Çfarë pyetjesh bëjnë njerëzit lidhur me vdekjen, dhe si përgjigjen disa fe?

BIBLA premton se një ditë «nuk do të ketë më vdekje». (Zbulesa 21:4) Në kapitullin 5 mësuam se falë shpërblesës mund të jetojmë përgjithmonë. Por njerëzit vazhdojnë të vdesin. (Eklisiastiu 9:5) Ndaj, një nga pyetjet më të rëndësishme që bëjmë, është: «Çfarë ndodh me ne pas vdekjes?»

2 Përgjigjja e kësaj pyetjeje merr peshë sidomos kur na vdes një njeri i dashur. Ndoshta pyesim veten: «Ku ka shkuar? A na sheh? A mund të na ndihmojë? A do ta takojmë sërish?»

3 Fe të ndryshme japin përgjigje të ndryshme. Disa mësojnë se njerëzit e mirë shkojnë në qiell, kurse të ligjtë digjen në ferr. Të tjera thonë se, kur dikush vdes, shkon në botën e përtejme dhe bashkohet me familjarët që i kanë vdekur. Ka edhe fe që thonë se, kur një njeri vdes dhe merr gjykimin, rilind ose rikthehet në jetë me trup tjetër, ndoshta me trupin e një njeriu ose të një kafshe.

4. Cilën ide kryesore mësojnë shumë fe për vdekjen?

4 Duket qartë se fetë thonë gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Ama, pothuajse të gjitha mësojnë një ide kryesore: kur dikush vdes, një pjesë e tij vazhdon të jetojë. A është e vërtetë kjo?

ÇFARË NDODH ME NJERËZIT KUR VDESIN?

5, 6. Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

5 Jehovai e di mirë çfarë u ndodh njerëzve kur vdesin. Ai na ka treguar se, kur një njeri vdes, jeta e tij mbaron. Vdekja është e kundërta e jetës. Prandaj, kur dikush vdes, ndjenjat dhe kujtimet e tij marrin fund bashkë me të.a Ai nuk është më në gjendje të shohë, të dëgjojë dhe të mendojë.

6 Mbreti Solomon shkroi se «të vdekurit s’dinë asgjë». Ata nuk ndiejnë dot dashuri ose urrejtje, dhe «nuk ka as punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Varr». (Lexo Eklisiastiun 9:5, 6, 10.) Gjithashtu, te Psalmi 146:4 Bibla thotë se kur njeriu vdes, «çdo mendim i tij» vdes.

ÇFARË THA JEZUI PËR VDEKJEN?

Një çift të martuarish të ulur në një kopsht duke parë me admirim një lule

Jehovai i ka krijuar njerëzit që të jetojnë përgjithmonë në tokë

7. Çfarë tha Jezui për vdekjen?

7 Kur vdiq miku i tij i ngushtë, Lazari, Jezui u tha dishepujve: «Lazari, miku ynë, ka rënë në gjumë.» Jezui nuk po thoshte se Lazari po flinte, sepse më tej vazhdoi: «Lazari ka vdekur.» (Gjoni 11:11-14) Pra, Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin. Ai nuk tha se Lazari kishte shkuar në qiell apo se ishte bashkuar me familjarët që i kishin vdekur. As nuk tha që Lazari po torturohej në ferr apo se kishte rilindur me trupin e ndonjë njeriu a të ndonjë kafshe. Përkundrazi, ishte sikur Lazari të kishte rënë në gjumë të thellë. Edhe shkrime të tjera e krahasojnë vdekjen me gjumin e thellë. Kur Stefanin e vranë, Bibla thotë se ai «ra në gjumin e vdekjes». (Veprat 7:60) Po kështu, apostulli Pavël shkroi se disa të krishterë ‘kishin rënë në gjumin e vdekjes’.—1 Korintasve 15:6.

8. Nga e dimë se Jehovai nuk donte që njerëzit të vdisnin?

8 A i krijoi Perëndia Adamin dhe Evën me qëllimin që pas njëfarë kohe ata të vdisnin? Jo. Jehovai donte që të jetonin përgjithmonë me shëndet të përsosur. Jehovai u dha njerëzve dëshirën për të jetuar përgjithmonë. (Eklisiastiu 3:11) Asnjë prind nuk dëshiron që fëmijët e vet të plaken e të vdesin, dhe as Jehovai nuk e do këtë për ne. Por, nëse Perëndia na krijoi që të jetonim përgjithmonë, pse vdesim?

PSE VDESIM?

9. Pse ishte i arsyeshëm urdhri që Jehovai u dha Adamit dhe Evës?

9 Jehovai i tha Adamit në kopshtin e Edenit: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash, pa dyshim ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:9, 16, 17) Ky urdhër i qartë nuk ishte i vështirë për t’u zbatuar. Veç kësaj, Jehovai kishte të drejtën t’u thoshte Adamit dhe Evës çfarë ishte e mirë dhe e keqe. Duke iu bindur Jehovait, do të tregonin se e respektonin autoritetin e tij dhe se ishin mirënjohës për gjithçka që u kishte dhënë.

10, 11. (a) Si i mashtroi Satanai Adamin dhe Evën? (b) Pse veprimi i tyre ishte i pajustifikueshëm?

10 Mjerisht, Adami dhe Eva zgjodhën të mos i bindeshin Jehovait. Satanai i tha Evës: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?» Eva iu përgjigj: «Mund të hamë nga fryti i pemëve të kopshtit. Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: ‘Mos e hani, madje as mos e prekni, përndryshe do të vdisni.’»—Zanafilla 3:1-3.

11 Satanai ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:4-6) Satanai donte ta bindte Evën se ajo mund të vendoste vetë çfarë ishte e mirë dhe e keqe. Veç kësaj, ai e gënjeu në lidhje me pasojat që do të sillte mosbindja. Satanai i tha Evës se nuk do të vdiste, prandaj ajo hëngri nga fryti i pemës, e pastaj i dha edhe të shoqit. Adami dhe Eva e dinin që Jehovai i kishte urdhëruar të mos hanin nga fryti i pemës. Duke ngrënë nga ai fryt, ata zgjodhën të shkelnin një urdhër të qartë e të arsyeshëm. Kështu treguan se nuk e respektonin Atin e tyre të dashur qiellor. Mosbindja e tyre ishte e pajustifikueshme.

12. Pse është shumë zhgënjyese mosbindja e Adamit dhe Evës?

12 Çfarë zhgënjimi që prindërit tanë të parë nuk treguan aspak respekt për Krijuesin e tyre! Ta zëmë se ke bërë çmos të rritësh djalin dhe vajzën tënde, por ata rebelohen kundër teje dhe bëjnë të kundërtën e asaj që u ke kërkuar. Si do të ndiheshe? A nuk do të të bëhej zemra copë?

Adami kur u krijua

Adami erdhi nga pluhuri dhe u kthye në pluhur

13. Çfarë donte të thoshte Jehovai me fjalët «në pluhur do të kthehesh»?

13 Duke mos u bindur, Adami dhe Eva humbën mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Jehovai i tha Adamit: «Ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh.» (Lexo Zanafillën 3:19.) Pra Adami do të bëhej sërish pluhur, sikur të mos ishte krijuar asnjëherë. (Zanafilla 2:7) Pasi mëkatoi, Adami vdiq dhe kështu nuk ekzistonte më.

14. Pse vdesim?

14 Po t’i ishin bindur Perëndisë, Adami dhe Eva do të ishin ende gjallë. Por, duke mos u bindur, ata mëkatuan dhe për shkak të mëkatit vdiqën. Mëkati është si një sëmundje e tmerrshme që e kemi trashëguar nga prindërit tanë të parë. Të gjithë ne lindim mëkatarë dhe si pasojë vdesim. (Romakëve 5:12) Por, Perëndia nuk kishte këtë qëllim për njerëzit. Kurrë nuk ka dashur që njerëzit të vdesin. Madje Bibla e quan vdekjen një ‘armik’.—1 Korintasve 15:26.

E VËRTETA NA ÇLIRON

15. Si na çliron e vërteta rreth vdekjes?

15 E vërteta rreth vdekjes na çliron nga shumë ide të gabuara. Bibla mëson se të vdekurit nuk ndiejnë as dhembje, as trishtim. Ne nuk flasim dot me ta, dhe as ata me ne. Nuk i ndihmojmë dot të vdekurit, dhe as ata nuk na ndihmojnë dot. Të vdekurit nuk na dëmtojnë dot, ndaj s’ka pse të kemi frikë prej tyre. Megjithatë, shumë fe thonë se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë diku dhe se mund t’i ndihmojmë nëse u japim para priftërinjve ose klerikëve të tjerë. Por kur dimë të vërtetën për të vdekurit, nuk mashtrohemi nga këto gënjeshtra.

16. Cilën gënjeshtër mësojnë shumë fe rreth të vdekurve?

16 Satanai përdor fenë e rreme që të na gënjejë e të na bëjë të besojmë se të vdekurit janë ende gjallë. Për shembull, disa fe mësojnë se, kur njerëzit vdesin, shpirti i tyre vazhdon të jetojë. A mëson të njëjtën gjë edhe feja jote? Apo mëson çfarë thotë Bibla për të vdekurit? Satanai përdor gënjeshtra që t’i largojë njerëzit nga Jehovai.

17. Pse e fyen Jehovain ideja e ndëshkimit të njerëzve në ferrin e zjarrtë?

17 Disa nga gjërat që mësojnë shumë fe janë të tmerrshme. Për shembull, disa mësojnë se njerëzit e këqij do të digjen përjetësisht në ferr. Kjo gënjeshtër e fyen Jehovain. Ai s’do të lejonte kurrë që njerëzit të vuanin kështu! (Lexo 1 Gjonit 4:8.) Çfarë do të mendoje për dikë që e ndëshkon fëmijën duke ia vënë duart në zjarr? Pa dyshim do të mendoje se është njeri mizor dhe s’do të doje të kishe asnjë lloj lidhjeje me të. Satanai do që të mendojmë se Jehovai është i tillë.

18. Pse nuk duhet t’i kemi frikë të vdekurit?

18 Disa fe thonë se, kur njerëzit vdesin, shpirtrat e tyre shkojnë në botën e përtejme. Sipas këtyre feve, duhet t’i respektojmë e madje t’ua kemi frikën shpirtrave sepse mund të bëhen ose miq të fuqishëm, ose armiq të llahtarshëm. Shumë njerëz e besojnë këtë gënjeshtër. Ata kanë frikë nga të vdekurit, prandaj adhurojnë të vdekurit në vend që të adhurojnë Jehovain. Mos harro se të vdekurit nuk ndiejnë dhe nuk bëjnë dot asgjë. Ja pse nuk duhet t’i kemi frikë. Jehovai është Krijuesi ynë. Ai është Perëndia i vërtetë, dhe duhet të adhurojmë vetëm atë.—Zbulesa 4:11.

19. Si na ndihmon e vërteta rreth vdekjes?

19 Kur dimë të vërtetën rreth vdekjes, çlirohemi nga gënjeshtrat që mësojnë fetë. Kjo e vërtetë na ndihmon të kuptojmë premtimet e mrekullueshme që ka bërë Jehovai për jetën dhe të ardhmen tonë.

20. Çfarë do të shohim në kapitullin tjetër?

20 Shumë kohë më parë, një shërbëtor i Perëndisë me emrin Job pyeti: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» (Jobi 14:14) A është e mundur të kthehet në jetë një person që ka vdekur? Përgjigjja që jep Perëndia në Bibël është shumë emocionuese. Këtë përgjigje do ta shohim në kapitullin tjetër.

a Disa besojnë se kur një njeri vdes, shpirti i tij vazhdon të jetojë. Por Bibla nuk e mëson këtë. Shiko pikat 17 dhe 18 të Shtojcës.

PËRMBLEDHJE

MËSIMI 1: KUR NJË NJERI VDES, JETA E TIJ MBARON

«Të vdekurit s’dinë asgjë.»—Eklisiastiu 9:5

Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

  • Psalmi 146:3, 4; Eklisiastiu 9:6, 10

    Kur dikush vdes, nuk është më në gjendje të shohë, të dëgjojë dhe të mendojë.

  • Gjoni 11:11-14

    Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin.

MËSIMI 2: JEHOVAI NUK KA DASHUR KURRË QË NJERËZIT TË VDESIN

«Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash, pa dyshim ke për të vdekur.»—Zanafilla 2:17

Pse vdesim?

  • Zanafilla 3:1-6

    Satanai e gënjeu Evën për pasojat që do të kishte po të mos i bindej urdhrit të Perëndisë. Duke mos iu bindur Jehovait, Adami dhe Eva mëkatuan dhe si pasojë vdiqën.

  • Zanafilla 3:19

    Pasi vdiq, Adami pushoi së ekzistuari.

  • Romakëve 5:12

    Mëkati është si një sëmundje e tmerrshme që e kemi trashëguar nga prindërit tanë të parë. Të gjithë ne lindim mëkatarë dhe si pasojë vdesim.

  • 1 Korintasve 15:26

    Bibla e quan vdekjen një armik.

MËSIMI 3: E VËRTETA RRETH VDEKJES NA ÇLIRON

«Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë? Do të pres . . . derisa të më vijë lehtësimi.»—Jobi 14:14

Si na çliron e vërteta rreth vdekjes nga idetë e gabuara?

  • 1 Gjonit 4:8

    Mësimi për ferrin e zjarrtë e fyen Jehovain. Ai s’do të lejonte kurrë që njerëzit të vuanin në ferr.

  • Zbulesa 4:11

    Shumë njerëz kanë frikë nga të vdekurit, prandaj adhurojnë ata në vend që të adhurojnë Jehovain. Jehovai është Perëndia i vërtetë, dhe duhet të adhurojmë vetëm atë.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo